Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se e ardhmja e Kosovës është e orientuar fuqishëm drejt Bashkimit Evropian. Një ditë pas zgjedhjeve, me anë të një postimi në platformën X, Kurti falënderoi të gjithë qytetarët që ushtruan të drejtën e tyre për të votuar, si dhe të gjithë ata që kontribuuan për një proces zgjedhor të lirë, të drejtë dhe pa incidente.
Ndër të tjera, Kurti tha se qytetarët e Kosovës i dhanë një mandat të fuqishëm, duke theksuar se është nder të fitosh besimin e popullit, veçanërisht pas përfundimit të mandatit të parë të plotë në historinë e vendit.
“Jemi mirënjohës për mbështetjen ndërkombëtare gjatë gjithë këtij procesi, nga Bashkimi Evropian, vendet individuale dhe organizatat ndërkombëtare, të cilat vazhdojnë të mbështesin përparimin demokratik të Kosovës. E ardhmja e Kosovës është e begatë dhe e orientuar fuqishëm drejt Bashkimit Evropian,” deklaroi Kurti.
