Categories: kosovë

Abdixhiku mbetet në krye të LDK-së, analistët e cilësojnë si “të keqen më të vogël

Lumir Abdixhiku do të vijojë ta drejtojë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), pasi siguroi sërish besimin e delegatëve në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë. Në votimin e zhvilluar të enjten, 170 delegatë kundërshtuan shkarkimin e tij, ndërsa 152 votuan në favor të largimit.

Të lidhura

None found

Me këtë rezultat mori fund përpjekja për shkarkimin e Abdixhikut. Rikonfirmimi e bën atë kryetarin e katërt në historinë e LDK-së që vazhdon udhëheqjen e partisë, në një kohë kur brenda saj ka pasur debate dhe përplasje për lidershipin dhe orientimin politik.

Në paraqitjen e parë para mediave pas vendimit të Kuvendit, Abdixhiku falënderoi delegatët për mbështetjen dhe e paraqiti procesin si dëshmi të nivelit të demokracisë së brendshme në LDK.

Sipas tij, përmes votës së tyre, delegatët nuk vendosën vetëm se kush do ta udhëheqë partinë, por përcaktuan edhe kursin programor që ajo do të ndjekë në periudhën e ardhshme.

“Hera e dytë këtë vit, LDK dëshmoi demokraci maksimale. Delegatët e Kuvendit të LDK-së, në mënyrë demokratike, dhanë drejtim jo vetëm për lidershipin, por edhe për orientimin programor. Jam i lumtur për rezultatin dhe jam falënderues që konfirmuan rezultatin e janarit”, deklaroi Abdixhiku para mediave.

Analistët politikë konsiderojnë se vazhdimi i mandatit të Abdixhikut krijon mundësi për stabilitet dhe vazhdimësi në LDK. Megjithatë, sipas tyre, sfidat kryesore mbeten reformimi i brendshëm, konsolidimi i unitetit dhe përgatitja e partisë për zgjedhjet e ardhshme.

Ata vlerësojnë se qëndrimi i tij në krye shmang një krizë tjetër politike brenda partisë, por njëkohësisht e vendos Abdixhikun përballë përgjegjësisë për riorganizimin e strukturave dhe menaxhimin e dallimeve të brendshme.

Analisti politik Faton Mehmeti, duke folur për “Bota sot”, e ka cilësuar rikonfirmimin e Abdixhikut si një moment me rëndësi për të ardhmen e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Rizgjedhja e Lumirit është e keqja më e vogël momentale për LDK-në. Nëse ai nuk do të ishte konfirmuar në krye të partisë, do të kishim një histori krejt tjetër për LDK-në. Vendi do të shkonte automatikisht në zgjedhje dhe për këtë do të fajësohej LDK-ja”, ka deklaruar Mehmeti.

Ai ka paralajmëruar se një zhvillim i tillë do të kishte pasoja negative për rezultatin e ardhshëm zgjedhor të LDK-së. Mehmeti ka thënë gjithashtu se në parti ndodhen figura që, sipas tij, nuk veprojnë në interes të saj.

“Gjithçka varet se sa Lumiri do të jetë i gatshëm ta menaxhojë dhe ta spastrojë partinë nga disa njerëz të cilët më shumë po i shërbejnë PDK-së sesa vetë LDK-së”, është shprehur ai.

Mehmeti ka shtuar se Abdixhiku do të kishte më shumë kohë për reforma të brendshme nëse arrihet një marrëveshje politike që shmang zgjedhjet e reja dhe mundëson një mandat të plotë qeverisës.

“Nëse nuk do të ketë zgjedhje dhe do të zgjidhet çështja e presidentit, duke krijuar një mandat katërvjeçar, atëherë Lumiri do ta ketë më të lehtë që ta riorganizojë partinë dhe ta zgjerojë atë për kohëra të reja”, ka thënë Faton Mehmeti.

Nga ana tjetër, analisti politik Eduart Gashi ka deklaruar për “Bota sot” se rizgjedhja e Abdixhikut dëshmon se shumica e strukturave të LDK-së mbështesin drejtimin e tij politik.

“Rikonfirmimi i Lumir Abdixhikut në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) është një zhvillim i rëndësishëm politik që mund të analizohet nga disa këndvështrime”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, rezultati tregon se pjesa më e madhe e strukturave të brendshme përkrahin kursin politik të Abdixhikut dhe përpjekjet e tij për ta reformuar partinë pas rezultateve të zgjedhjeve të kaluara.

“Rizgjedhja e Abdixhikut sinjalizon se shumica e strukturave të brendshme të partisë mbështesin linjën e tij politike dhe përpjekjet për reformimin e LDK-së pas rezultateve të zgjedhjeve të kaluara. Kjo i jep atij një mandat të ri për të vazhduar me strategjinë e tij të opozitëbërjes dhe përgatitjen për sfidat e ardhshme elektorale”, ka thënë ai.

Gashi ka vlerësuar se mundësia e thellimit të ndarjeve është ndër çështjet kryesore të ngritura pas këtij procesi. Sipas tij, zhvillimet e mëtejshme do të varen nga mënyra se si udhëheqja do t’i trajtojë dallimet brenda partisë.

“Sa i përket mundësisë së thellimit të përçarjeve, kjo varet nga disa faktorë kyç”, është shprehur ai.

Gashi ka theksuar se në një subjekt me traditë të gjatë, siç është LDK-ja, është e natyrshme të ketë rryma dhe figura me qëndrime të ndryshme. Sipas tij, shkalla e unitetit do të përcaktohet nga mënyra se si kryesia e re do t’i përfshijë ose akomodojë krahët e tjerë.

“Në çdo parti me traditë të gjatë si LDK-ja, ekzistojnë rryma dhe figura me pikëpamje të ndryshme. Mënyra se si kryesia e re përfshin ose akomodon krahët e tjerë do të përcaktojë nivelin e unitetit”, ka deklaruar ai.

Sipas Gashit, pakënaqësitë mund të zbuten nëse kursi i lidershipit vlerësohet si i suksesshëm dhe përfshirës. Në të kundërtën, përjashtimi i disa figurave mund të prodhojë fërkime ose distancime individuale.

“Nëse rruga e ndjekur nga lidershipi i ri shihet si e suksesshme dhe gjithëpërfshirëse, mundësia për pakënaqësi zvogëlohet. Përkundazi, nëse disa figura ndjehen të mënjanuara, mund të ketë fërkime apo distancime individuale”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se qëndrimi i Abdixhikut në postin e kryetarit tregon synimin e LDK-së për ta vazhduar modernizimin. Megjithatë, prova kryesore për unitetin dhe fuqinë e saj politike do të jetë rezultati në zgjedhjet e ardhshme nacionale dhe lokale.

“Mbetja e Abdixhikut në krye nënkupton se LDK-ja synon vazhdimësi në procesin e modernizimit të saj, por sprova e vërtetë e unitetit dhe fuqisë politike do të jetë performanca e partisë në zgjedhjet e ardhshme nacionale dhe lokale”, ka shtuar Gashi.

Analisti ka nënvizuar se iniciativa e anëtarësisë për mbajtjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, si dhe mënyra se si u organizua procesi, dëshmuan pjekuri politike.

“Për më tepër, ky proces tregoi se LDK-ja e kaloi me sukses të plotë një ‘test demokracie’, duke dëshmuar se si funksionon me të vërtetë demokracia e brendshme partiake”, ka deklaruar ai.

“Thirrja e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm me iniciativën e anëtarësisë, si dhe pjesëmarrja e qetë dhe e organizuar, tregojnë pjekuri politike”, ka vijuar Gashi.

Ai ka thënë se demokracia brenda partisë ushqehet pikërisht nga ekzistenca e rrymave dhe blloqeve të ndryshme, ndërsa ka theksuar rëndësinë që rezultati i votimit të pranohet dhe të respektohet.

“Ekzistenca e blloqeve ose rrymave të ndryshme brenda një partie është pikërisht ajo nga e cila jeton demokracia. E rëndësishme është që, pas procesit të votimit, rezultati pranohet dhe respektohet”, ka thënë ai.

“Demokracia nuk do të thotë bllokim i vazhdueshëm apo të qenit thjesht ‘kundër’. Përkundrazi, ajo nënkupton gjetjen e zgjidhjes më të mirë të mundshme, një situatë ëin-ëin për të gjithë — veçanërisht për vendin, për të ardhmen e tij dhe për të ndërtuar një të nesërme më të mirë në dobi të popullit dhe të gjeneratave që vijnë”, ka përfunduar Gashi për “Bota sot”.

të fundit

Pesë të vdekur nga zjarret në Greqi, viktimat pjesë e forcave të shpëtimit dhe asnjë mes banorëve

Greqia vijon të luftojë me zjarre të mëdha që kanë përfshirë disa rajone të vendit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme…

4 minutes ago

Arrestimi i Radeviçit dhe gërmimet në Zubin Potok, Miftari ngre dyshime dhe kritikon Sami Lushtakun

Mbrëmjen e së shtunës është arrestuar Jugosllav Radeviç, kjo pas një aksioni të zhvilluar nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria…

5 minutes ago

North Macedonia and Bulgaria Coordinate Steps on Corridor 8 Cross-Border Railway Tunnel

Sot në Sofje u mbajt takimi i parë i grupit të përbashkët të punës të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë,…

9 minutes ago

Studeničani Establishes Commission to Assess Storm Damage

Stuhia e fuqishme që përfshiu Shkupin ka shkaktuar dëme në disa komuna të qytetit. Erërat e forta kanë lënë pas…

10 minutes ago

KLA War Veterans’ Organization: Honoring Serbian Forces Institutionalizes Denial of Crimes

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar ndaj nderimit të njësive ushtarake serbe, duke e cilësuar atë…

10 minutes ago

Biserko on Excavations: Serbia Must Face Responsibility, Many Graves Remain Undiscovered

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Sonja Biserko ka deklaruar se në Kosovë ende ekzistojnë shumë…

11 minutes ago