Të gjitha fuqitë politike duhet të “respektojnë plotësisht dhe zbatojnë” vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për konstituimin e përbërjes së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit, përndryshe për vendin do të ketë pasoja.
Ky është qëndrimi i ambasadës gjermane në Prishtine sipas të cilës “dështimi për ta respektuar vendimin paraqet kërcënim për mirëqenien e qytetarëve dhe rrugën e integrimit në BE”.
Thirrja e Ambasadës gjermane vjen në kohën kur në Kosovë drejtori gjerman për Ballkanin Perëndimor, zhvilloi takime me presidenten Osmani dhe liderët e partive politike ne vend.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 8 gusht publikoi njoftimin mbi aktgjykimin e saj lidhur me ngërçin politik, duke thënë se deputetët duhet të konstituojnë Kuvendin brenda 30-ditësh dhe se kryetari i ri I kuvendit duhet të zgjidhet përmes votimit të hapur.
Afati kohor prej 30-ditësh nis kur të publikohet aktgjykimi i plotë i Kushtetueses në Gazetën Zyrtare, gjë që ende nuk ka ndodhur.
Kushtetuesja mund të tregojë tani se cilat do të jenë pasojat, nëse deputetët e shpërfillin sërish urdhrin 30-ditor për bërjen e Kuvendit të ri.
Ngërçi politik erdhi pasi asnjëra parti në zgjedhjet e shkurtit nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme. LVV-ja i fitoi 48 vende ne parlament duke humbur gati 10 përqind të mbështetjes se votuesve nga zgjedhjet e kaluara.