Categories: kosovë

A e riktheu zgjedhja e Presidentes normalitetin në Kosovë? Analistët tregojnë pritshmëritë dhe sfidat

Përzgjedhja e Justina Shiroka-Pulës si Presidente e Kosovës shënoi një moment kyç në skenën politike, duke mbyllur një periudhë të gjatë pasigurie rreth udhëheqjes së shtetit. Pas muajsh krizash politike dhe vështirësish në operimin e institucioneve, kjo ngjarje e ktheu fokusin te stabiliteti institucional dhe pengesat që qëndrojnë përpara vendit.

Të lidhura

None found

Sidoqoftë, zgjidhja e ngërçit presidencial nuk do të thotë automatikisht se Kosova i ka lënë pas të gjitha problemet politike.

Tani, pyetja kryesore është se si do të funksionojnë institucionet dhe nëse forcat politike do të jenë në gjendje të bashkërendojnë veprimet për çështjet me interes kombëtar.

A është rikthyer Kosova në normalitet institucional pas zgjedhjes së Presidentes së re? Çfarë ndikimi mund të ketë Justina Shiroka-Pula në ruajtjen e stabilitetit politik?

Për këto pyetje, për “Bota sot” kanë dhënë mendimet e tyre analistët Zejnulla Jakupi dhe Eduard Gashi. Teksa Jakupi e sheh zgjedhjen e Presidentes si një sinjal pozitiv, por thekson se normaliteti institucional kërkon më shumë se sa plotësimin e vendeve në krye të shtetit, Gashi nënvizon se Kosova s’mund të mbetet rob i interesave partiake dhe se ky moment duhet të shërbejë si pikë fillimi për një frymë të re politike.

Jakupi: Zgjedhja e Presidentes është një zhvillim pozitiv, por normaliteti kërkon arritje të matshme

Analisti Zejnullah Jakupi e konsideron zgjedhjen e Presidentes së re si një të arritur pozitive për Kosovën, pasi ajo i jep fund bllokadës institucionale dhe hap rrugë për stabilitet politik. Megjithatë, sipas tij, është ende herët për të folur për rikthim të plotë në normalitet.

“Zgjedhja e Presidentes së re është një hap përpara, sepse i jep fund një bllokade institucionale dhe krijon kushte për stabilitet politik. Por mendoj se është ende shpejt për të thënë se jemi kthyer plotësisht në normalitet. Normaliteti institucional nuk do të thotë vetëm plotësimi i pozitave shtetërore, por edhe funksionimi i rregullt i institucioneve, bashkëpunimi politik dhe marrja e vendimeve në dobi të qytetarëve”.

Kur flet për pritshmëritë ndaj Presidentes së re, Jakupi në bisedën me “Bota sot” theksoi se përvoja akademike është e vlefshme, por kryerja e këtij mandati kërkon aftësi praktike, vendimmarrëse dhe përgjegjësi institucionale.

Sipas tij, Justina Shiroka-Pula duhet dëshmojë se mund ta kryejë funksionin presidencial me efikasitet, duke sjellë një qasje që i përgjigjet përgjegjësive të këtij institucioni.

“Presidentja vjen nga bota akademike dhe zgjedhja e saj është mirëpritur. Megjithatë, pritshmëritë janë që ajo të sjellë një qasje të re në mënyrën se si e ushtron detyrën. Akademia dhe institucionet shtetërore kanë ritme të ndryshme. Në këtë pozitë nuk nevojiten vetëm dije dhe përgatitje teorike, por edhe vendimmarrje, përgjegjësi, komunikim politik dhe veprim konkret.

Nëse puna e saj mbetet kryesisht teorike dhe nuk shoqërohet me nisma e rezultate të prekshme, ekziston rreziku që ndikimi i saj të jetë i kufizuar. Presidentja duhet ta provojë veten përmes veprimeve, duke respektuar Kushtetutën dhe kompetencat e saj”, ka thënë Jakupi.

Ai vlerëson se Presidentja e re mund të ketë një rol të rëndësishëm në zbutjen e tensioneve politike, sidomos duke nxitur dialogun dhe duke ruajtur stabilitetin institucional. Por sipas tij, barra e zgjidhjes së krizës nuk mund të bjerë vetëm mbi supet e kreut të shtetit; ajo kërkon angazhim nga të gjitha subjektet politike.

“Presidentja mund të luajë një rol të rëndësishëm në nxitjen e dialogut dhe ruajtjen e stabilitetit institucional, por nuk mund ta zgjidhë e vetme krizën politike. Kjo kërkon përgjegjësi nga të gjitha partitë, si nga ana e pushtetit ashtu edhe e opozitës.

Zgjedhja e saj mund të jetë pikënisje për bashkëpunim, por marrëveshjet duhet të shtrihen edhe në çështje të tjera thelbësore. Nëse polarizimi dhe bllokadat parlamentare vazhdojnë, atëherë zgjedhja e Presidentes do të mbetet vetëm një zgjidhje formale, pa ndikim të mjaftueshëm në stabilitetin e vendit”, ka deklaruar Jakupi.

Sa i përket sfidave që presin Kosovën në muajt në vijim, Jakupi përmend funksionimin e Kuvendit dhe Qeverisë, zbatimin e reformave, forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin në procesin e integrimit evropian. Ai thekson se po aq të rëndësishme janë edhe zhvillimi ekonomik, dialogu me Serbinë dhe ruajtja e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.

Megjithatë, sipas tij, rezultatet e institucioneve duhet të maten edhe nga ndikimi i drejtpërdrejtë që kanë në jetën e përditshme të qytetarëve.

“Sfidat kryesore janë funksionimi i Kuvendit dhe Qeverisë, zbatimi i reformave, forcimi i sundimit të ligjit, përparimi në integrimin evropian dhe zhvillimi ekonomik. Po ashtu, rëndësi kanë dialogu me Serbinë dhe ruajtja e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.

Por qytetarët presin rezultate konkrete: më shumë vende pune, shërbime publike më cilësore dhe një perspektivë më e mirë për të rinjtë. Prandaj, energjia politike duhet të përqendrohet te zgjidhja e problemeve të qytetarëve dhe jo te konfliktet e vazhdueshme ndërmjet partive”, ka theksuar ai.

Jakupi nënvizon se suksesi i Presidentes së re nuk duhet gjykuar vetëm në bazë të deklaratave për bashkëpunim, por përmes veprimeve konkrete dhe aftësisë për të kontribuar në një mjedis më të qëndrueshëm politik.

“Suksesi duhet të matet me veprime konkrete, me aftësinë për të ushtruar përgjegjësitë kushtetuese, për të nxitur komunikimin ndërinstitucional dhe për të kontribuar në një klimë më të qëndrueshme politike.

Nuk mjaftojnë deklaratat për bashkëpunim; duhet të shohim rezultate në praktikë. Presidentja duhet të jetë faktor stabiliteti dhe të veprojë në interes të shtetit, duke ruajtur paanshmërinë institucionale dhe duke respektuar ndarjen e pushteteve”, është shprehur Jakupi.

Në përfundim, analisti u bën thirrje partive politike që zgjedhjen e Presidentes të mos e shohin si mbyllje të krizës, por si një mundësi për të ndryshuar qasjen ndaj përgjegjësive shtetërore.

“Mesazhi im është që zgjedhja e Presidentes të mos konsiderohet fundi i krizës, por fillimi i një faze të re të përgjegjësisë politike. Partitë duhet të kuptojnë se interesat shtetërore dhe nevojat e qytetarëve duhet të jenë mbi interesat partiake.

Kosova ka nevojë për institucione që funksionojnë, për vendime që zbatohen dhe për politika që sjellin rezultate. Debatet politike janë pjesë e demokracisë, por ato nuk duhet ta paralizojnë shtetin.

Në fund, zgjedhja e Presidentes së re krijon një mundësi për stabilitet institucional, por suksesi do të varet nga mënyra se si ajo do ta ushtrojë detyrën dhe nga gatishmëria e gjithë klasës politike për të bashkëpunuar. Qytetarët presin jo vetëm ndryshime formale, por rezultate të prekshme. Kosova ka nevojë për më pak bllokada, më shumë vendimmarrje dhe institucione që japin llogari për punën e tyre”, ka përfunduar Jakupi.

Gashi: Kosova nuk mund të mbetet peng i egove partiake

Nga ana tjetër, Eduard Gashi e sheh zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës Presidente të Kosovës si një zhvillim domethënës për tejkalimin e krizës institucionale. Megjithatë, ai për “Bota sot” thekson se përfundimi i bllokadës nuk duhet të mbulojë shkaqet që e çuan vendin në atë gjendje.

Sipas Gashit, klasa politike duhet të japë llogari për mënyrën se si i ka trajtuar përgjegjësitë e saj kushtetuese, veçanërisht kur bëhet fjalë për funksionimin e institucioneve dhe arritjen e marrëveshjeve politike.

“Zgjedhja e znj. Justina Shiroka-Pula Presidente e Republikës së Kosovës është një zhvillim i rëndësishëm për tejkalimin e krizës së zgjatur institucionale. Ajo krijon një mundësi të re për stabilitet politik, vazhdimësi shtetërore dhe rikthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e vendit.

Mirëpo, zgjedhja e Presidentes nuk duhet të na bëjë të harrojmë arsyet që e sollën Kosovën deri këtu.

Fakti më domethënës është se emri i znj. Shiroka-Pula ishte përmendur që më 4 mars 2026 në diskutimet për një kandidate konsensuale. Edhe pse atëherë nuk kishte kandidaturë zyrtare dhe ajo vetë kishte thënë se nuk ishte kontaktuar, ekzistonte tashmë një mundësi reale për ta shqyrtuar këtë alternativë.

Prandaj lind një pyetje e drejtë: përse u deshën kaq shumë muaj për të arritur një marrëveshje që mund të ishte shqyrtuar shumë më herët?

Kjo pyetje nuk i drejtohet Presidentes së re, por klasës politike, e cila duhet të japë llogari për mënyrën se si i ka menaxhuar përgjegjësitë e saj kushtetuese”, ka deklaruar Gashi.

Ai thekson se institucionet shtetërore nuk duhet të kthehen në instrumente të rivaliteteve politike dhe ambicieve personale, duke vënë në dukje se interesi i Republikës duhet të jetë mbi çdo llogaritje partiake.

“Shteti nuk është pronë e partive politike. Institucionet nuk janë peng i ambicieve personale dhe Kushtetuta nuk është mjet për pazare të pafundme politike.

Në një demokraci të shëndetshme, kompromisi nuk është dobësi, por pjekuri shtetërore. Problemi lind kur egot personale, rivalitetet partiake dhe dëshira për të mos i dhënë kundërshtarit një sukses politik vendosen mbi interesin e Republikës.

Një politikë që vazhdimisht merret me pengimin e institucioneve, në vend të funksionimit të tyre, duhet të përballet me një pyetje thelbësore: çfarë rezultatesh konkrete ka sjellë për qytetarët?

Kush di vetëm të bllokojë, nuk ka dëshmuar se di të ndërtojë. Kush di vetëm të pengojë, nuk ka treguar se di të udhëheqë”, është shprehur Gashi.

Megjithatë, Gashi thekson se kritika dhe kundërshtimi janë pjesë e domosdoshme e demokracisë, por ato nuk duhet të shndërrohen në pengesë për funksionimin e shtetit. Sipas tij, përgjegjësia për arritjen e kompromisit nuk i takon vetëm opozitës, por edhe shumicës qeverisëse.

“Natyrisht, opozita është e domosdoshme për demokracinë. Kritika, kontrolli parlamentar dhe kundërshtimi i vendimeve të gabuara janë pjesë e sistemit demokratik. Por duhet bërë dallimi ndërmjet opozitarizmit konstruktiv dhe një politike që e kthen bllokadën në qëllim më vete.

Në të njëjtën kohë, edhe shumica qeverisëse ka përgjegjësinë të kërkojë konsensus në çështjet që kërkojnë mbështetje të gjerë kushtetuese. Askush nuk mund të kërkojë përgjegjësi nga të tjerët duke shmangur përgjegjësinë e vet”, ka deklaruar ai.

Kur flet për Presidenten e re, Gashi vlerëson se përvoja e saj akademike, qeveritare dhe institucionale përbën një pjesë të rëndësishme të profilit të saj. Ai thekson se institucioni presidencial duhet të ruajë pavarësinë dhe autoritetin kushtetues, duke kontribuar në unitetin shtetëror.

“Në këtë kontekst, Presidentja Justina Shiroka-Pula hyn në detyrë me një përvojë të gjatë akademike, qeveritare dhe institucionale. Angazhimi i saj në jetën publike dhe drejtimi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës janë elemente të rëndësishme të profilit të saj.

Presidentja duhet të ketë mundësinë ta ushtrojë mandatin e saj me dinjitet, pavarësi dhe autoritet kushtetues. Institucioni presidencial nuk duhet të bëhet vazhdimësi e përplasjeve partiake, por duhet të jetë një faktor i unitetit shtetëror dhe respektimit të rendit kushtetues.

Respektimi i Presidentes është, para së gjithash, respektim i institucionit që ajo përfaqëson”, është shprehur Gashi.

Sa u përket zhvillimeve të ardhshme politike, Gashi veçon tri sfida kryesore: konsolidimin e institucioneve dhe rikthimin e përgjegjësisë politike, forcimin e sovranitetit dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, si dhe zhvillimin ekonomik e rikthimin e besimit të qytetarëve.

Ai thekson se secili institucion duhet t’i ushtrojë përgjegjësitë e veta, ndërsa vendimmarrja duhet të përqendrohet te rezultatet dhe jo te përplasjet politike.

“Sa i përket muajve të ardhshëm, tri sfida do të jenë veçanërisht të rëndësishme.

E para, konsolidimi i institucioneve dhe rikthimi i përgjegjësisë politike. Kuvendi duhet të funksionojë si organ ligjvënës dhe kontrollues, Qeveria duhet të përqendrohet te rezultatet konkrete, ndërsa Presidentja duhet të ushtrojë përgjegjësitë e saj në përputhje me Kushtetutën.

E dyta, forcimi i sovranitetit dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Pavarësia e Republikës së Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008, është themeli i rendit të saj shtetëror. Dialogu me Serbinë duhet të zhvillohet mbi parimet e sovranitetit, integritetit territorial dhe respektimit të barazisë ndërmjet palëve.

Serbia duhet të kuptojë se stabiliteti afatgjatë në Ballkan nuk ndërtohet duke mbajtur gjallë pretendime territoriale apo duke kontestuar vazhdimisht shtetësinë e Kosovës. Në të njëjtën kohë, Kosova duhet të vazhdojë ta forcojë diplomacinë e saj dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

E treta, zhvillimi ekonomik dhe rikthimi i besimit të qytetarëve. Kosova ka nevojë për investime, vende pune, institucione të besueshme, siguri juridike dhe perspektivë për brezat e rinj. Këto janë përgjegjësi që nuk mund të shtyhen pafundësisht për shkak të llogarive partiake”, ka deklaruar Gashi.

Ai thekson se krahas këtyre sfidave, institucionet duhet të tregojnë përgjegjësi edhe për çështjet e ndjeshme që lidhen me Dhomat e Specializuara, duke ruajtur transparencën dhe maturinë diplomatike.

“Edhe çështjet e ndjeshme që lidhen me Dhomat e Specializuara kërkojnë përgjegjësi kushtetuese, transparencë dhe maturi diplomatike. Respektimi i sakrificës për lirinë e Kosovës dhe mbrojtja e shtetit të së drejtës duhet të trajtohen me seriozitetin që meritojnë.

Kosova ka kaluar nëpër një histori të dhimbshme për ta fituar lirinë dhe pavarësinë e saj. Pikërisht për këtë arsye, institucionet e saj nuk mund të trajtohen si instrumente të rivaliteteve të përditshme partiake.

Në një shtet demokratik, politikanët vijnë dhe shkojnë, qeveritë ndryshojnë dhe shumicat parlamentare ndërrohen. Por Republika mbetet. Institucionet mbeten. Përgjegjësia ndaj qytetarëve mbetet”, është shprehur ai.

Në fund, Gashi vlerëson se zgjedhja e Presidentes duhet të shërbejë si një mundësi për një qasje të re politike, ku përgjegjësia shtetërore vendoset mbi interesat individuale dhe partiake.

“Prandaj, zgjedhja e Presidentes Justina Shiroka-Pula duhet të shënojë më shumë se sa fundin e një bllokade. Ajo duhet të jetë një mundësi për një kulturë tjetër politike, ku përgjegjësia shtetërore vendoset mbi egon individuale dhe interesin partiak.

Normaliteti institucional nuk arrihet vetëm duke zgjedhur një Presidente në momentet e fundit të afateve kushtetuese. Ai dëshmohet atëherë kur institucionet funksionojnë çdo ditë, kur kompromiset arrihen në kohë dhe kur përgjegjësit politikë e kuptojnë se mandati i tyre është shërbim ndaj Republikës, jo privilegj personal.

Politika nuk është arti i bllokimit të shtetit. Politika është përgjegjësia për ta udhëhequr, zhvilluar dhe forcuar atë.

Kjo duhet të vlejë për çdo parti, për çdo deputet dhe për çdo përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Dhe në fund, dua të theksoj një parim themelor:

Askush nuk është më i madh se Republika e Kosovës. Asnjë parti, asnjë lider dhe asnjë ego personale nuk mund të qëndrojë mbi shtetin dhe institucionet e tij.

Kosova e ka fituar pavarësinë me shumë sakrifica. Tani përgjegjësia e klasës politike është ta dëshmojë çdo ditë se di ta udhëheqë dhe ta zhvillojë këtë shtet me dinjitet, përgjegjësi dhe vizion afatgjatë”, përfundoi Gashi për “Bota sot”.

të fundit

Hetimi i The Times: Infantino mori pagesa shtesë që nuk u përfshinë në raportin vjetor të FIFA-s

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), Gianni Infantino, përveç të ardhurave të tij të raportuara zyrtarisht, mori miliona dollarë…

1 minute ago

EMRI/ Parandalohet një v*asje për hakmarrje në Kurbin, arrestohet 37-vjeçari,

Policia e Lezhës ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale, që dyshohet se po përgatitej për hakmarrje pas vrasjes së…

5 minutes ago

Deputetët kërkojnë forcim të diplomacisë parlamentare për çështjen e ish-krerëve të UÇK-së

Çështja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe angazhimi i diplomacisë parlamentare u diskutuan në mbledhjen e Komisionit për…

8 minutes ago

Drejtorisë së Policisë në Mitrovicë të Veriut i vihet në dispozicion një dron profesional

Sindikata e Policisë së Kosovës ka pranuar një dron profesional nga një donator, të cilin më pas ia ka ndarë…

9 minutes ago

Arrestohet 48-vjeçari në Strumicë, policia sekuestron heroinë dhe kokainë

Në shtëpinë e 48-vjeçarit Lj.Gj. në Strumicë është kryer kontroll, gjatë të cilit janë gjetur pako me heroinë dhe kokainë,…

9 minutes ago

Abdixhiku calls for resuming Strategic Dialogue with the US in meeting with Shaheen and Durbin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka takuar sot në Prishtinë senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin,…

14 minutes ago