Rituali i gjetjes së Personalitet të Vitit për vitin 2023 ka qenë më i lehtë. Zhvillimet e hovshme e plot tensione politike dhe të sigurisë në Veriun e Kosovës që shkaktuan edhe viktima, sipas vlerësimit të Gazetës Express, epitetin e Personalitetit të Vitit padyshim ia rezervojnë Policisë së Kosovës, por jo vetëm për fitoren e saj në Banjskë.
Në vitin 2023 vazhdoi të mbetet e ndezur lufta në Ukrainë, ndërsa një konflikt i ri i përgjakshëm në Lindjen e Mesme, që nisi gati tre muaj më parë, nuk ka të ndalur.
Ndonëse, gjendja aktuale në planet nuk është aq argëtuese, magazina e famshme “Time” nuk i pati në fokus luftërat në botë. Këtë vit, lexuesve të saj ua ofroi si Personalitet të Vitit një personazh nga bota e argëtimit – pra, Personaliteti i Vitit në fuqi, në rrafsh global, aktualisht është Taylor Swift, kantautorja amerikane, 34 vjeçare.
Asaj iu njohën arritjet artistike, kulturore dhe komerciale, ndërsa u përmend edhe pasuria prej 1 miliard dollarësh që ka grumbulluar.
Nuk u harrua edhe një detaj që u regjistrua si rekord – duke u hallakatur në koncertin e saj në Seattle, fansat gjeneruan një aktivitet sizmik të barabartë me një tërmet 2.3 shkallësh.
E “Time” iu drejtua edhe atyre që eventualisht kanë dyshime për përzgjedhjen.
“Nëse jeni skeptik, keni parasysh: Sa biseda keni pasur për Taylor Swift këtë vit? Sa herë keni parë një foto të saj duke lëvizur në telefonin tuaj? A ishit ju një nga njerëzit që bënin pelegrinazh në një qytet ku ajo këndonte? A keni blerë një biletë për koncertin e saj? Keni klikuar dy herë në një postim në Instagram, apo keni qeshur me një postim në Twitter (X) apo keni klikuar mbi një titull për të? A e gjetët veten duke gumëzhirë “Cruel Summer” ndërsa prisnit në radhë në dyqan ushqimor? A iu ka rrëfyer një mik se kanë shikuar klipe të Eras Tour për çdo natë në TikTok? Apo e keni bërë ju?”.
Kështu ka bërë bota. Kështu është matur impakti i këngëtares.
Në Kosovë, sivjet, prioritet dhe temë dominuese ishin ngjarjet politike dhe të sigurisë ku rol dhe ndikim definues pati Policia e Kosovës dhe njësitet e saj, jo vetëm ato elitare, por edhe hetuesit, sikurse edhe patrullat e policisë që iu ekspozuan rrezikut e fatkeqësisht edhe e pësuan.
Policia e Kosovës Personaliteti i Vitit, pse?
Jo shumë kosovarë do të kenë qenë të zgjuar në ora 03:10 në mëngjesin e 24 shtatorit.
Në gjumë ishte edhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti – siç ka rrëfyer vetë ai – kur e kishte zgjuar me një telefonatë Ministri i tij i Brendshëm për t’i treguar se Policia e Kosovës është sulmuar në Banjskë nga një grup paramilitarësh serbë.
Pikërisht në këtë kohë ata që nuk po flinin ishin policët e Kosovës.
Ata ishin duke patrulluar në zonën më problematike të vendit që nuk ka gjetur qetësinë në dy vitet e fundit.
Për t’u ballafaquar me grupin e paramilitarëve, sipas shpjegimeve zyrtare të autoriteteve të Kosovës, kishin shkuar dy njësi policore.
“Me të arritur në lokacion ata janë sulmuar nga paramilitarët të cilët ndodheshin afër barrikadave, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa një polic u plagos”.
Një ditë më vonë në një mbledhjen komemorative që u mbajt në nderim të policit të vrarë në detyrë, Presidentja Osmani i ndau çmimin “Hero i Kosovës” familjes së tij.
Në Banjskë, që atë ditë ishte pika më e nxehtë në rajon, Njësia Speciale për Intervenime të Shpejta e Policisë së Kosovës, kishte arritur shumë shpejt. Në luftimet me terroristët, që zgjatën pothuajse tërë ditën, ata eliminuan tre prej tyre.
Po atë ditë njësitet e policisë kanë shmangur edhe një tragjedi tjetër të përmasave më të mëdha – duke mos i dëmtuar pelegrinët nga Serbia në Manastirin e Banjskës, që atë të diel ndodheshin aty. E që, sipas shumë vlerësimeve, Serbia dhe autorët e sulmit kishin për qëllim të tregonin se cak i forcave të rendit të Kosovës ishin manastiret dhe besimtarët ortodoksë.
Pamjet e grupit terrorist të prirë nga Milan Radoiçiq, një nga kriminelët që e pranoi se e ka organizuar aksionin, të regjistruara nga dronët, u bënë virale, ndërsa në rrjetet sociale bënin xhiro edhe fotografi të pjesëtarëve të Njësisë Speciale që u bënë heronj të ditës.
Pa dyshim se Policia e Kosovës atë ditë ka treguar profesionalizmin, ka mbrojtur dinjitetin e saj, të qytetarëve, si dhe integritetin dhe sovranitetin e vendit.
Krediti për këtë Policisë ia dha nga të gjithë.
“E diela ka qenë një ditë e vështirë për të gjithë neve, por falë profesionalizmit, reagimit të shpejtë të forcave tona të sigurisë, policisë tonë, koordinimit, bashkëpunimit tonë me faktorin ndërkombëtar, erdhi deri te e keqja më e vogël që ka mundur të ndodhë”, kishte thënë ushtaraku Agim Çeku.
Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, katër ditë pas sulmit në një intervistë për Gazetën Express, po ashtu nuk ishte kursyer.
“E përgëzojmë profesionalizmin suprem të trajtimit të situatës nga Policia e Kosovës, e cila shmangi gjakderdhjen e mëtejshme. E gjithë kjo u arrit duke qenë në koordinim të ngushtë me EULEX-in dhe KFOR-in”.
Për atë çfarë bëri atë ditë në Banjskë Policia e Kosovës nuk ka dilema as Profesori Blerim Latifi. Në një intervistë për Gazetën Express ai tha se Banjska për të është fitore policore.
“Çështja tash është se si kjo fitore policore të përkthehet në fitore politike”.
Përveç Banjskës, Policia tregoi veten edhe në fronte tjera.
Incidenti në Banjskë nuk ka qenë arena e vetme ku Policia e Kosovës tregoi rezultate që s’mund t’i mohohen. Natyrisht, ky shkrim nuk synon të tregojë bilancin e saktë të punëve të policisë apo dështimet të cilët po ashtu janë pjesë e punës së saj.
Gjatë muajve të verës, ata kanë realizuar dhjetëra operacione duke konfiskuar armatim, duke arrestuar kriminelë që kontrollonin nëntokën në Veri, duke luftuar kontrabandën që në shumë raste ka përfunduar edhe me shkëmbim zjarri.
Po ashtu, atje janë zbuluar edhe laboratorë droge ndërsa janë arrestuar kultivuesit e tyre.
Në majin e vitit të kaluar, Policia kishte shkatërruar dy laboratorë droge në Izvor, afër kufirit me Serbinë, ku ishin gjetur edhe sasi të mëdha të bimëve narkotike, të llojit marihuanë.
Po ashtu, në prill ishte shkatërruar një laborator droge në Zveçan ku ishin arrestuar katër persona.
Protesta para Qeverisë për shtesat e rrezikshmërisë dhe përgjigjja e Kurtit
Shumë shpejt, pas suksesit në Banjskë, Policia e Kosovës, dy njësi të saj elitare, u bënë lajm me kërkesat e tyre të cilat Kryeministrit Kurti ia bënë në mënyrë të pazakontë. Me uniforma e me maska më 1 nëntor ata u mblodhën para ndërtesës së Qeverisë duke kërkuar rishikimin e kategorizimit për rrezikshmërinë në punë.
Por, kryeministri Kurti nuk u tregua dorëlirë me ta.
“Ju faleminderit pjesëtarëve të NJSI-së për shërbimin ndaj atdheut dhe zbatimin e ligjit”, u tha Kurti atyre me anë të një postimi.
Pastaj, ua kujtoi sa marrin.
“Nevojat, jo vetëm dëshirat, janë përherë e shumë herë më të thjeshta se zgjidhjet. Jetojmë në Kosovë, ku BPV për kokë banori në muaj është rreth 460 euro. E sivjet, 2.134 policë të Kosovës, apo gati 27% morën më shumë se 1.000 euro në muaj mesatarisht. Janë 203 policë të Kosovës që sivjet patën të ardhura më të larta sesa Presidentja e Republikës (1.890 euro bruto, koeficienti 18), e në muajt qershor e korrik ishin afër 700 sosh (ku sigurisht bëjnë pjesë shumica absolute e pjesëtarëve të NjSI).
“Secili pjesëtar i NJSI-së ka pajisje në vlerë prej afër 10 mijë euro”, shtoi ai.
Por, jo vetëm pjesëtarë të Njësisë Speciale i janë ekspozuar rrezikut.
Në qershor të këtij viti në mënyrë brutale njësi speciale të Serbisë, sipas të gjitha gjasave, kishin hyrë brenda territorit të Kosovës duke i kidnapuar tre policë të Kosovës që po patrullonin në zonën kufitare me Serbinë.
Pas ndërhyrjes ndërkombëtare, ata fatmirësisht ishin liruar dhe kthyer në shtëpi pas 12 ditësh.
Policia e Kosovës është përballur me rreziqe edhe pas urdhrit të Kryeministrit Kurti për t’i çuar në zyrat e tyre kryetarët e komunave në Veri.
Prania e tyre atje është bërë arsye që Kosova është sanksionuar nga Bashkimi Europian.
Kërkesa e tyre që policët nga zonat përreth objekteve të komunave si masë ‘deeskaluese” mbetet në fuqi.
Kur raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, kishte shkuar në Zvecan për vizitë në fund të majit, një polici që po bënte detyrën e tij iu ishte drejtuar në mënyrë të pahijshme.
“Çka dreqin ju solli këtu, ku është kërcënimi?”.
Për të marrë një përgjigje pastaj nga polici.
“Ne vetëm po i zbatojmë urdhrat dhe jemi këtu për t’i mbrojtur të gjithë pa dallim sikur shqiptarët edhe serbët”.
Policia e Kosovës efektive në hetimin e krimeve ordinere
Krime të tmerrshme kanë tronditur Kosovën sivjet.
Policia është treguar efektive në disa raste që morën vëmendje të madhe.
Ata ia dolën t’i gjejnë dhe t’i kapin shpejt grabitësit e armatosur në Suharekë pasi i kishte lokalizuar në një lagje në Prishtinë dhe njërin prej tyre ta eliminojnë.
Njëri prej grabitësve është në arrati dhe është shpallë në kërkim.
Por, as në ballafaqimin me ta policët s’kishin shpëtuar pa e rrezikuar jetën.
Vetura e patrullës së policisë që ishte ballafaquar me rastin ishte qëlluar me 12 plumba, ndërsa njëri prej policëve ishte plagosur lehtë.
Rasti tjetër ku Policia e Kosovës ka bërë një punë të shkëlqyeshme është ai i hetimit të vrasjes së rëndë të Liridona Ademajt.
Ata s’ishin bindur nga rrëfimi i Naim Murselit, i cili hetuesve u kishte thënë se dikush ka tentuar ta grabisë atë derisa ai me fëmijët kishte ikur, ndërsa Liridona që kishte rezistuar ishte vrarë.
Për këtë episod ka rrëfyer ka rrëfyer të premten në Frontal të T7, Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha.
“Policia ka arritur të sigurojë mjaftueshëm prova për të bindur Prokurorinë dhe gjyqtarët që këtu kemi të bëjmë me një vrasje të planifikuar edhe me njerëz që kanë kryer ekzekutimin e kësaj vrasje edhe njerëz që e kanë porositur”, ka thënë ai.
Por, rasti i hetimit të vrasjes ende s’ka përfunduar. Hoxha ka thënë se po bashkëpunojnë edhe me policinë suedeze.
“Mund të ketë arrestime tjera varësisht nga zhvillimet që mund t’i nxjerrim, sepse duhen ekzaminime. Andaj, s’mund të paragjykojë a do të ketë apo s’do ketë. Mirëpo, s’mund të themi se kjo është e tëra, sepse hetimet do të vazhdojnë tutje, por pothuajse është sqaruar e tëra, sigurimi i armës, gjetja e personit që do ta kryejë vrasjen…”.
Por, puna që ka bërë sivjet ky institucion si duket është vërejtur edhe nga qytetarët.
Hoxha thotë se sivjet policia është institucioni më i besueshëm nga qytetarët.
“Deri më tash ka qenë FSK’ja derisa Policia ka qenë e renditur e dyta. Mirëpo në bazë të një raporti hulumtues që është bërë sivjet nga UNDP, informacionet tona që kemi pranuar nga shefi i kësaj organizate, na thonë se polica këtë vit është institucioni më i besueshëm në Kosovë”.
Por, edhe pse një institucion që ka arritur ta bëjë punën në mënyrë të pavarur edhe nga politika, Hoxha që drejton Policinë me rreth 10 mijë pjesëtarë është i vetëdijshëm se Policia ndonjëherë mund të mos pëlqehet.
“Një mik imi thotë 10 mijë veta akullore me shit, pa u anku dikush s’ka me lonë”.
Me urimin për Policinë e Kosovës, Gazeta Express ua uron të gjithë qytetarëve Vitin e Ri 2024.