Zbulohet misteri më shumë se 4000-vjeçar: Si u ndërtuan piramidat e Gizës?

Shkencëtarët besojnë se më në fund kanë zbardhur misterin e ndërtimit të piramidave në Egjiptin e lashtë, të cilat i kanë rezistuar kohës për mijëra vjet.

Studiuesit në Universitetin e Wilmington në Karolinën e Veriut kanë gjetur një degë të Nilit nën rërën e shkretëtirës që ka të ngjarë të shërbejë si një rrugë ujore për të transportuar blloqe të mëdha guri dhe materiale të tjera të nevojshme për ndërtimin e piramidave.

Për vite me radhë, arkeologët kanë spekuluar se egjiptianët e lashtë përdorën një rrugë ujore për të transportuar blloqet masive prej guri dhe materiale të tjera të nevojshme për ndërtimin e piramidave. Megjithatë, vendndodhja e saktë nuk dihej deri më tani.

Studiuesit përdorën një kombinim të të dhënave satelitore të radarëve, anketave gjeofizike dhe sondazheve të tokës për të hartuar këtë rrjedhë të fshehur ujore.

Dega e sapo zbuluar e lumit Ahramat, e quajtur sipas fjalës arabe për piramidë, shtrihet për rreth 64 kilometra dhe u zbulua me ndihmën e të dhënave satelitore dhe testeve gjeofizike. Besohet se ka ndërtesa dhe tempuj të panumërt të fshehur përgjatë rrjedhës së saj, të cilat ende nuk janë zbuluar.

Mbeten të paqarta arsyet pse kjo degë tha apo u zhduk. Me shumë mundësi, për këtë ka kontribuar periudha e gjatë e thatë, për shkak të së cilës rëra e shkretëtirës groposi ngadalë shtratin e lumit, sipas shkencëtarit Eman Goneim, raporton Euronews.

Jeta e shoqërive antike varej nga lumenjtë

Arkeologët kanë dyshuar prej kohësh se egjiptianët përdorën rrugë ujore për të transportuar blloqe të mëdha guri të nevojshme për ndërtimin e piramidave.

“Por askush nuk ishte i sigurt për formën, madhësinë ose afërsinë e asaj rruge ujore me vendin e piramidave”, i tha Goneim AFP.

Piramidat në Giza qëndrojnë në një pllajë rreth një kilometër larg brigjeve të lumit dhe shumë prej tyre kishin shtigje ceremoniale që kalonin përgjatë lumit dhe të çonin në tempuj.

Zbulimi mund të japë gjithashtu një përgjigje për pyetjen se pse piramidat u ndërtuan në vende të ndryshme.

“Rrjedha e ujit dhe shtrati i tij ndryshuan me kalimin e kohës, kështu që dinastia e katërt e mbretërve mori vendime shumë të ndryshme në krahasim me dinastinë e 12-të. Zbulimi më kujtoi lidhjen e ngushtë midis gjeografisë, klimës, mjedisit dhe sjelljes njerëzore”, tha Goneim.


Shtuar 18.05.2024 12:52