Lidhja e Bizneseve të Kosovës e ka vlerësuar si një lajm shumë pozitiv vendimin e Komisionit Evropian për heqjen e masave financiare ndaj Kosovës. Sipas tyre, ky vendim paraqet një zhvillim të rëndësishëm dhe inkurajues për ekonominë e vendit, duke hapur rrugë për më shumë mundësi financiare dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Masat, të cilat ishin në fuqi për një periudhë të caktuar, konsiderohen se kishin ndikuar negativisht në sektorin e biznesit, duke kufizuar qasjen në fonde dhe duke penguar realizimin e projekteve zhvillimore.
Heqja e tyre, sipas Lidhjes së Bizneseve, pritet të përmirësojë klimën e investimeve, të lehtësojë bashkëpunimin ekonomik me partnerët ndërkombëtarë dhe të ndikojë në rritjen ekonomike të Kosovës. Lidhja ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të reformave dhe forcimit të partneritetit me institucionet evropiane, me qëllim të sigurimit të zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit në tregjet e Bashkimit Evropian.
Një ditë më parë Komisioni Evropian ka konfirmuar se janë hequr të gjitha masat financiare ndaj Kosovës.
Kjo u bë e ditur gjatë debatit për raportin për Kosovën që u zhvillua në Parlamentin Evropian. Gjatë debatit u shpreh keqardhje për vitin e humbur në Kosovë për shkak të ngërçit politik që përshkoi tërë vitin 2025.
Vendimi erdhi pak ditë pasi në Prishtinë u arrit edhe një marrëveshje për Ligjin për të Huajt. Zyrtarët nga shërbimi i jashtëm europian thanë se “Ne i mirëpresim hapat e ndërmarrë nga Kosova në lidhje me ruajtjen e sundimit të ligjit. Kjo do t’u mundësojë serbëve të Kosovës të vazhdojnë të banojnë, studiojnë dhe punojnë në Kosovë ligjërisht, sipas ligjit të Kosovës”. Marrëveshja, sipas përfaqësuesve evropianë, është dëshmi se dialogu po sjell rezultate.
