Ka dështuar votimi i qeverisë së Kosovës, pasi Glauk Konjufca nuk ka arritur t’i marrë votat e mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës për t’u bërë kryeministër dhe për të formuar kabinetin qeveritar.
Konjufca mori vetëm 56 vota pro, vota të cilat janë të pamjaftueshme për krijimin e qeverisë. Kundër votuan 53 deputetë kosovar.
Në kabinetin qeveritar të prezantuar nga Konjufca, Albin Kurti u propozua si Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme.
Para votimit, Konjufca iu kërkoi deputetëve që ta votonin ata si kryeministër, por duket se nuk arriti të marrë besimin e ligjvënësve.
“Sot ia vlen të zgjedhim rrugën, në dukje të komplikuar ndoshta, por ne nuk kemi nga askush tjetër këtu jashtë nesh, jashtë këtij parlamenti, që ta presim drejtësinë e veprimeve tona. Atë e bëjmë vet ne. Të udhëheqim me guxim, edhe në shtigje të pashkelura më herët. Burimi i këtij guximi duhet të na karakterizojë të gjithëve sot, e kjo është besimi te qytetarët tanë, dhe obligimi që kemi ndaj sakrificave e kontributit të paraardhësve, e jo më pak edhe ndaj ëndrrave e dëshirave të pasardhësve tanë”, u shpreh Konjufca.
Tashmë Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi u dështua që të formohet qeveria nga Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 11 shkurtit të këtij viti.
Tani presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të vendosë se kur do të mbahen zgjedhjet, ndërsa raportohet se dhjetori është përmendur si muaj i mundshëm për zgjedhje të jashtëzakonshme.
