Albin Kurti s*lmohet me vezë në Skënderaj, pezullohen tre policë

Eskorta e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, u sulmua me vezë ditën e sotme në Skenderaj. Pas ngjarjes, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani, akuzoi drejtpërdrejt ish-zyrtarin e PDK-së, Sami Lushtakun, duke e cilësuar këtë si një akt i mendësisë primitive dhe shenjë e frikës së tij nga puna e qeverisë.

Mehani theksoi se investimet e Qeverisë së Kosovës në Skenderaj, që arrijnë në 3.2 milionë euro gjatë këtij mandati, janë dëshmi e punës së mirë, ndërsa sulmet me vezë janë përpjekje për të nxjerrë në pah lajme negative pa bazë. Ai i bëri thirrje mediave që të fokusohen në zhvillimet pozitive në qytet dhe jo në skandalet që prodhohen për vëmendje politike.

Policia e Kosovës pas incidentit ka konfirmuar pezullimin e tre zyrtarëve policorë nga Komuna e Skenderajt.

Sipas njoftimit, pezullimi lidhet me veprën penale “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”.

“Sot, me datë 10.06.2025, në ndërlidhje me rastin e Prishjes së Rendit dhe Qetësisë Publike (PRQP) në Skenderaj, Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Jug, ka ndërmarrë disa veprime dhe në koordinim edhe me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) ka marrë vendimin për suspendimin e tre (3) zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Skenderaj në kohëzgjatje prej 72 orësh”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.


Shtuar 10.06.2025 20:27