Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që të votojë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
None found
Reagimi i saj vjen një ditë pasi Qeveria e ka rikthyer në Kuvend projektligjin e sponsorizuar nga PDK-ja. Deliu ka deklaruar se, nëse ky projektligj miratohet, partia e saj do t’i vërë në dispozicion 22 votat për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Duke folur në emisionin “Intervista e javës” në KosovaPress, ajo ka thënë se miratimi i plotësim-ndryshimeve në dy lexime mund të krijojë bazën për një marrëveshje politike rreth presidentit. Sipas saj, Kosovës i duhet stabilitet dhe një figurë që mund t’i afrojë subjektet politike.
“Nëse në Kuvend miratohet në dy lexime plotësim-ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, Partia Demokratike e Kosovës do t’i ketë 22 votat në dispozicion për zgjedhjen e presidentit. Besojmë se, kur qytetarët kanë nevojë, duhet të gjendet një kandidat që ndihmon stabilitetin. Edhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian kanë bërë thirrje për stabilitet, ndërsa Kosova sot ka më shumë se kurrë nevojë për stabilitet politik. Për ta arritur atë, partia që ka marrë numrin më të madh të mandateve duhet të reflektojë”, ka deklaruar Deliu.
E pyetur se kush mund të ishte një kandidat i pranueshëm për LVV-në dhe PDK-në, deputetja nuk ka dhënë emër konkret. Ajo ka theksuar se presidenti duhet të jetë person që bashkon forcat politike dhe parandalon shkuarjen në zgjedhje të reja parlamentare.
“Nuk mund të them se nga cili subjekt duhet të vijë ai emër, por të gjithë duhet të tregojmë përgjegjësi ndaj situatës dhe momentit politik. Duhet të jetë dikush që i afron forcat politike, në mënyrë që vendi të mos shkojë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare. Ende nuk kemi arritur te çështja e presidentit, ndaj nuk mund të flas më konkretisht. Dua të besoj se ekziston vullneti për bashkim, jo domosdoshmërisht rreth parimeve, por rreth vullnetit që i duhet Kosovës në këtë kohë”, është shprehur ajo.
Deliu ka nënvizuar se PDK-ja nuk i sheh zgjedhjet e reja si zgjidhje, por njëkohësisht nuk do të votojë vendime që, sipas saj, do ta shndërronin partinë në mbështetëse të pushtetit të LVV-së.
“Nëse nuk arrihet marrëveshje, ne nuk dëshirojmë zgjedhje, sepse ato nuk i shërbejnë stabilitetit. Por nuk mund të bëhemi mbështetje e vendimeve të askujt dhe as zgjatim i një pushteti që po rritet. Nëse partitë që kanë marrë më shumë ulëse reflektojnë dhe e dëshmojnë me hapa konkretë shqetësimin e tyre për zhvillimet në Hagë, pa tentuar të krijojnë përshtypjen se këto janë çështje të zakonshme të politikës ditore, atëherë ne nuk do të kemi rrugë tjetër”, ka deklaruar Deliu.
Sa i përket mundësisë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja në nëntor, nëse nuk zgjidhet presidenti, Deliu ka thënë se aktgjykimi i 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të ndikojë në mënyrë të pashmangshme në fushatën zgjedhore.
Ajo ka përmendur inflacionin, gjendjen në shëndetësi, arsimin dhe raportet me partnerët ndërkombëtarë si disa nga problemet kryesore të Kosovës. Megjithatë, sipas saj, përtej vështirësive ekonomike e sociale, vendi po përballet edhe me rrezikun që historia e luftës të interpretohet në mënyrë të pafavorshme për Kosovën.
“Edhe nëse mbahen zgjedhje, procesi nuk mund ta anashkalojë aktgjykimin e datës 16. Qytetarët kanë nevoja të shumta: inflacioni është shumë i lartë, jeta është rënduar më tepër se kurrë, shëndetësia është në kolaps, ndërsa rezultatet e fundit të PISA-s tregojnë problemet në arsim. Edhe marrëdhëniet me partnerët janë më të cenuara dhe mirëqenia e qytetarëve është prekur. Por krahas gjithë këtyre problemeve, po vihet në rrezik edhe historia jonë, pasi mund të cilësohemi si një ndërmarrje e përbashkët kriminale. Edhe nënat që kanë gatuar gjatë luftës apo u kanë hapur dyert ushtarëve të UÇK-së mund të paraqiten si pjesë e një ndërmarrjeje të tillë, për shkak të një aktgjykimi tërësisht politik të 16 shtatorit. Prandaj, nuk mund të ketë zgjedhje pa u përballur me këtë goditje të rëndë”, ka thënë ajo.
E pyetur nëse është penduar për votën pro krijimit të Gjykatës Speciale, Deliu ka argumentuar se rrethanat politike në kohën e votimit kanë qenë krejtësisht të ndryshme.
Ajo ka deklaruar se vota e saj ka qenë në të njëjtën linjë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe drejtuesit e tjerë të PDK-së. Sipas saj, në atë periudhë vendi po përballej me raportin e Dick Martyt dhe me akuza, të cilat ajo i ka cilësuar si të padrejta dhe të sponsorizuara nga qarqe ruse e serbe.
“Në atë kohë konteksti politik ishte krejt tjetër. Përballeshim me pretendime se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte trafikuar organe, me përmendjen e Shtëpisë së Verdhë dhe me akuza se UÇK-ja kishte kryer krime kundër njerëzimit. Këto pretendime të rreme kanë rënë, pasi as aktakuza dhe as vendimi i dënimit nuk përmendin trafikimin e organeve, Shtëpinë e Verdhë apo krimet kundër njerëzimit. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi e dinin se do të përballeshin individualisht me një kosto të rëndë, por besonin te partneriteti dhe te drejtësia e luftës së UÇK-së. Për këtë arsye, vota ime ishte me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe drejtuesit e PDK-së, sepse unë gjithmonë rreshtohem me çlirimtarët”, ka deklaruar Deliu.
Deputetja e PDK-së ka paralajmëruar gjithashtu se protestat qytetare mund të përshkallëzohen nëse nuk miratohet projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Nëse Qeveria që mori votën në zgjedhjet e fundit nuk reflekton ndaj vullnetit të shprehur në protesta, atëherë kemi një problem serioz. Pakënaqësinë e qytetarëve e ndiej në çdo mbrëmje dhe në çdo takim. Marshimi i djeshëm ishte ndër më të mëdhenjtë që ka parë Kosova. Aty nuk proteston vetëm PDK-ja, por qytetarë pa dallim, të cilët kërkojnë bashkim të spektrit politik dhe reflektim nga Albin Kurti dhe zonja Gërvalla, pasi ata janë në pushtet”, ka përfunduar Deliu.
Trajneri i kombëtares austriake, Ralf Rangnick, u ankua për gjendjen e fushës në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë një ditë…
legjenda gjermane, Thomas Muller i është përgjigjur pyetjes mbi debatin më të madh të shekullit 21 në futboll, se cili…
Kryedemokrati Sali Berisha i është përgjigjur propozimeve dhe diskutimeve të aleatëve politikë gjatë takimit në selinë blu, duke u ndalur…
Këngëtarja Eli Fara, ka reaguar publikisht pas shpërndarjes së një videoje intime, duke folur për cenimin e privatësisë dhe për…
Një ditë pas kontrolleve në banesën e biznesmenit amerikano-izraelit Ron Yeffet, News24 mëson se Prokuroria e Posaçme është duke hetuar…
Një 27-vjeçar i identifikuar si Edmir Xhaferri, është arrestuar në Mamurras pas një ndjekjeje nga Policia, pasi dyshohet se qarkullonte…