Pak ditë përpara se të festojë ditëlindjen e 24-t, Bradley Barcola pritet të marrë si dhuratë një transferim historik në karrierën e tij.
Futbollisti francez, i aktivizuar në krahun e majtë të sulmit dhe autor i tre golave në Kupën e Botës së fundit, është shumë pranë largimit nga Paris Saint-Germain për t’iu bashkuar Liverpoolit.
Të lidhura
None found
Detajet e marrëveshjes mes dy klubeve janë bërë publike nga gazetari i njohur David Ornstein, i cili raporton se transferimi i Barcolas në Anfield është mbyllur.
Sipas tij, Liverpooli dhe PSG-ja kanë arritur dakordësinë përfundimtare. Klubi anglez do të paguajë 106 milionë funte, ose 125 milionë euro, si shumë fikse, ndërsa në marrëveshje parashikohen edhe 17 milionë funte, rreth 20 milionë euro, në formën e bonuseve.
Reprezentuesi i Francës pritet të kryejë testet mjekësore brenda 24 orëve, përpara se të firmosë kontratë pesëvjeçare me Liverpoolin, ka bërë të ditur Ornstein.
Barcola u transferua te PSG-ja nga Lyon tre vjet më parë, për një shumë prej 45 milionë eurosh.
Gjatë kësaj periudhe me klubin parisien, ai ka zhvilluar 152 ndeshje, në të cilat ka realizuar 39 gola dhe ka dhënë 37 asistime.
Me PSG-në, francezi ka fituar tre tituj kampionë, dy trofe të Ligës së Kampionëve, dy kupa vendase dhe një Kupë Ndërkontinentale.
