Abdixhiku: Koeficienti 150, që në javën e parë të qeverisë së re

(E plotësuar) Para qytetarëve dhe përkrahësve të tij, në Fushë Kosovë, Lumir Abdixhiku, tha se LDK ofron vizion të qartë për mirëqenien e qytetarëve. Me këtë rast, ai premtoi zhvillim në arsim e shëndetësi në këtë komunë.

“Shujta të ngrohta, fëmijë të shëndoshë, mësim gjithë-ditor, spitalin e ri, kushte moderne e me digjitalizim..”, tha Lumir Abdixhiku, kandidat për kryeministër i LDK-së.

Abdixhiku, në Fushë Kosovë, premtoi edhe rritje të pagave dhe mundësi shkollimi për të rinjtë.

“Koeficienti 150, që në javën e parë të qeverisë së re, për shërbyesit civilë, është zotimi ynë i parë, është vendimi ynë i parë! Një javë, 150”, tha Abdixhiku.

Kandidati për kryeministër i LDK-së, premtoi program kombëtar për trajnim në fushën e teknologjisë, punë e paga.

“Është koha ta marrim përgjegjësinë që na takon, të guxojmë dhe ta sjellim ndryshimin që qytetarët meritojnë. Është koha të veprojmë për të rinjtë që nuk duan të largohen nga atdheu, për bizneset që kërkojnë mundësi ta zhvillojnë vendin, dhe për çdo familje që meriton jetë më të mirë!”, ka thënë Abdixhiku.

Në këtë tubim u prezantuan edhe dy kandidatët e LDK-së për deputet nga Fushë Kosova.

Fushatën elektorale LDK e ka vazhduar në Mazgit të Obiliqit. Abdixhiku para përkrahësve tha se ka mision historik për Kosovën, derisa u premtoi ngrohtore të qytetit, gjelbërim dhe investime në termocentralin “Kosova B”

“Pas 9 shkurtit do të keni ngrohjen qendrore edhe ju Obiliq kam folur për programin me gaz, mbi 120 milion euro do të investohen për Kosovën B. për ta bërë këtë impiante modern më shumë vende të punës e më shumë pastërti. Afër tokës tuaj do të ndërtohet kompleksi më i rëndësishëm sportiv me 120 mijë euro për stadiumin e ri kombëtar, per palestrën e re të sporteve për pishinat olimpike e për qendrën e madhe komerciale, tha Abdixhiku.

Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, derisa kërkoi votën për LDK-në, Abdixhikun e quajti vizionar të së ardhmes.

“Me një program qeverisës, besoj fuqishëm se nga 10 shkurti qeverisë do t’i prijë Lumir Abdixhiku….Obilqi do të behët me ngrohje qendrore e ambiente të gjelbra”, tha Gashi.

Rritje të pagave, investime në arsim e shëndetësi premtoi Abdixhiku nga Mazgiti. Aty prezantoi edhe dy kandidatët për deputetë nga Komuna e Obiliqit.


Shtuar 28.01.2025 19:55