Një rus ka notuar për më shumë se 20 km nga ishulli rus i veriut te Paqësorit, Kunashir drejt qytezës japoneze të Shibetsu në ishullin Hokkaido, ku kërkoi azil politik kësaj të diele.
Autoritetet japoneze ende nuk kanë konfirmuar zyrtarisht identitetin e azil-kërkuesit rus, por burimeve të mediave të atjeshme thonë se bëhet fjalë për 38- vjeçarin Vaas Feniks Nokard, i lindur në Izhevsk.
Ai është ndaluar nga autoritetet japoneze dhe dërguar në stacionin e policisë së Hokkaido ku po merret në pyetje për udhëtimin e jashtëligjshëm.
Një burim i paidentifikuar tha për rrjetin rus RIA Novosti: “Duket se kishte veshur një kostum noti. Ka kaluar të gjithë ngushticën prej 20 kilometrash vetëm me not”.
Nokard raportohet se është deportuar nga autoritetet japoneze në 2011 për shkelje të afateve të vizës, dhe të tjera të dhëna tregojnë se burri është deportuar edhe nga Tailanda e Bali.
Burimet që zbulonin identitetin e personit bënin një portret kryesisht negativ të tij.
“Ai ka jetuar në ishujt Kuril prej tre vjetësh, nuk punonte ndokund, ka jetuar në fshatin Golovino, flinte në tendë ose bashkohej me këdo që takonte”, shtonin ato.
Zëdhënësi qeveritar japonez Katsunobu Kato tha dje se qeveria do të marrë “masat përkatëse” pas konfirmimit të ardhjes ilegale të rusit, sipas RIA.
Shibetsu, vendndodhja ku raportohet se ka ardhur refugjati, është një qytezë e vogël peshkatarësh me disa mijëra banorë, dhe një nga pak vende në Japoni ku nuk mund të shkohet me tren.
Në një raportim të ‘Novaya Gazeta’, Nokard përshkruhej si adhurues i kulturës japoneze.
Ndërsa autoritetet ruse në Yuzhno-Kurilsk thanë se refugjatit i ishte dhënë tokë falas si pjesë e programit të ripopullimit të rajoneve të Lindjes së Largët./tch