Legjenda e muzikës rock, Ozzy Osbourne, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare, vetëm dy javë pas performancës së tij të fundit në Birmingham.
I njohur si “Princi i Errësirës”, Osbourne ishte diagnostikuar me Parkinson në vitin 2019, por pavarësisht sfidave shëndetësore, ai vazhdoi të qëndrojë aktiv dhe pranë publikut deri në fund.
Familja e tij konfirmoi lajmin përmes një deklarate emocionale, ku theksoi se ndërroi jetë i rrethuar nga të afërmit dhe dashuria e tyre, ndërsa u kërkua respekt për privatësinë e tyre në këtë moment të vështirë.
Vdekja e Ozzy-t shkaktoi reagime të shumta nga kolegët dhe figurat më të njohura të botës së muzikës dhe artit.
Grupi legjendar “Black Sabbath”, me të cilin shkroi historinë e zhanrit ‘heavy metal’, publikoi një mesazh të thjeshtë: “Ozzy përgjithmonë”.
Basisti i grupit, Geezer Butler, shprehu mirënjohjen për mundësinë që u ribashkuan për një herë të fundit në vendlindjen e tyre, ndërsa Tony Iommi tha se ishte i tronditur nga lajmi dhe se “nuk do të ketë kurrë një tjetër si ai”.
Edhe Bill Ward e kujtoi me mall, duke thënë se Ozzy do të mbetet gjithmonë në zemrën e tij.
Osbourne nuk ishte thjesht një këngëtar, por një ikonë e pazëvendësueshme që ndryshoi historinë e muzikës rock me zërin, stilin dhe karizmën e tij unike.
Vdekja e tij shënon fundin e një epoke, por trashëgimia që ai la pas do të jetojë përjetësisht në zemrat e miliona fansave në mbarë botën.