Albulena Haxhiu u zgjodh Kryetare e Kuvendit të Kosovës/ Reagon Vjosa Osmani: Thirrje për bashkëpunim institucional

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar, pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës këtë të mërkurë dhe zgjedhjes së Kryetares së re, Albulena Haxhiu.

Osmani uroi Haxhiun për zgjedhjen e saj në postin e kryetares së Kuvendit të Kosovës, si dhe nënkryetarët për përgjegjësinë e re që u është besuar. Ajo theksoi se Kuvendi është themeli i demokracisë parlamentare dhe institucioni ku materializohet vullneti i qytetarëve.

Presidentja gjithashtu shprehu besimin se udhëheqja e re do ta ushtrojë mandatin me përgjegjësi demokratike, në respektim të Kushtetutës dhe në shërbim të interesit të Republikës.

Në mesazhin e saj të postuar në Facebook, Osmani ritheksoi nevojën për bashkëpunim konstruktiv ndërinstitucional dhe për një Kuvend plotësisht funksional, në shërbim të forcimit të shtetit të së drejtës, stabilitetit demokratik dhe avancimit të agjendës euroatlantike të Kosovës.

Reagimi i Vjosa Osmanit:

Uroj znj. Albulena Haxhiu për zgjedhjen e saj Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe nënkryetarët e Kuvendit për përgjegjësinë që u është besuar nga përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve tanë.

Kuvendi i Republikës është themeli i demokracisë sonë parlamentare dhe institucioni ku materializohet vullneti i qytetarëve. Besoj fuqishëm se udhëheqja e re e Kuvendit do ta ushtrojë këtë mandat me përgjegjësi demokratike në respektim të Kushtetutës dhe me përkushtim ndaj interesit të Republikës së Kosovës.

Në këtë moment të rëndësishëm institucional, ritheksoj nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional e konstruktiv dhe funksionim të plotë të Kuvendit, në shërbim të forcimit të shtetit të së drejtës, stabilitetit demokratik, mbrojtjes së vlerave tona shtetërore e historike dhe avancimit të agjendës sonë euroatlantike.

Uroj që ky mandat të shquhet për vendime të rëndësishme shtetërore, kulturë të lartë demokratike dhe angazhim të palëkundur në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës sonë! Punë të mbarë dhe suksese në detyrën tuaj të lartë shtetërore!


Shtuar 11.02.2026 19:06