Categories: kosovë

Drizan Shala ngre alarmin: Kamerat ilegale në veri të Mitrovicës mund t’i shërbejnë inteligjencës serbe

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka paralajmëruar se rrjeti i kamerave të instaluara ilegalisht në veri të Kosovës mund të përbëjë një sistem për grumbullimin e të dhënave të inteligjencës në kohë reale.

Të lidhura

None found

Ai thotë se pajisje të tilla mund të përdoren për të vëzhguar lëvizjet e Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it. Në këtë mënyrë, aktorët që kërkojnë të sfidojnë institucionet e Kosovës mund të sigurojnë epërsi në informacion.

Shala e ka vlerësuar ndërhyrjen e Policisë së Kosovës për çmontimin e kamerave, por ka kërkuar që hetimi të mos ndalet vetëm te largimi i tyre. Sipas tij, duhet të identifikohen organizatorët, financuesit dhe personat që kanë administruar rrjetin, si dhe të hetohet çdo lidhje e mundshme me strukturat shtetërore serbe.

Eksperti ka theksuar se sqarimi i këtyre elementeve do të përcaktojë nëse bëhet fjalë për një rast të veçuar apo për një operacion më të gjerë të luftës hibride të drejtuar kundër Kosovës.

Shkrimi i plotë:

Serbia kërkon sy elektronikë në veri, pasi nuk ka më struktura në terren!

Kur Serbia humbet mundësinë për të vepruar nëpërmjet strukturave të veta në terren, aktivitetin e orienton drejt instrumenteve të luftës hibride. Kjo qasje nuk është e panjohur, por paraqet zhvillim të metodave për sigurimin e inteligjencës. Rrjetet tradicionale të vëzhgimit po zëvendësohen me teknologji që mundëson mbikëqyrje dhe prani të pandërprerë informative. Nga ky këndvështrim duhet analizuar çdo sistem kamerash i vendosur pa leje në veri të Kosovës.

Nëse pajisjet janë të pajisura me SIM kartela funksionale dhe kanë internet të paguar, me qëllim që të transmetojnë 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, atëherë ato nuk mund të konsiderohen kamera të zakonshme regjistrimi. Një sistem i tillë ka kapacitetin të sigurojë inteligjencë në kohë reale dhe të mbikëqyrë vazhdimisht zonën ku operojnë institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë.

Qëllimi nuk kufizohet te vrojtimi i ngjarjeve në rrugë. Përmes këtij monitorimi mund të krijohet një tablo e detajuar operative për lëvizjet e Policisë së Kosovës, mënyrën e reagimit taktik, oraret e patrullave, vendndodhjen e pikave të kontrollit dhe procedurat e veprimit. Po ashtu, mund të ndiqen aktivitetet e KFOR-it, EULEX-it dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë që ndihmojnë në garantimin e paqes dhe stabilitetit. Të dhënat e mbledhura mund t’u shërbejnë për analizë, planifikim dhe koordinim aktorëve që synojnë të vënë në pikëpyetje autoritetin institucional të Republikës së Kosovës.

Për këtë arsye, heqja e kamerave nuk duhet parë vetëm si ndërhyrje teknike ose administrative. Ajo mund të përfaqësojë goditjen e një infrastrukture të ngritur për grumbullimin e inteligjencës. Në konfliktet moderne, dominimi mbi informacionin ka të njëjtën peshë me kontrollin e territorit. Monitorimi i forcave të sigurisë krijon përparësi informative, e cila mund të shfrytëzohet për t’iu shmangur operacioneve policore, për të njoftuar paraprakisht rrjetet kriminale ose për të hartuar një pasqyrë të plotë të kapaciteteve të shtetit.

Policia e Kosovës duhet vlerësuar për goditjen e çdo sistemi të këtij lloji, megjithatë çështja nuk mbyllet me çmontimin e pajisjeve. Hetuesit duhet të arrijnë te personat që e kanë organizuar, financuar dhe menaxhuar rrjetin. Duhet të sqarohet se kush i paguan SIM kartelat dhe trafikun e internetit, ku dërgohen të dhënat dhe nga kush analizohen ato. Duke marrë parasysh mënyrën se si janë zhvilluar deri tani operacionet hibride kundër Republikës së Kosovës, ndër pistat kryesore duhet të jetë kontrollimi i çdo raporti me strukturat shtetërore të Serbisë, përfshirë rrjetet e inteligjencës të ndërlidhura me Agjencinë e Inteligjencës së Sigurisë së Serbisë (BIA).

Nëse autoritetet përgjegjëse arrijnë të dëshmojnë një ndërlidhje të tillë, rasti nuk do të mund të trajtohej më si veprimtari e izoluar kriminale. Ai do të përbënte një operacion të organizuar për mbledhjen e inteligjencës, të përkrahur nga një shtet.

Në këtë pikë lindin disa çështje me peshë strategjike. Duhet zbuluar se kush i instaloi kamerat dhe kush e kishte në dorë administrimin e tyre. Duhet sqaruar gjithashtu nëse, pavarësisht shpërbërjes së strukturave të ashtuquajtura të “Mbrojtjes Civile”, vazhdojnë të ekzistojnë në terren rrjete njerëzore vëzhgimi që financohen dhe koordinohen.

Një tjetër pyetje është nëse operacioni u krye përmes një bashkërendimi të plotë ndërinstitucional. Po ashtu, duhet përcaktuar roli që kanë mekanizmat e inteligjencës së KFOR-it dhe strukturat monitoruese të EULEX-it në zbulimin dhe pengimin e infrastrukturave të tilla përpara konsolidimit të tyre. Mbi të gjitha, duhet hetuar nëse brenda Republikës së Kosovës veprojnë ende individë apo rrjete që bashkëpunojnë me strukturat shtetërore të Serbisë, duke siguruar ndihmë logjistike, teknike ose operative për aktivitete të këtij karakteri.

Sqarimi i këtyre pyetjeve ka rëndësi shumë më të madhe sesa vetëm largimi i kamerave. Përgjigjet do të dëshmojnë nëse kemi përballë një ngjarje të izoluar apo një strukturë më të gjerë të inteligjencës hibride, e cila vazhdon aktivitetin në veri të Kosovës nëpërmjet teknologjisë, rrjeteve mbështetëse dhe bashkëpunëtorëve nga vendi.

Kërcënimet me të cilat përballet Kosova nuk janë më vetëm të natyrës tradicionale. Sfida e sotme lidhet me luftën hibride, ku kamerat, rrjetet celulare, platformat e komunikimit dhe mjetet teknologjike shërbejnë për sigurimin e informatave dhe rrezikimin e sigurisë kombëtare. Çdo pajisje e instaluar ilegalisht duhet të konsiderohet kërcënim i mundshëm për rendin kushtetues dhe për mundësinë e institucioneve të sigurisë që të veprojnë pa u vëzhguar nga aktorë armiqësorë.

Lufta hibride nuk bëhet vetëm përmes armëve. Ajo zhvillohet edhe duke përdorur informacionin, teknologjinë dhe rrjetet e padukshme që kanë si synim sfidimin e sovranitetit shtetëror.

të fundit

Kocka zbulohen në Kalludër, Kurti u kërkon SHBA-së, BE-së dhe Britanisë të shtojnë trysninë ndaj Serbisë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njoftoi se gjatë gërmimeve në varrezën masive në Kalludër të Zubin Potokut u zbuluan kocka.…

7 minutes ago

Aksident në një minierë në Bulqizë, dyshohet për një viktimë

Një aksident i rëndë ka ndodhur në një minierë në Bulqizë, ndërsa dyshohet edhe për një viktimë. Ngjarja ka ndodhur…

13 minutes ago

Zjarr në Drenovë të Mallakastrës/ Rrezikohen banesat, tymi mbulon zonën

Një vatër e fuqishme zjarri është aktivizuar në zonën e Drenovës, në Mallakastër, ndërsa flakët po përhapen me shpejtësi dhe…

19 minutes ago

Publikohet lista e parë institucionale e viktimave të luftës, Haxhiu: Deri më tani janë dokumentuar 12.230 persona

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh ushtruese e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se Instituti i…

29 minutes ago

“Është trofeu im dhe bëj çfarë të dua me të”, Benjamin Mendy nxjerr në shitje kopjen e Kupës së Botës

Ish-lojtari i kombëtares franceze, Benjamin Mendy, 32 vjeç, ka nxjerrë në ankand një kopje të trofeut që mori në vitin…

29 minutes ago

Selenica Opposes Merger with Vlora, Bellaj: We Meet the Criteria to Remain a Separate Municipality

Kryetari i Bashkisë së Selenicës, Nertil Bellaj, ka reaguar këtë të shtunë përmes një deklarate në rrjetin social Facebook, ndaj…

33 minutes ago