Forcohet pasaporta e Kosovës, nga renditja 108 në vendin e 65, Albin Kurti: Pasaporta e Republikës së Kosovës më e fuqishme se kurrë më pare, rezultat i angazhimit të qeverisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se pasaporta e Republikës së Kosovës është më e fuqishme se kurrë më parë sipas raportit vjetor në Indeksin e Pasaportave Henley. Përmes një deklarate në rrjetet sociale, Kurti ka thënë se Kosova ka kaluar nga vendi i 108-të në vitin 2021, në vendin e 65-të.

Kryeminisri i Kosovës është shprehur se ky është një rezultat, i cili ka ardhur si pjesë e një angazhimi maksimal të qeverisë në këtë mandat. Në fund, Kurti ka thënë se pasaporta e Kosovës po bëhet më e njohur në arenën ndërkombëtre dhe se qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë në shumë vende pa viza.

“Pasaporta e Republikës së Kosovës më e fuqishme se kurrë më parë sipas raportit vjetor në Indeksin e Pasaportave Henley. Kosova ka kaluar nga vendi i 108-të në vitin 2021, në vendin e 65-të. Edhe në krahasim me vitin e kaluar Kosova ka pasur ngritje në raportin përfundimtar vjetor, gjersa kemi qenë në vendin e 68-të. Përveçse është rezultati më i mirë ndonjëherë në këtë indeks vjetor dhe dëshmi e forcimit të shtetësisë sonë, rankimi është tregues edhe i angazhimit tonë si qeveri në këtë mandat: nga liberalizimi i vizave me zonën Shengen e deri te puna intensive diplomatike me shumë shtete anekënd botës për të mundësuar lëvizjen e lirë. Me pasaportën tonë e cila po bëhet më e njohur ndërkombëtarisht, përfaqësohemi dinjitetshëm, udhëtojmë në më shumë vende pa viza dhe fuqizojmë republikën tonë”, shkruan Albin Kurti.


Shtuar 17.10.2025 19:39