India ndalon shoqatën e bamirësisë së Nënë Terezës të marrë fonde nga jashtë

Qeveria indiane ka bllokuar shoqatën e bamirësisë të themeluar nga Nënë Tereza që të marrë fonde nga jashtë, disa ditë pas një hetimi të policisë në lidhje me “lëndimin e ndjenjave fetare të hinduve” (hinduizëm – fe indiane, e cila është feja e tretë më e përhapur në botë).

Shoqatës “Misionarët e Bamirësisë”, e cila u themelua nga Nënë Tereza në vitin 1950 dhe drejton një rrjet strehimoresh në të gjithë Indinë ku murgeshat ndihmojnë të varfërit, iu mohua licenca për të vazhduar marrjen e fondeve nga jashtë, duke ndërprerë burimet jetike të të ardhurave.

Ekstremistët hindu kanë akuzuar shoqatën se ka bërë konvertime të detyruara të hinduve. Sipas tyre, shoqata ka konvertuar vajza hindu në fenë e krishterë dhe i ka “joshur” vajzat dhe gratë e varfra që të bëhen të krishtera.

Një zëdhënës i shoqatës “Misionarët e Bamirësisë” i hodhi poshtë të gjitha akuzat duke i konsideruar të pabaza. “Ne nuk kemi konvertuar askënd ose nuk kemi detyruar askënd të përqafojë besimin e krishterë.”

Së fundmi, është përhapur qasja ekstremiste ndaj fesë së krishterë, ku pastorët e krishterë janë sulmuar dhe meshat e kishave janë ndërprerë nga grupe nacionaliste hindu.


Shtuar 29.12.2021 12:40