Aplikacioni i mesazheve WhatsApp ka denoncuar një përpjekje të autoriteteve ruse për të bllokuar funksionimin e tij në vend, duke pretenduar se masa synon t’i detyrojë përdoruesit të kalojnë në një platformë komunikimi të kontrolluar nga shteti.
Reagimi erdhi pasi edhe aplikacioni Telegram u përball me kufizime gjatë kësaj jave, në kuadër të masave të ndërmarra nga Moska ndaj platformave të huaja digjitale. Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, kompania Meta – pronare e WhatsApp – bëri të ditur se qeveria ruse tentoi ta bllokonte plotësisht shërbimin.
Sipas Metës, një veprim i tillë do të privonte mbi 100 milionë përdorues në Rusi nga një mjet komunikimi privat dhe i sigurt, duke rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë dhe privatësinë e tyre. Kompania theksoi se po punon për të siguruar vazhdimësinë e shërbimit dhe për të mbrojtur aksesin e përdoruesve.
Ndërkohë, rregullatori rus ka vendosur kufizime edhe ndaj Telegram, duke e akuzuar platformën për shkelje të legjislacionit kombëtar dhe për mosmarrjen e masave të mjaftueshme për të parandaluar përdorimin e saj për qëllime terroriste. Themeluesi i Telegram, Pavel Durov, reagoi duke deklaruar se kufizimi i lirive nuk përbën zgjidhje dhe se autoritetet po përpiqen të orientojnë qytetarët drejt një aplikacioni të kontrolluar nga shteti.
Autoritetet ruse po promovojnë aplikacionin e ri “Max”, në pronësi të kompanisë VK, i cili ofron edhe akses në shërbime qeveritare online. Që prej verës, Rusia ka ndaluar gjithashtu thirrjet zanore përmes WhatsApp dhe Telegram, duke shtuar presionin ndaj platformave të huaja të komunikimit.
