Dialogu Strategjik mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Serbisë shënon “një epokë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve”, ka deklaruar Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë (REL).
None found
Sipas DASH-it, ky proces dëshmon përkushtimin e përbashkët të Uashingtonit dhe Beogradit për ta zgjeruar dhe thelluar partneritetin e tyre.
Nëpërmjet dialogut, SHBA-ja dhe Serbia synojnë të avancojnë objektiva të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin në rajon, forcimin e lidhjeve në biznes dhe arsim, si dhe krijimin e një të ardhmeje më të begatë, thuhet në përgjigjen e DASH-it për REL-in.
Departamenti amerikan i Shtetit rikujtoi gjithashtu se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, më 6 gusht të vitit të kaluar kishte njoftuar se SHBA-ja do ta nisë këtë dialog me Serbinë.
Çfarë deklaroi Gjuriqi?
Rundi i parë i Dialogut Strategjik pritet të zhvillohet më 17 korrik, siç kishte paralajmëruar më herët ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq.
Duke folur për Radiotelevizionin e Serbisë më 14 korrik, Gjuriq e cilësoi zhvillimin e së premtes si një moment historik në raportet diplomatike dhe politike ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Sipas tij, vendimi do të ndikojë në forcimin e gjendjes ekonomike të Serbisë dhe të pozitës së saj në arenën ndërkombëtare.
Gjuriq tha po ashtu se Serbia, përmes këtij procesi, futet në grupin e shteteve me të cilat SHBA-ja zhvillon nivelin më të lartë të bashkëpunimit institucional.
RTS-ja raportoi se ai e konsideroi këtë të rëndësishme edhe për “çështjet kyç shtetërore dhe kombëtare”, duke përmendur Kosovën, Republikën Sërpska dhe ruajtjen e stabilitetit të brendshëm në Serbi.
Ai deklaroi se procesi ka rëndësi për Serbinë edhe në lidhje me Kosovën, ku Beogradi mbështetet në mbrojtjen e popullit të tij, si dhe për Republikën Sërpska. Gjuriq shtoi se vitin e kaluar administrata e presidentit amerikan Donald Trump kishte treguar mirëkuptim të konsiderueshëm për zgjidhjen e problemeve në Bosnje e Hercegovinë.
Çfarë i parapriu vendimit të SHBA-së?
SHBA-ja zhvillon dialogje strategjike me dhjetëra vende në botë për të thelluar bashkëpunimin në fusha të ndryshme, duke nisur nga ekonomia dhe siguria deri te politika e jashtme.
Mundësia për nisjen e një dialogu të tillë me Serbinë ishte përmendur në gusht të vitit 2025, por atëherë procesi nuk u realizua.
Në atë periudhë, ishte thënë se dialogu mund të hapte “një epokë të re” në marrëdhëniet dypalëshe, përmes rigjallërimit të lidhjeve politike, zgjerimit të bashkëpunimit në biznes dhe mbrojtje, si edhe në energji dhe teknologji të komunikimit.
Serbia nënshkroi marrëveshjen e saj të parë strategjike me SHBA-në në sektorin e energjisë në shtator të vitit 2024.
Në janar të këtij viti, presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi se SHBA-ja i kishte paraqitur Serbisë dy “kërkesa formale” për fillimin e Dialogut Strategjik. Njëra prej tyre kishte karakter politik, ndërsa tjetra lidhej me energjinë, por ai nuk bëri publike hollësi të tjera.
Një prej interesave kryesore të Uashingtonit në Ballkanin Perëndimor është kufizimi i ndikimit të Kinës dhe Rusisë.
Ligji amerikan për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, i miratuar në mesin e muajit dhjetor, përfshiu si objektiv uljen e varësisë energjetike të Ballkanit Perëndimor nga Rusia.
I njëjti ligj përmend gjithashtu si synim zvogëlimin e ndikimit kinez në Ballkanin Perëndimor.
Po ashtu, SHBA-ja synon përparim të menjëhershëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas përcaktimit të përmendur, SHBA-ja duhet të mbështesë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila të bazohet në njohjen e ndërsjellë.
Gjatë vitit të fundit, marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Serbisë janë ndikuar edhe nga sanksionet ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), pasi shumica e aksioneve të kompanisë ndodhen në pronësi të rusëve.
Administrata amerikane vendosi sanksionet ndaj NIS-it në fillim të vitit 2025, me synimin për t’ia pamundësuar Rusisë përdorimin e të ardhurave nga sektori energjetik për luftën në Ukrainë.
Zbatimi i sanksioneve është shtyrë vazhdimisht për më shumë se një vit. Që kur kompania hungareze MOL shfaqi interes për blerje, licenca e Zyrës amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) është rinovuar periodikisht.
Më 30 qershor, OFAC-i e vazhdoi licencën për 30 ditë të tjera.
Ende vazhdojnë negociatat për shitjen e aksioneve ruse në rafinerinë e vetme të naftës në Serbi.
Pronarët rusë kontrollojnë 56.15 për qind të aksioneve të NIS-it, ndërsa 44.85 për qind u përkasin kompanisë shtetërore Gazprom Neft.
Më 16 qershor, MOL-i hungarez dhe Qeveria e Serbisë nënshkruan marrëveshjen mes aksionarëve për menaxhimin e ardhshëm të NIS-it./REL
Një debat i ashpër është zhvilluar në Kuvend mes deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, dhe kreut të grupit parlamentar…
Ambasada e Britanisë në Kosovë, ka mirëpritur zgjedhjen e Zejnullah Gashit si kryeprokuror i shtetit. Ambasada, i ka uruar Gashit…
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kërkoi gjatë seancës plenare të kësaj të enjteje ndryshime në projektligj, duke…
Këtë të enjte, në një deklaratë për mediat, deputetja socialiste Elisa Spiropali, ka dorëzuar në Asamblenë e Përgjithshme të Partisë…
Barcelona përballet me një dilemë sfiduese në planifikimin e skuadrës, pasi Hansi Flick i përcolli presidentit Joan Laporta dëshirën e…
Ka nisur seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë. I pari që ka marrë fjalën ka qenë deputeti Redi Mucci, i…