Pse një film, libër apo citat “na ndryshon jetën”… por vetëm për disa orë?

Ke parë ndonjëherë një film që të trondit shpirtin? Ke lexuar një citat që të ngjalli një ndjenjë të fortë “unë duhet të ndryshoj”? Dhe pastaj… pas pak orësh, ishe sërish aty ku ishe më parë?

Nuk je vetëm. Kjo është një ndjenjë shumë njerëzore, dhe psikologjia ka një shpjegim për të.

Truri ynë e shpërblen imagjinatën si realitet

Kur ndeshemi me një ide transformuese, truri jonë aktivizon atë që quhet “vetja e mundshme”, një version ideal i vetes që mund të bëhemi. Kjo na jep një ndjesi euforike, si të kemi zbuluar një të vërtetë të madhe.

Por kjo ndjenjë është një mashtrim i bukur. Truri na shpërblen jo për atë që kemi bërë, por për atë që mendojmë se do bëjmë. Dhe kështu, vetëm duke imagjinuar ndryshimin, ndiejmë sikur kemi përfunduar punën.

Për çudi, kjo na bën më pak të motivuar për të ndryshuar

Kur ndiejmë sikur e kemi kuptuar jetën, na pushton një ndjenjë përmbushjeje e parakohshme. Dhe kjo ul gatishmërinë për të bërë ndryshimin real, që kërkon përpjekje, diskomfort dhe kohë.

Në vend që ta përdorim frymëzimin si nxitje për veprim, e përdorim si zëvendësim të veprimit.

Pse rezistojmë ndaj ndryshimit, edhe kur e duam?

Sepse çdo ndryshim i vërtetë kërcënon identitetin tonë ekzistues. Truri kërkon stabilitet. Kur diçka bie ndesh me mënyrën si e shohim veten, aktivizohet një rezistencë e brendshme: harrojmë, justifikohemi, e shtyjmë për nesër.

Nuk është dobësi. Është një mbrojtje e zgjuar psikologjike ndaj pasigurisë.

Frymëzimi është një “dritare” që mbyllet shpejt

Kur ndiejmë një moment të thellë kuptimi, ne shkëputemi për pak çaste nga vetja e zakonshme. Por sapo kthehemi te rutina, telefonat, njerëzit e zakonshëm, presionet e zakonshme… ai version ideal i vetes tretet.

Dhe për të rikthyer ndryshimin, duhet ta bëjmë brenda asaj jete të zakonshme, jo vetëm gjatë momenteve të ndriçimit emocional.

Gjendja “e nxehtë” dhe gjendja “e ftohtë”

Kur jemi të frymëzuar, jemi në një “gjendje të nxehtë” – emocionalisht të angazhuar, reflektues, me sens kuptimi. Por jeta ndodh zakonisht në gjendje “të ftohtë”, rutinë, automatike, neutrale.

Ajo që dukej e mençur kur ishe i prekur, nuk ka më kuptim kur je në mes të ditës me plot zhurmë dhe angazhime.

Si ta mbash frymëzimin gjallë?

Duke ndërtuar ura mes këtyre dy botëve. Me struktura konkrete, zakone të reja dhe praktikë të qëndrueshme. Jo me emocione spontane, por me veprim të përsëritur.

Frymëzimi është vetëm zgjimi. Ndryshimi ndodh kur zgjohesh çdo ditë, edhe kur nuk ke më frymëzim.


Shtuar 7.08.2025 12:43

Tags: ,