Në Dhomat e Specializuar të Kosovës në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 10 i mbrojtjes, Safet Gashi, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës.
Dëshmitari Safet Gashi, ka thënë se nuk e di që UÇK-ja ka arrestuar apo ndaluar dikë. Ai tha se UÇK-ja nuk ka pasur të bëjë asnjëherë me civilë.
“Sa më kujtohet mua, kurrë nuk ka të bëjë me civilë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Sa e di, kurrë me civilë nuk ka pas të bëjë. S’kemi pas të bëjmë me civilë kurrgjë, pos me ushtarë serbë në uniformë. Civilë as serbë nuk kemi arrestuar, le më civilë shqiptarë”, ka theksuar dëshmitari Gashi.
Pas kësaj, me kërkesën e mbrojtjes së Pjetër Shalës, seanca kaloi në sesion privat për publikun.
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Safet Gashi, i cili po dëshmon në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka theksuar se nuk e ka njohur Pjetër Shalën gjatë kohës së luftës. Ai ka thënë se Shalën nuk e ka parë ndonjëherë gjatë asaj kohe.
I pyetur se a kishte parë ndonjë uzinë të Fabrikës në Kukës, dëshmitari ka mohuar një gjë të tillë dhe tha se nuk kishte informacion nëse kishte ndonjë Shtab tjetër të UÇK-së në këtë qytet.
Dëshmitari ka thënë se nuk i kujtohet se kur i është bashkuar UÇK-së, mirëpo një gjë të tillë e ka bërë për të luftuar kundër forcave serbe.
Ndryshe, gjatë marrjes në pyetje të këtij dëshmitari nga ana e mbrojtjes së Shalës, përfaqësuesit e ZPS-së thanë se ai po bën pyetje sugjestive. Vërejtjen ia tërhoqi edhe kryetarja e trupit gjykues, MappieVeldt-Foglia.
“Nuk na ndihmon të marrim në pyetje dëshmitarin duke bërë pyetje sugjestive”, i tha kryetarja e panelit gjykues avokatit Jean-Louis Gilissen.