Sot pritet të zhvillohet raundi i parë i Dialogut Strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Serbisë.
None found
Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, e ka paralajmëruar këtë zhvillim duke e cilësuar si një moment historik.
“Ajo që do të ndodhë të premten është vërtet një moment historik diplomatik dhe, do të thosha, edhe politik në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara”, deklaroi Gjuriq për Radiotelevizionin e Serbisë më 14 korrik.
Sipas tij, vendimi pritet ta “forcojë” pozitën ndërkombëtare të Serbisë dhe gjendjen e saj ekonomike.
Gjuriq vlerësoi gjithashtu se Serbia, përmes këtij procesi, hyn “në rrethin e vendeve me të cilat SHBA-ja ka nivelin më të lartë të bashkëpunimit institucional”.
Departamenti amerikan i Shtetit ka deklaruar se Dialogu Strategjik SHBA-Serbi “paraqet një epokë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve”.
Sipas DASH-it, ky dialog “është një tregues i përkushtimit të të dy vendeve për zgjerimin dhe thellimin e partneritetit tonë”.
“Nëpërmjet këtij dialogu, SHBA-ja dhe Serbia do të punojnë për arritjen e objektivave të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin rajonal, zgjerimin e lidhjeve në fushën e biznesit dhe arsimit, si dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë”, thuhet në përgjigjen që DASH-i i ka dërguar REL-it.
Në këtë përgjigje përmendet po ashtu se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, më 6 gusht të vitit të kaluar kishte njoftuar se SHBA-ja do ta niste këtë dialog me Serbinë.
Publicisti Emin Azemi e konsideron këtë proces si një ndryshim pragmatik dhe teknokratik në qasjen e Uashingtonit zyrtar ndaj Ballkanit Perëndimor.
Sipas Azemit, administrata e presidentit Trump, përmes sekretarit Rubio, synon kryesisht të ndalë shtrirjen teknologjike dhe ekonomike të Kinës në Serbi.
“Nisja zyrtare e Dialogut Strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë më 17 korrik 2026 shënon një kthesë të rëndësishme institucionale në rajon, e cilësuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) si një ‘epokë e re’ në marrëdhëniet bilaterale.
Ky hap paraqet një zhvendosje pragmatike dhe teknokratike të qasjes së Uashingtonit zyrtar ndaj Ballkanit Perëndimor, duke kaluar nga politika e dikurshme e ‘shtet-ndërtimit dhe rindërtimit’ drejt krijimit të partneriteteve të qëndrueshme të bazuara në interesa të matshme ekonomike dhe të sigurisë.
Strategjia kryesore e administratës së presidentit Donald Trump përmes Sekretarit të Shtetit Marco Rubio është frenimi i zgjerimit teknologjik dhe ekonomik të Kinës në Serbi (e cila shërben si urë lidhëse për investimet kineze drejt BE-së), si dhe shkëputja e varësisë energjetike të Beogradit nga Rusia”, thotë Azemi për “Bota sot”.
Ai nënvizon katër shtylla strategjike mbi të cilat, sipas tij, mbështetet ky dialog dhe që dëshmojnë se nuk bëhet fjalë vetëm për një nismë deklarative.
“Dialogu nuk është thjesht deklarativ, ai bazohet në katër shtylla strategjike: energjia dhe infrastruktura (si projekti hidroenergjetik Gjerdap 3), inteligjenca artificiale dhe teknologjia e avancuar, bashkëpunimi në mbrojtje, si dhe projektet e gazit të lëngshëm (LNG). Madje, Serbia ka nënshkruar edhe marrëveshje me NASA-n për programin hapësinor Artemis.
Ky institucionalizim tregon se SHBA-ja po e trajton Serbinë si një partner kyç për stabilitetin rajonal, duke u ofruar atyre alternativa perëndimore ndaj ndikimit të Lindjes”, shprehet publicisti.
Azemi thotë se partneriteti i ri i jep Beogradit një hapësirë më të gjerë manovrimi.
Sipas tij, përfaqësuesit serbë nuk e kanë fshehur synimin që pozicionin e ri ta shfrytëzojnë për fuqizimin e argumenteve të tyre lidhur me Kosovën.
“Ky partneritet i ri krijon një sfidë të rëndësishme diplomatike për Kosovën, pasi rrit hapësirën manovruese të Beogradit në Uashington. Ndërsa Beogradi zyrtarizon këtë kornizë të lartë bashkëpunimi, Dialogu Strategjik i planifikuar i Kosovës me SHBA-në u pezullua kohë më parë nga Uashingtoni si pasojë e pakënaqësive me veprimet e njëanshme të qeverisë kosovare që rritën tensionet në veri. Kjo asimetri mund të përkthehet në më pak presion të drejtpërdrejtë amerikan mbi Serbinë dhe më shumë trysni mbi Prishtinën në proceset negociuese.
Zyrtarët serbë, si ministri Marko Gjuriq, nuk e kanë fshehur faktin se këtë pozicion të ri do ta përdorin për të forcuar argumentet e tyre rreth çështjes së Kosovës në institucionet amerikane”, thekson Azemi.
Në përfundim, ai vlerëson se ekziston mundësia që Kosova të mbetet anash në projektet e mëdha ekonomike e infrastrukturore rajonale, por shton se partneriteti nuk nënkupton pranimin e pretendimeve territoriale serbe ndaj Kosovës.
“Ekziston një rrezik real që Kosova të anashkalohet në projektet e mëdha rajonale ekonomike dhe infrastrukturore, por jo në planin e sigurisë gjeopolitike. Në këtë kuadër, paqja rajonale e synuar nga DASH nënkupton një rajon ku Serbia nuk është e rreshtuar me Rusinë, por ky partneritet nuk do të thotë pranim i pretendimeve territoriale të Serbisë ndaj Kosovës. Megjithatë, kjo kërkon që Kosova të rishikojë urgjentisht strategjinë e saj të koordinimit me aleatin kryesor (SHBA) për të mos humbur hapin e zhvillimeve rajonale”, përfundon publicisti.
Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se presin krijimin e kushteve për nisjen e Dialogut Strategjik me Kosovën, ndërsa kanë theksuar se në to përfshihet edhe përmbushja e zotimeve të Prishtinës ndaj pakicës serbe.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit rikujtoi se Dialogu Strategjik ishte pezulluar në shtator të vitit 2025 “për një periudhë të pacaktuar”, për shkak të shqetësimeve për veprimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës.
“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Presim me padurim të zhvillojmë një Dialog Strategjik me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga Kosova të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës”, thuhet në përgjigje.
Departamenti i Shtetit nuk ka dhënë një afat për fillimin e mundshëm të Dialogut Strategjik, si dhe nuk ka detajuar hapat e tjerë që pret nga institucionet e Kosovës.
Viti 2026 do të hyjë në histori si një nga vitet më të rëndësishme për Bugattin. Jo vetëm që po…
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka lëshuar ndalim për përdorimin e ujit për pije nga sistemi i ujësjellësit të…
Një rekrut rus i dërguar në vijën e parë të luftimeve në Ukrainë ka mesatarisht vetëm 20 deri në 30…
Një koncert i muzikantit amerikan në Tiranë po shndërrohet në një katastrofë politike për kryeministrin Edi Rama. Për lëvizjen protestuese,…
Parlamenti japonez ka aprovuar amendamente në ligjin që rregullon familjen perandorake, në përpjekje për t’iu përgjigjur numrit të pakët të…
Në fjalimin e tij të parë pasi u zgjodh lideri i ri i Partisë Laburiste, Andy Burnham premtoi se do…