Një incident i shëmtuar ka ndodhur jashtë stadiumit “Elbasan Arena”, ku mbështetësit vendës kanë sulmuar fizikisht Emiljano Mustën. Futbollisti, i cili dikur aktivizohej me ekipin verdheblu, tashmë mbron ngjyrat e Vllaznisë dhe u bë objektiv i dhunës sapo doli nga ambjentet sportive.
Të lidhura
None found
Megjithëse takimi u luajt pa praninë e tifozëve, gjatë lojës u dëgjuan sharje të rënda ndaj Mustës nga disa të pranishëm. Situata u tensionua në maksimum pas vërshëllimës final, teksa lojtari po i drejtohej autobusit të skuadrës shkodrane dhe një grup personash e goditën me grushte. Pavarësisht pranisë së policisë në stadium, forcat e rendit nuk mundën të ndërhynin në kohë për të parandaluar agresionin.
Ishte ndërhyrja e shpejtë e bashkëlojtarëve të tij që shmangu një përshkallëzim më të rëndë të dhunës, duke i larguar agresorët. Pas përplasjes fizike, Musta arriti të shkëpuste kontaktin dhe të hipi në autobus për t’u tërhequr nga zona e rrezikut.
