Geraldina ia kushtoi jetën djalit të saj, i cili u shpall Mbret i Shqipërisë në një dhomë hoteli në Paris, menjëherë pas vdekjes së babait të tij. Në vitin 1997, ai u kthye me nënën e tij në Tiranë dhe u mbajt një referendum nëse monarkia duhej rikthyer në Shqipëri. Vetëm 30% e shqiptarëve votuan në favor të monarkisë, kështu që vendi mbeti një republikë
Më 27 prill 1938, Geraldina u bë Mbretëresha e Shqipërisë. Ajo është një shembull prekës sesi rrethanat, historia dhe njerëzit mund të manovrojnë fatin e një vajze të bukur. Kthesat e jetës i dhanë një shans të vetëm: për të përballuar gjithçka që i doli para në rrugën e saj. Kontesha Geraldine Apponyi de Nagy-Appony ishte vajza e një konti të varfëruar hungarez dhe një trashëgimtareje amerikane. Lindi në Budapest, që asokohe në vitet ’20-të ishte pjesë e perandorisë austro-hungareze.
Kaloi një fëmijëri të lumtur në pronat e familjes, por gjatë kohës që ishte adoleshente, familja e saj ishte e falimentuar. Kështu u detyrua të punonte me kohë të pjesshme. Kontesha e re dhe e hijshme shiste kartolina në muzeun e Budapestit pasdite, ndërsa mëngjeset i kushtoheshin orëve të zyrës në kompani të ndryshme, ku bënte detyra sekretarie. “Histori Hirusheje?” Ndoshta… me një kthesë.
Në moshën 17-vjeçare, jeta e saj ndryshoi në mënyrë dramatike… jo nga një këpucë e humbur, por nga një fotografi, e cila u shkrep në një ballo që e prezantoi me shoqërinë hungareze.
Jo shumë larg Hungarisë, në Shqipëri, presidenti Amet Bej Zogu e kishte shpallur veten Mbret Zog I dhe ishte i etur për të siguruar vazhdimësinë e dinastisë së tij të sapoformuar. Një rioshe e bukur do të kishte qenë zgjidhja perfekte. Zogu ishte i vetëdijshëm se popullariteti i familjes së tij do të shtohej nga një fytyrë e re dhe e pafajshme që njerëzit mund ta konsideronin “Mbretëreshën e tyre”.
Ai dërgoi motrat e tij në Vjenë dhe Budapest, në kërkim të një gruaje të përshtatshme dhe ato u kthyen me një numër fotografish që Mbreti mund të zgjidhte. Duke parë foton e Geraldinës, ai i hoqi tej të gjitha fotot e tjera të paraqitura. Mbreti u magjeps menjëherë dhe e ftoi Konteshën hungareze në Tiranë. Nuk ishte një histori dashurie e zakonshme. Ajo ishte 22, ai ishte 42 dhe dukej shumë më i moshuar. Ajo nuk fliste shqip dhe nuk dinte asgjë për vendin ku do të mbretëronte. Ai ishte mësuar më shumë me debate politike dhe ishte i shqetësuar për të ardhmen e vendit të tij në kontekstin e Luftës së Dytë Botërore sesa të interesohej për të argëtuar zonjushat e reja. Por Geraldina e vlerësoi atë për “pjekuri dhe autoritet” dhe pranoi propozimin e tij për martesë.
Dasma u zhvillua më 27 prill 1938, në Tiranë dhe fotografitë e atyre kohërave shfaqin një nuse të re të qeshur dhe një dhëndër serioz, një kontrast që do të shënojë gjithë jetën e tyre martesore. Ndoshta vlen të përmendet se dëshmitari kryesor në dasmën e tyre ishte Konti Ciano, i dërguari i Musolinit dhe se të sapomartuarit morën një Mercedes të kuq si dhuratë nga Hitleri. Geraldina do të kalonte vetëm 354 ditë si Mbretëreshë në Shqipëri, por burri i saj e rrethoi atë me një luks që do ta mbante mend për pjesën tjetër të jetës së saj të mërguar. Ajo kishte më të mirën prej gjithçkaje: shtëpi, stoli, fustane… Asgjë nuk ishte shumë e shtrenjtë për Mbretëreshën e tij të dashur. Në prill të vitit 1939, pikërisht një vit pas martesës së tyre, ajo u bë nëna e Lekës së vogël, i cili mori titullin e Princit të Kurorës. Por historia humbi durimin e saj dhe, njëmbëdhjetë ditë më vonë, Italia pushtoi Shqipërinë. Mbreti, Mbretëresha dhe princi i tyre ikën në Greqi.
Fjalët e fundit të Zogut, transmetuar shqiptarëve, qenë të “luftonin deri në pikën e fundit të gjakut për të mbrojtur pavarësinë tonë”. Ai nuk do të kthehej më kurrë në Shqipëri.
Gjatë viteve në vijim, Geraldina dhe Zog-u jetuan në Britani. Fillimisht në hotelin Ritz në Londër dhe, më pas, në një shtëpi madhështore me qira. Pas përfundimit të luftës në Evropë, ata u transferuan në Egjipt si mysafir të Mbretit Farouk (ku Geraldina kaloi vitet më të mira të jetës së saj, siç deklaronte më vonë) derisa vetë monarku egjiptian u rrëzua, në 1952. Familja mbretërore shqiptare u vendos përfundimisht në Paris, ku Zogu vdiq në 1961. Geraldina ia kushtoi jetën djalit të saj, i cili u shpall Mbret i Shqipërisë në një dhomë hoteli në Paris, menjëherë pas vdekjes së babait të tij. Në vitin 1997, ai u kthye me nënën e tij në Tiranë dhe u mbajt një referendum nëse monarkia duhej rikthyer në Shqipëri. Vetëm 30% e shqiptarëve votuan në favor të monarkisë, kështu që vendi mbeti një republikë. Në muajt e fundit të jetës së saj të gjatë, Mbretëresha Geraldine u vendos në Tiranë. Ajo vdiq në 2002, e rrethuar nga familja e saj, e cila përfshinte Mbretëreshën Susan, gruan e lindur në Australi të Lekës dhe djalin e tyre, Princin e Kurorës Leka. Një rreth i jetës dhe detyrës mbretërore u mbyll.