Gjykata Kushtetuese ka vendosur një masë të përkohshme deri në fund të muajit ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosova.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar së fundmi Qeveria e Kosovës, e cila shprehet se masa e përkohshme krijon hapësira që çështja të trajtohet në mënyrë të plotë nga Gjykata Kushtetuese, në përputhje me rendin kushtetues dhe parimet e funksionimit demokratik të institucioneve.
Në reagimin e saj, qeveria thekson se për tre javë vendi do të jetë në një situatë pritjeje, ndërsa një sërë marrëveshje dhe vendimesh vazhdojnë të mbeten pa miratimin e Kuvendit.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me Dekretin për shpërndarjen e Kuvendit pezullon zbatimin e këtij dekreti deri në shqyrtimin në merita të çështjes.
Ky vendim krijon hapësirën që çështja të trajtohet në mënyrë të plotë nga Gjykata Kushtetuese, në përputhje me rendin kushtetues dhe parimet e funksionimit demokratik të institucioneve.
Për tre javë jemi në gjendje pritjeje ndërkohë që një sërë marrëveshjesh dhe vendimesh me rëndësi për qytetarët vazhdojnë të mbeten pa miratimin e Kuvendit.
Qeveria pret që vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të japë qartësi të plotë mbi këtë çështje dhe të përcaktojë standardin kushtetues që në të ardhmen institucionet dhe qytetarët mos të përballen me këto pengesa serioze,” thuhet në reagimin e qeverisë.
