Kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai, u paraqit sot sërish në SPAK, ndërsa ndaj tij vijon hetimi për disa vepra penale të lidhura me tenderat publikë.
SPAK ka vendosur të zgjasë me tre muaj afatet hetimore, deri në shkurt, për Isain dhe pesë zyrtarë të tjerë të Bashkisë Kolonjë, të akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”, “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentash”. Hetimi lidhet me dy tendera: atë të rrugës Korçë–Ersekë dhe projektin e ujësjellësit të Kolonjës.
Procedurat për rrugën Korçë–Ersekë konsiderohen të “kopsitura”, ndërsa zgjatja e hetimeve duket se lidhet kryesisht me ujësjellësin e Kolonjës.
Ndërkohë, vetëm pak javë më parë, në ambientet e SPAK u pa duke hyrë dhe dalë pa shumë bujë edhe bashkëshorti i Ministres së Jashtme Elisa Spiropali, Salarjon Totaj.
Ai njihet për angazhime të hershme në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve dhe për përfshirjen në tenderin e njohur për blerjen e sahateve të ujit. Ka raportime që lidhin praninë e Totajt me atë të Isait në SPAK, megjithatë mbetet për t’u parë çfarë provash reale ka SPAK dhe nëse ka diçka konkrete që i lidh të dy personazhet me tenderin në fjalë.
“Shefe” sille shpejt, zjarr….
Në dosjen e SPAK mbi Isain janë përfshirë edhe biseda të sekuestruara nga telefoni i Entela Çanos, administratore e kompanisë “A&E Engineering”, e cila ka fituar tenderin për mbikëqyrjen e ujësjellësit të Ersekës.
Komunikimet e publikuara tregojnë ndërveprim të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm mes Erion Isait dhe Çanos, duke përfshirë përcjelljen e preventivave, ndryshimin e parametrave teknikë dhe orientimin e vlerave të parashikuara në dokumente.
Në bisedat mes tyre, Isai i kërkon Çanos që “të sjellë preventivat sa më shpejt”, ndërsa e quan shpesh “shefe”, duke i referuar si personi që përgatiste projektet për t’u kaluar në këshillin teknik.
Në një rast, Isai i shkruan: “Me duhet deri te premten… një zjarr, të lutem”, duke i kërkuar që të përshpejtojë dokumentet e ujësjellësit për 13 fshatra.
Në mesazhet e tjera diskutohet ulja e parametrave, shifrat maksimale të vlerës së punimeve dhe nevoja për t’i “vulosur” dokumentet në kohë.
Nga të dhënat del se preventivat janë përgatitur dhe modifikuar në komunikim të drejtpërdrejtë mes zyrtarëve të bashkisë dhe kompanisë fituese, ndërsa vlerat totale për projektet rezultojnë të jenë 386 milionë lekë dhe një variant tjetër prej 390 milionë lekësh, të dërguara brenda të njëjtës ditë.
Bisedat e vitit 2020 të përfshira në dosje tregojnë se Isai jepte udhëzime specifike për kostot e tubacioneve dhe materialeve, duke kërkuar “sa më shpejt” përgatitjen e dokumenteve. Mes komunikimeve dallohet një raport i afërt personal dhe profesional mes tij dhe Çanos, të cilës i shkruan “je yll” ndërsa i kërkon të dorëzohen listat e fshatrave dhe vlerat përkatëse. /skyweb.al
