Dy personat e plagosur nga atentati i sotëm (3 shtator) në zonën e Don Boskos ndodhen në spitalin e Traumës në Tiranë. 22-vjeçari Metushi duket në gjendje më të mirë shëndetësore, ndërsa Kastriot Elezi paraqitet në gjendje më të rëndë.
Pas ngjarjes, policia ka gjetur një automjet Golf të djegur në zonën e Kamzës, që dyshohet se e kanë përdorur autorët e krimit. Ndërsa autoritetet janë përqendruar në disa pista hetimit.
Drejtori i Policise Tirane, Tonin Vocaj tha se targat nuk janë të vjedhura, por numri i shasisë nuk përputhet me automjetin origjinal. Po ashtu ne vendin e ngjarjes janë gjetur 7 gëzhoja, të nxjerra nga një armë zjarri. Në makinë është gjetur një armë zjarri e cila po analizohet.
Dy personat, 45-vjeçari Kastriot Elezi dhe 22-vjeçari Ronaldo Metushi kanë qenë duke pirë kafe në verandën e një lokali, kur tre autorët janë shfaqur aty pranë me një makinë, kanë qëlluar dhe janë larguar me shpejtësi.
Dyshohet se është qëlluar me armë të pajisur me silenciator, pasi nuk janë dëgjuar të shtënat. Drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj tha se në vendngjarje janë sekuestruar 7 gëzhoja.
Nga të shtënat, njëri është plagosur në këmbë, ndërsa tjetri në shpatull. Ata ndodhen në spital ku po marrin ndihmë mjekësore.
Nga hetimet paraprake, rezulton se Elezi është person me precedent kriminal. Ai kishte vetëm pak muaj që ishte kthyer në Shqipëri, pasi kishte përfunduar dënimin në Itali për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.
Elezi dyshohet se ka qenë shënjestra e atentatit, ndërsa po shihet e shkuara e të dy të plagosurve për të përcaktuar dhe pistat e hetimit që do të bëjnë të mundur zbardhjen e ngjarjes së rëndë kriminale në kryeqytet.
Drejtori i policisë së Tiranës tha se kanë pamjet filmike të kamerave të sigurisë dhe kjo do t’i ndihmojë për të hedhur dritë mbi zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë.
“Mendohet se kanë qenë tre persona, përfshirë edhe drejtuesin e mjetit.
Jemi duke analizuar këtë çështje, njëri prej tyre ka precedent penal, por ne jemi duke hetuar për begraundin që këta të plagosur kanë dhe për të studiuar konfliktet që këta mund të kenë, që do jenë edhe pistat e hetimit
Autorët kanë qëlluar nga automjeti. Ne kemi pamjet filmike për mënyrën si ka ndodhur ngjarja dhe kemi një ide me ngjarjen Është probabilitet që të kenë qenë të maskuar”, tha Tonin Vocaj.