Dua Lipa merr shtetësinë e Kosovës, Osmani: Krenare gjithmonë me ty

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i ka dhënë shtetësinë e Republikës së Kosovës këngëtares me famë botërore, Dua Lipës. Me anë një postimi në rrjetin social Facebook, Osmani u shpreh se ky është një nder i veçantë për vendin, duke theksuar se është një nga personalitetet më të rëndësishme kulturore dhe artistike në historinë e Kosovës.

Osmani gjithashtu vlerësoi kontributin e Lipës në promovimin e Kosovës ndërkombëtarisht, në fuqizimin e të rinjve dhe në përkrahjen e artit vendor.

Postimi i Vjosa Osmanit:

Mirë se erdhe në shtëpi, Dua! Nder i veçantë që sot, me dekret presidencial, t’ia jap shtetësinë e Republikës së Kosovës, Dua Lipës, një prej personaliteteve më të rëndësishme kulturore dhe artistike në historinë e vendit tonë. Dua dhe Kosova kanë qenë gjithmonë të pandashme.

Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga zërat më të fuqishëm në skenat më të mëdha të botës, duke bërë histori me të arriturat e saj dhe duke u shndërruar në inspirim për miliona njerëz anekënd globit. Mirënjohja jonë është e pafund për gjithçka që Dua ka bërë dhe vazhdon të bëjë për Kosovën, për rininë tonë, për artin tonë dhe për imazhin ndërkombëtar të vendit tonë. Dua, Kosova është gjithmonë krenare me ty!


Shtuar 31.07.2025 22:37