Categories: kosovë

Ekspertët për gjykatat kushtetuese: Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë, por nuk e zëvendëson gjyqtarin

Me rastin e 17-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ekspertë nga Kosova, Shqipëria dhe Evropa shqyrtuan standardet ndërkombëtare, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe rolin e Komisionit të Venecias. Ata theksuan se teknologjia mund t’i shërbejë drejtësisë, por vendimmarrja dhe autoriteti gjyqësor duhet të mbeten njerëzore.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës shënoi përvjetorin e themelimit me një konferencë ndërkombëtare, ku ndër çështjet kryesore të trajtuara ishin interpretimi i Kushtetutës, standardet ndërkombëtare dhe ndikimi i inteligjencës artificiale në drejtësi.

Të lidhura

None found

Paneli i parë, i titulluar “Standardet ndërkombëtare dhe interpretimi kushtetues”, mblodhi përfaqësues të gjykatave kushtetuese dhe ekspertë juridikë. Diskutimi u përqendrua te kontributi i standardeve ndërkombëtare në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe sfidat e reja të sistemeve gjyqësore.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Letonisë, Irēna Kucina, tha se rendi kushtetues i Kosovës u hap rrugë standardeve të së drejtës ndërkombëtare. Ajo veçoi Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut si burime të rëndësishme për interpretimin e Kushtetutës.

Kucina, megjithatë, paralajmëroi se standardet ndërkombëtare nuk zënë vendin e Kushtetutës dhe se detyrimet ndërkombëtare nuk duhet të shërbejnë për të anashkaluar rendin kushtetues.

“Standardet ndërkombëtare nuk mund ta zëvendësojnë Kushtetutën dhe jo çdo koncept ndërkombëtar mund të përfshihet automatikisht në të drejtën e brendshme kushtetuese. Kështu, një shtet nuk mund ta përdorë Kushtetutën e tij si një arsye të lehtë për t’u shmangur nga detyrimet ndërkombëtare”, deklaroi Kucina.

Përmes platformës Zoom, konferencës iu drejtua edhe Fiona Papajorgji, kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe e Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane. Ajo vuri theksin te rëndësia e gjykatave kushtetuese në kohë krizash, tensionesh dhe polarizimi shoqëror.

Sipas Papajorgjit, kur shoqëritë dhe institucionet përballen me pasiguri, bëhet veçanërisht e rëndësishme që gjykatat të ruajnë respektimin e Kushtetutës dhe të mbrojnë të drejtat themelore.

“Në një botë të shënuar nga luftëra, tensione dhe mobilizim qytetar, Gjykata Kushtetuese ka një rol të veçantë: të garantojë që edhe në kohë pasigurie dhe polarizimi, pushteti të ushtrohet brenda kufijve të Kushtetutës dhe të drejtat themelore të mbeten të mbrojtura”, theksoi Papajorgji.

Ajo shtoi se gjykatat kushtetuese përballen së bashku me detyrën për ta mbajtur Kushtetutën si një instrument të gjallë, që mund t’u përgjigjet ndryshimeve dhe sfidave të shoqërive demokratike.

Edhe zbatimi i inteligjencës artificiale në drejtësi zuri vend në diskutime. Qerim Qerimi, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe ish-anëtar i Komisionit të Venecias për Kosovën, vlerësoi se teknologjia mund t’u lehtësojë punën profesionistëve të ligjit, por nuk mund të marrë përsipër detyrat që ushtrohen me autoritet gjyqësor.

Ai përmendi klasifikimin e dokumenteve, sistemimin e informacionit juridik dhe zbulimin e modeleve në praktikën gjyqësore si fusha ku mund të përdoret inteligjenca artificiale. Por, sipas tij, ndihma në analizën juridike duhet të ndahet qartë nga vendimmarrja mbi mënyrën e zbatimit të ligjit.

“Ekziston një dallim i thellë mes përdorimit të inteligjencës artificiale për të kuptuar ligjin dhe përdorimit të saj për të përcaktuar se si duhet të zbatohet ligji. E para lidhet me informacionin, ndërsa e dyta me autoritetin”, deklaroi Qerimi.

Qerimi nënvizoi se autoriteti i gjyqësorit përcaktohet nga normat kushtetuese dhe nuk mund t’i kalojë një algoritmi, i cili rrezikon ta interpretojë ose ta zbatojë ligjin në mënyrë të gabuar. Ai theksoi gjithashtu se siguria juridike është e rëndësishme për t’i bërë rregullat e qarta dhe të parashikueshme.

Një tjetër temë e panelit ishte ndikimi i Komisionit të Venecias në zhvillimin dhe interpretimin e së drejtës kushtetuese. Nënkryetarja e tij, Renata Deskoska, tha se ky institucion është bërë pikë referimi për gjykata kushtetuese, parlamente, qeveri dhe institucione të tjera, në Evropë dhe më gjerë.

Deskoska sqaroi se Komisioni i Venecias nuk është gjykatë dhe as organ që monitoron zbatimin e traktateve. Megjithatë, rekomandimet dhe qëndrimet e tij kanë shtuar ndikimin në të drejtën kushtetuese, duke i ndihmuar institucionet të interpretojnë standardet juridike.

“Sot, Komisioni i Venecias është pjesë e së drejtës së butë (soft law) dhe mund të ketë ndikim të konsiderueshëm interpretues. Me terminologjinë moderne, madje mund ta quajmë Komisionin e Venecias një ndikues në të drejtën kushtetuese. Megjithatë, ky ndikim nuk mbështetet në fuqinë për të imponuar qëndrime, por në aftësinë për të bindur”, tha Deskoska.

Diskutimi evidentoi sfidat e gjykatave kushtetuese në një mjedis gjithnjë e më kompleks, ku takohen detyrimet ndërkombëtare, mbrojtja e të drejtave themelore dhe përparimi teknologjik. Përfundimi i përbashkët ishte se standardet ndërkombëtare dhe teknologjitë e reja mund ta ndihmojnë drejtësinë, por sundimi i ligjit kërkon Kushtetutë të zbatuar, siguri juridike dhe ruajtje të autoritetit të gjyqtarit.

të fundit

PSG-ja përballet me rrezikun e ndëshkimit nga UEFA pas koreografisë kundër Barcelonës

PSG-ja rrezikon të ndëshkohet nga UEFA pas koreografisë kontroverse të tifozëve të saj në ndeshjen ndaj Barcelonës, të fituar 4-2…

27 seconds ago

Apeli cakton orë të re për seancën e çështjes së vrasjes së Liridona Ademajt

Gjykata e Apelit njoftoi se seanca gjyqësore lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, e caktuar për 29 tetor…

2 minutes ago

Juventusi planifikon të ardhme të madhe për Arman Durimishin, Shqipëria shpreson te talenti shqiptar

Arman DurmishiVetëm 18 vjeç, por Arman Durimishi po bind gjithmonë e më shumë te Juventusi [...]Read More...

4 minutes ago

A po kthehet vëmendja e Uashingtonit te dialogu Kosovë–Serbi dhe a do të shoqërohet me presion të vërtetë ndaj Beogradit për ta njohur Kosovën?

Pas një periudhe të gjatë ngecjeje, dialogu Kosovë–Serbi po rikthehet në vëmendjen e OKB-së dhe të SHBA-së, duke ngritur pritshmëri…

5 minutes ago

Lewandowski veçon Yamal për Topin e Artë, por ngre në piedestal edhe Olisen

Robert Lewandowski ka përzgjedhur ish-bashkëlojtarin e tij te Barcelona, Lamine Yamal, si një nga favoritët për ta fituar ‘Topin e…

6 minutes ago

Humbja 4-1 ndaj Comos vë në rrezik Carrickun, Emery ndër kandidatët për stolin e Man Utd

Unai Emery është shfaqur si një nga kandidatët kryesorë për ta marrë drejtimin e Manchester Unitedit, në rast se klubi…

6 minutes ago