Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit, i cili dyshohet për veprat penale të “Spiunazhit” dhe “Shantazhit”.
None found
Rasti ka rikthyer në vëmendje diskutimet për veprimtarinë e shërbimeve serbe në Kosovë. Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, tha se kjo çështje nuk duhet të trajtohet si një rast i izoluar, pasi në Kosovë janë konfirmuar disa raste spiunazhi, përfshirë edhe raste për të cilat tashmë janë dhënë vendime të formës së prerë.
Fetoshi deklaroi se të dhënat e publikuara për rastin Sheholli flasin për përfshirjen e strukturave shtetërore të Serbisë dhe të BIA-s në operacione ndikimi brenda Kosovës. Sipas tij, këto veprime janë pjesë e strategjisë hibride që Instituti Octopus ia atribuon Serbisë kundër Kosovës.
“Ajo që pamë sot, të raportuar nga mediat, për rastin e Shehollit, e shpërfaq qartazi angazhimin me interes të veçantë të strukturave shtetërore të Serbisë, të mbështetura në mënyrë ekzekutive nga BIA, për operacione të ndikimit brenda Kosovës”, tha Fetoshi.
Ai vlerësoi se synimi i këtyre strategjive është destabilizimi i vendit, shtimi i polarizimit politik e shoqëror dhe dobësimi i besimit të qytetarëve te institucionet e Kosovës. Në këtë kuadër, Fetoshi përmendi edhe narrativat që lidhen me radikalizmin fetar dhe përpjekjet për ta paraqitur Kosovën si një vend të prekur nga ekstremizmi islamik.
“Këto konsistojnë në destabilizimin e vendit tonë, në thellimin e polarizimit në vendin tonë, në rritjen e mosbesimit ndaj institucioneve të vendit tonë”, tha ai.
Sipas drejtorit të Institutit Octopus, lufta kundër spiunazhit është e ndërlikuar dhe kërkon bashkërendim mes AKI-së, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit. Ai paralajmëroi se rastet e zbuluara mund të përfaqësojnë vetëm një pjesë të një dukurie më të gjerë.
“Kosova me këto raste tashmë ka dëshmuar kapacitete për të neutralizuar kërcënimin që vjen nga rrjetet e spiunazhit”, tha Fetoshi.
Politologu Dorajet Imeri e konsideroi ngritjen e aktakuzës ndaj Shehollit dëshmi se institucionet e drejtësisë e kanë trajtuar çështjen në mënyrë profesionale. Megjithatë, ai theksoi se Kosova vazhdon të jetë e ekspozuar ndaj përpjekjeve të Serbisë për të ndikuar në zhvillimet politike, shoqërore dhe ekonomike.
Imeri nënvizoi se ndikimi i mundshëm serb nuk shfaqet vetëm në fushën e sigurisë. Sipas tij, ai prek edhe imazhin e Kosovës, pozicionin e saj ndërkombëtar, stabilitetin e brendshëm politik dhe qëndrueshmërinë e institucioneve.
“Sa e ekspozuar është Kosova në raport me Serbinë dhe sa shumë stresuese është përpjekja e Serbisë për të penguar të gjitha proceset politike, shoqërore dhe ekonomike që ka vendi ynë”, shtoi Imeri.
Ai e cilësoi si inkurajues faktin që institucionet e sigurisë kanë identifikuar dhe arrestuar persona të dyshuar për spiunazh. Bashkëpunimin mes Policisë, AKI-së dhe Prokurorisë e quajti të domosdoshëm, por shtoi se për rastin konkret duhet pritur vendimi i gjykatës.
Hulumtuesi i Hibrid.info, Festim Rizanaj, u ndal te roli i propagandës dhe narrativave serbe. Ai tha se polarizimi politik e shoqëror në Kosovë krijon terren që këto narrativa të përdoren edhe në përplasjet e brendshme politike dhe ideologjike.
“Ky polarizim shoqëror edhe politik po e krijon një lloj vakumi që, deshe apo s’deshe, pa ndonjë qëllim të caktuar, edhe dikush tjetër po i përdor këto narrativa për ta sulmuar kundërshtarin e vet politik të brendshëm”, tha Rizanaj.
Rizanaj tha se propaganda serbe ka një vijimësi dhe se narrativat e saj shpesh ndërthuren me zhvillime konkrete në Kosovë. Ai përmendi në veçanti çështjet që lidhen me komunitetin serb, pretendimet për sulme ndaj trashëgimisë fetare dhe narrativat për radikalizmin islam.
Sipas tij, një pjesë e këtyre mesazheve synon ta paraqesë komunitetin serb në Kosovë si viktimë, ndërsa ky perceptim më pas përdoret në arenën ndërkombëtare për të ndikuar në mënyrën e trajtimit të Kosovës.
“Këto janë ato elementet kryesore nëpërmjet të cilave Serbia mundohet me paraqit komunitetin serb këtu si viktimë, këtë me shit në gjeopolitikë, në arenën ndërkombëtare”, u shpreh Rizanaj.
Publicisti Sadik Zeqiri foli për të kaluarën e Fatmir Shehollit dhe për pretendimet mbi lidhjet e tij me shërbimet inteligjente serbe. Sipas Zeqirit, Sheholli ka pasur kontakte dhe bashkëpunim me struktura serbe para dhe gjatë luftës në Kosovë.
“Ai e ka pranuar vetë që ka qenë pjesë e shërbimeve inteligjente të Serbisë, gjatë dhe para luftës në Kosovë”, tha Zeqiri.
Zeqiri shtoi se Sheholli ka bashkëpunuar me BIA-n serbe dhe se ka qenë i angazhuar në institucione të ndryshme ku kanë pasur rol partitë serbe.
Zjarri në Shashicë të Vlorës ka marrë përmasa të mëdha për shkak se favorizohet edhe nga era. Ndërsa ndërhyrja e…
Ndonjëherë dëshira për t’u larguar nga gjithçka nuk do të thotë se problemi është aty ku mendoniKa momente kur na…
Një aksident tragjik ndodhi në Aeroportin Ndërkombëtar Montreal-Trudeau në Kanada, ku një punonjës i kompanisë së shërbimeve tokësore humbi jetën…
Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur situatën e zjarreve në vend, të përditësuar deri në orën 20:00 të kësaj…
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se nesër do të ketë kufizim të përkohshëm të qarkullimit për automjetet e…
Spekulime të shumta rreth qëllimit të vizitës së drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë. [...]Read More...