‘Asnjë hap pas’, Kurti në Davos flet për sigurinë: Serbia të heqë dorë nga çdo ëndërr për kthim në Kosovë

Kosova ishte për të dytin vit radhazi pjesë e Forumit Ekonomik të Davosit, një nga skenat më të rëndësishme ku takohen diplomacia, politika dhe ekonomia globale.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një bisedë bashkë me akademikun dhe diplomatin britanik, Rory Setwart OBE në Shtëpinë e Kosovës, foli për sigurinë dhe kërcënimin nga lufta hibride, duke nënvizuar faktin se propaganda sot është më e sofistikuar, shpesh e përkthyer dhe e përshtatur në gjuhën lokale, por se skepticizmi i qytetarëve dhe puna e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë kanë ndihmuar në frenimin e këtyre përpjekjeve.

“Ne duhet të kemi kujdes me situatat ku ata përdorin ndërmjetësim me palë të treta, pra shohim teza të caktuara që pa diskutim vijnë nga kjo qendër veri-lindje, por ndoshta ata flasin gjuhën tënde. Prandaj them se kjo është shumë më e sofistikuar. Përmes ndërhyrjes ata futen në media të caktuara online, ku ti dëgjon në shqip çfarë për shembull ata po thonë në Rusi”, deklaroi kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti.

Kurti foli gjithashtu për marrëdhëniet me Serbinë, duke deklaruar se institucionet paralele ilegale në veri janë shuar dhe se sundimi i ligjit ka shtrirë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Ai pranoi se qasja e qeverisë është parë nga disa si e ashpër, por theksoi se marrja e rrezikut ishte e domosdoshme dhe, sipas tij, funksionoi. Në këtë kontekst, ai përmendi edhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit, dyfishimin e numrit të ushtarëve dhe shpenzimin e 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtje.

“Tani, ajo që rrezikojmë është një lloj pushtimi nga Serbia. Ata kanë 48 baza operative përreth vendit tonë. Por nuk mendoj se do të ndodhë. Ka një propabilitet të ulët. Vetëm në rast se Kremlini i urdhëron ata për diçka. Nuk mendoj se Beogradi zyrtar mund të marrë guximin dhe t’i thotë jo presidentit despotik Putin për të refuzuar urdhrat e tij për të destabilizuar rajonin. Megjithatë Kosova ka një ushtri të fuqishme tani. Kemi dyfishuar numrin e ushtarëve. Është viti i tretë me radhë që ne shpenzojmë 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen tonë. Padyshim që do të mendohen dy herë përpara se të na bëjnë diçka ne dhe kur e mendon dy herë, nuk vepron shumë”, u shpreh Kurti.

Në planin rajonal, Kryeministri shprehu shqetësim për zhvillimet në Bosnje dhe Hercegovinë dhe për lidhjet e Republika Srpska me Moskën, duke kërkuar një rol më të fortë të Bashkimit Europian. Ai theksoi se procesi i integrimit europian duhet të jetë i bazuar në reforma dhe merita, ndërsa për Ballkanin nënvizoi nevojën për aleanca rajonale dhe bashkëpunim të ngushtë me NATO-n.

“Nga 4 fqinjë që kemi ne si Republikë e Kosovës, 3 prej tyre na njohin ne, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Por Serbia nuk na njeh dhe nuk duket se ka ndërmend ta bëjë diçka të tillë tani afër. Megjithatë, ata e kuptojnë më shumë se kurrë më parë se ne jemi një shtet tjetër. Realiteti ka ndryshuar shumë. Por ajo që kemi nevojë është që të vdesë ëndrra e tyre për rikthimin në Kosovë”, shtoi Kurti. Nuk munguan dhe batutat me diplomatin britanik kur ndërruan vendet për shkak të diellit…


Shtuar 20.01.2026 21:01

Tags: ,