Doganierët kroatë, kontrolle në automjetin e një shqiptari të Kosovës, i gjenden 11 kallashnikovë

Zyrtarët doganorë të Kroacisë kanë gjetur 11 pushkë automatike në automjetin e një shqiptari nga Kosova. Mediat bëjnë me dije se armët u zbuluan gjatë kontrollit të një automjeti mallrash, i përdorur për transportimin e makinave, me targa të Kosovës në pikën kufitare Tovarnik afër Vukovarit.

Gjithashtu mësohet se gjatë kontrollit të detajuar të një prej makinave të dyshuara, në mjetin transportues, përveç 11 pushkëve automatike, u gjet edhe municioni përkatës.

Nga ana tjetër, mediat në rajon raportojnë se drejtuesi dhe një pasagjer në mjetin e transportit, po udhëtonin për në Zvicër. Ndërkohë, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale të posedimit të paautorizuar të armëve dhe eksplozivëve, policia kroate do të dorëzojë kallëzim penal kundër shoferit dhe bashkëudhëtarit.


Shtuar 4.06.2025 23:26