Çekia i premton Kosovës bashkëpunim në aspektin e sigurisë

Anëtarët e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes kanë pritur në takim delegacionin e Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme dhe Sigurisë nga Republika e Çekisë.

Pas përfundimit të takimit, kryetari i komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha së bashku me kryetarin e Komisionit për punë të Jashtme dhe Mbrojtje, Pavel Fischer janë deklaruar për media.

Kryetari i komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha tha se është diskutuar për zhvillimin e mëtutjeshëm për të dy shtetet në aspektin e sigurisë.

“Faleminderit për ndihmën që na bëhet nga Republika Çeke e cila është shumë dimensionale, në aspektin diplomatik në përkrahje të Republikës së Kosovës. Kemi biseduar edhe për zhvillimin e mëtutjeshëm për të dy shtetet në aspektin e sigurisë”, tha Berisha.

Ndërkaq, Kryetari i Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme dhe Mbrojtje të Çekisë, Pavel Fischer tha se përpos sigurisë në vend, Kosova ka shumë projekte në të cilat do ta ndihmojë Republika e Çekisë.

Ai theksoi se Kosova dhe Çekia të dy shtetet i japin njëra-tjetrës mbështetje të vazhdueshme.

“Komisioni merret me çështjet e jashtme dhe me të sigurisë. Kemi biseduar për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Ne shohim se ka shumë projekte të cilat mund të ndihmojmë për t’i dhënë atyre jetë në të ardhmen. Jo vetëm në fushën e sigurisë. Kolegët tonë na kanë lajmëruar që kanë dëshirë të vazhdojnë bashkëpunimin në fushën e kriminalitetit të kibernetikës ose në fushën e luftës kundër krimit të organizuar.

Por edhe në bashkëpunim e mëtejshëm në mes dy ushtrive tona, sepse kryetari i ushtrisë tuaj Jashari do të vijë në Pragë për një vizitë të shkurtër edhe ne kemi diskutuar se çfarë është përmbajtja e bashkëpunimit tonë të ardhshëm. Komisioni jonë është ai që aprovon dërgimin e ushtarakëve tonë në Kosovë, siç e dini kontingjenti i ushtarëve çekë ekziston në Kosovë për shumë vite dhe sa herë diskutojmë për këtë çështje të gjithë kemi të njëjtin mendim dhe të njëjtin mbështetje për vendin tuaj. Ne jemi të mendimit që stabiliteti në Kosovë është shumë i rëndësishëm për stabilitetin në Evropë. Kosova kuadrin e politikës së jashtme e sjell në një mënyrë të shkëlqyeshme në kuadrin e shteteve të Evropës dhe kemi një mendim të qartë sa i përket politikës së jashtme”, tha Fischer.

Takimi është zhvilluar i mbyllur për media, kurse delegacioni nga Çekia gjatë ditës do të takohen edhe me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporës.


Shtuar 23.04.2024 15:21