Tregu i sigurimeve ka hyrë në një rrjedhë të rrezikshme gjatë muajve të fundit me largimin e austriakëve të Uniqa Group Austria, ku kompani që kanë një pjesë të mirë të tregut po rrisin ndjeshëm të ardhurat nga primet për siguracionet e makinave, ndërkohë që ulin në mënyrë të vazhdueshme dëmshpërblimet ndaj shoferëve të aksidentuar.
Skyweb.al, është një ndër mediat që ka raportuar vazhdimisht në lidhje me këtë treg dhe vëren se interesat e qytetarëve janë duke u cënuar me bekimin e AMF, një institucion i cili duket tërësisht i atrofizuar dhe bunkerizuar nën drejtimin e zonjës Mimoza Kaçi, duke funksionuar më shumë si noter i z.Avni Ponari se sa në rolin e rregullatorit.
Më herët, skyweb.al raportoi në lidhje me këtë fenomen në tregun e sigurimeve, ku të ardhurat rriten, ndërkohë që dëmshpërblimet ulen, duke bërë pjesë të analizës edhe mundësinë e ndonjë zhvillimi sezonal, por dalja e statistikave të qershorit, konfirmon të kundërtën: Qytetarët shqiptarë janë duke paguar sigurime pa u dëmshpërblyer! Dhe e gjitha kjo duket e organizuar.
Më konkretisht.
Gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, kompanitë e sigurimeve realizuan rreth 87 milionë euro të ardhura nga primet prej sigurimeve motorike ose rreth 11 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa kanë paguar vetëm 23 milionë euro dëmshpërblime.
Kompania SIGAL zë peshën më të madhe në këtë treg duke realizuar rreth 20 milionë euro të ardhura nga primet e sigurimeve motorike gjatë janar-qershor 2025, ndërkohë që rezulton sipas të dhënave të AMF që ka paguar vetëm 6 milionë euro dëme ose rreth 7.5 për qind më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë edhe pse të ardhurat gjatë gjysmës së parë të 2025 janë rritur me 13% për këtë segment të tregut të sigurimeve.
Ironia qendron në faktin se një kompani tjetër, edhe pse nuk ka numrin e kontratave të sigurimeve motorike të SIGAL, paguan më shumë dëmshpërblime se sa kjo e fundit.
Skyweb.al konstaton se trendi rënës në dhënien e dëmshpërblimeve nga SIGAL ka nisur që në mars 2025 (shih grafikun), periudhë e cila përkon me rikthimin e z.Avni Ponari si aksioner i vetëm i kësaj kompanie pas largimit të austriakëve të Uniqa Group Austria.
Të dhënat tregojnë se në mars 2025, dëmshpërblimet e SIGAL për sigurimet motorike ranë me rreth 3 për qind; në prill ranë me 1.28%; në maj ranë me 4.83% dhe në qershor ranë me rreth 7.5%.
Redaksia kontaktoi me SIGAL duke kërkuar një koment mbi shkaqet e treguesve të mësipërm, por kompania zgjodhi të mos përgjigjej deri në publikimin e këtij shkrimi.
AMF vijon të mos ketë asnjë reagim mbi treguesit problematikë të tregut të sigurimeve pavarësisht insistimit të redaksisë për një qendrim.
Largimi i Uniqa Group Austria është një sinjal i keq për tregun e sigurimeve në Shqipëri, pasojat e të cilave nisëm t’i shohim që tani me degradimin e rrëzikshëm të këtij tregu edhe nga kompani që pritej të ishin pararojë për shkak të eksperiencës austriake.
Bunkerizimi i AMF
Degragimi i tregut të sigurimeve në Shqipëri, ku qytetarët paguajnë më shumë dhe dëmshpëblehen më pak, ndryshe nga sa ka qenë më parë, është duke ndodhur nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
AMF është institucioni rregullator i tregut të sigurimeve dhe gjatë dekadës së fundit ka patur një rol qendror dhe në mbështetje të interesave të qytetarëve shqiptarër, por situata ka ndryshuar muajt e fundit.
Sëfundmi, AMF është duke shërbyer jo si institucion rregullator i tregut, por si zyrë noterie për aktorë që ikin dhe rikthehen në treg dhe kur rikthehen duan t’i bëjnë rregullat e lojës sipas interesit të tyre.
Miratimi i koeficientëve të rinj të rriskut ku favorizoheshin ndjeshëm kompanitë e sigurimeve duke dëmtuar interesat e qytetarëve, ishte sinjali i parë që gjërat kishin nisur të ndryshonin për keq në AMF, ndërkohë që në treg po futej Avni Ponari. Koecientët e rinj hynë në fuqi në janar 2025, ndërsa z.Ponari mori frenat e SIGAL pak javë më vonë.
Rastësi?
/skyweb.al