AKSHI nuk gjen rehat, akuza të forta për favorizime edhe pas anulimit dhe rishpalljes së tenderit të kamerave të doganave

Pavarësisht anulimit dhe rishpalljes së tenderit për instalimin e kamerave të sigurisë në dogana, procedura vijon të përballet me akuza për probleme të rënda, favorizime dhe kufizim të konkurrencës së lirë. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), si organizatore e procesit, ka ndryshuar disa kërkesa teknike, por shqetësimet mbi mënyrën e hartimit të dokumentacionit dhe paracaktimin e fituesit mbeten ende të forta.

Pjesë nga ankesa e kompanisë CSP ndaj kritereve të AKSHI për tenderin e kamerave të doganave
Pjesë nga ankesa e kompanisë CSP ndaj kritereve të AKSHI për tenderin e kamerave të doganave

Siç raportoi më herët Skyweb.al, tenderi fillestar, me një vlerë prej 720 mijë eurosh, u anulua pasi Komisioni i Prokurimeve Publike (KPP) pranoi ankesën e kompanisë shqiptare CSP, e cila ngriti dyshime serioze mbi mënyrën e zhvillimit të procedurës dhe specifikimet teknike të vendosura. Sipas CSP, dokumentacioni i tenderit ishte hartuar në mënyrë të tillë që favorizonte pajisje specifike të prodhuara nga kompania kineze Univieë, e cila është e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkelje të të drejtave të njeriut.

Në tekstin e ankesës së parë, CSP theksonte se kërkesat teknike ishin të dizajnuara për të “qepur si kostum” një produkt të vetëm, duke përjashtuar çdo alternativë tjetër dhe duke shkatërruar garën reale mes operatorëve ekonomikë. Këto shqetësime u reflektuan edhe në presionin publik që u krijua, duke e detyruar AKSHI-n të anulojë tenderin për të evituar një tjetër skandal në fushën e prokurimeve publike dhe sigurisë.

Megjithatë, menjëherë pas rishpalljes së tenderit, kompania CSP ka paraqitur një tjetër ankesë pranë KPP-së, kësaj radhe me një ton akuzues edhe më të ashpër. Në ankesën e re, CSP pohon se ndryshimet në specifikimet teknike janë minimale dhe se në thelb ruhet i njëjti problem thelbësor: kriteret vazhdojnë të jenë të ndërtuara në mënyrë të tillë që të paracaktojnë fituesin.

CSP thekson se, sipas Ligjit për Prokurimet Publike (LPP), specifikimet teknike duhet të jenë ngushtë të lidhura me nevojat reale të projektit dhe jo të imponojnë zgjidhje të caktuara që sjellin rritje të pajustifikuara të kostove dhe kufizim të ndjeshëm të konkurrencës. “Në këtë rast kemi të bëjmë me një abuzim flagrant,” thuhet në ankesë, ku theksohet se këto veprime diskriminojnë operatorët me kapacitete financiare më modeste dhe synojnë të mbajnë të hapur garën vetëm për një grup shumë të kufizuar konkurrentësh.

Më tej, CSP deklaron se edhe KPP vetë ka pranuar argumentet e paraqitura në ankesën e parë, duke nënvizuar problematikën e rëndë të dokumentacionit teknik në tenderin e mëparshëm. Megjithëse procedura është rihapur, sipas CSP-së, nuk ka pasur një reflektim real mbi gabimet dhe shqetësimet e konstatuara.

Fakti që në tenderin fillestar parashikohej përdorimi i pajisjeve të një kompanie të sanksionuar nga aleatët strategjikë të Shqipërisë, siç është Univieë, duke ndërkohë kërkuar certifikata sigurie të nivelit të lartë për instaluesit e pajisjeve, ngriti pikëpyetje të forta mbi koherencën dhe integritetin e gjithë procesit. Edhe pas rishpalljes, procedura mbetet nën hijen e dyshimeve për paracaktim dhe mungesë transparence.

Mbetet për t’u parë nëse KPP do ta marrë në konsideratë sërish këtë ankesë për të çuar në një rishpallje të dytë të tenderit, të famshëm tashmë, të kamerave të sigurisë në dogana. /skyweb.al


Shtuar 2.05.2025 22:28