Aivo Orav ka marrë të hënën detyrën e ambasadorit të ri të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, duke e pasuar çekun Tomas Szunyog, i cili e mbajti këtë postë nga viti 2020, njoftoi Zyra e BE-së.
Oravo, një diplomat estonez me përvojë rreth 30-vjeçare në diplomaci evropiane dhe nacionale, do të ketë mandat fillestar prej dy vjetësh.
Në të kaluarën, ai ka shërbyer si përfaqësues i përhershëm i Estonisë në BE dhe si shef i delegacioneve të BE-së në Mal të zi dhe Maqedoni të Veriut.
Orav tha se ndien kënaqësi dhe përgjegjësi në marrjen e postit të shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë.
“Zotohem se do të punoj krah për krah me partnerët vendës dhe ndërkombëtarë të BE-së në Kosovë, për t’i çuar përpara marrëdhëniet tona diplomatike dhe politike, do ta konsolidoj pozitën e BE-së si donatori, partneri tregtar dhe investitori më i madh i Kosovës, si dhe do ta mbështes rrugën e evropiane të Kosovës dhe reformat që ndërlidhen me BE-në”, tha Orav.
Duke e pasur parasysh gjendjen gjeopolitike, Orav u zotua se do të koordinohet me të gjithë të pranishmit te BE-së në Kosovë, përfshirë EULEX-in, “për ta promovuar një Kosovë të qëndrueshme, paqësore, demokratike dhe shumetnike”, thuhet në njoftim.
“Gjatë mandatit tim, vizioni im është që Kosova të përparojë më mënyrë vendimtare në rrugën e saj drejt BE-së, gjë që do të sjellë benefite të qëndruehsme për popullin e saj”, tha ai.
Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë për të kontribuuar në një dinamikë të re në lidhjet mes Kosovës dhe BE-së, e cila mund ta bëjë të mundur rifillimin e ndihmës financiare të BE-së për Kosovën.
BE-ja vendosi masa ndaj Kosovës para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë – të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë – nisën detyrën e tyre në komunat në veri.
Pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.
Orav e merr detyrën në një kohë kur Kosova u kritikua përsëri nga BE-ja, pasi i mbylli pesë institucione paralele serbe në veri të vendit.
Të hënën, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, e përsëriti qëndrimin e shprehur nga blloku se këto veprime janë “të njëanshme dhe të pakoordinuara, me potencial të rritjes së tensioneve”.
Qeveria e Kosovës ka thënë se institucionet e mbyllura në veri të Kosovës punonin nën udhëheqjen e Serbisë, duke e “cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.
Përveç pesë institucioneve të mbyllura të premten e kaluar, në prill autoritetet e Kosovës mbyllën edhe shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë të tjera të Kosovës.
Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.
Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.
Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht./REL