I vizatoi sy “për të shtyrë kohën”, roja shkatërron pikturën 1 milionë dollarëshe

Një veprim i kryer “për të shtyrë kohën” mund t’i kushtojë shtrenjtë një roje sigurie në Rusi, pasi ai i ka shkaktuar dëme një pikture që ndodhej në Qendrën Yel’tsin, një qendër sociale, kulturore dhe arsimore e hapur në vitin 2015, në qytetin Ekaterinburg.

Sipas medias ruse “The Art Newspaper”, piktura është vepër e artistes ruse Anna Leporskaya, e cila ka lindur në vitin 1900 dhe ka vdekur në Shën Pjetërburg, në vitin 1982. Veprës, emri i së cilës është “Tre Figurat”, i janë vizatuar me stilolaps tre palë sy, një për secilën figurë.

Piktura ka qenë pjesë e koleksionit të Galerisë Shtetërore Tretyakov, derisa u transferua në Ekaterinburg për të qenë pjesë e një ekspozite të artit abstrakt.

Vepra e artit vlerësohet në 74,9 milionë rubla, që është e barabartë me 1 milion $. Sipas raportimeve nga galeria e Ekaterinburgut, piktura tashmë është transferuar në Moskë, për t’iu nënshtruar një procesi restaurimi dhe riparimi të dëmeve të shkaktuara nga roja, dënimi për të cilin mund të jetë një gjobë prej 40 000 rublash (420 $).

Por, disa media theksojnë se ekziston mundësia edhe e dënimit me 3 muaj burg.


Shtuar 13.02.2022 12:19