Pesë vjet nën drejtimin e talibanëve e kanë transformuar Afganistanin, por jo në mënyrën që prisnin shumë qytetarë. Kufizimi i të drejtave të njeriut, rënia e pagave dhe përkeqësimi i kushteve të jetesës janë ndër pasojat kryesore të kësaj periudhe.
Të lidhura
None found
Pas dekadash lufte, talibanët kanë vendosur një qetësi relative. Sulmet me bomba në rrugë, përplasjet mes fraksioneve ndërluftuese dhe shqetësimet e sigurisë janë pakësuar ndjeshëm, por vendi vazhdon të përballet me një krizë të rëndë ekonomike.
Një emergjencë e gjerë humanitare ka bërë që miliona njerëz të varen nga ndihmat. Në të njëjtën kohë, historiku i talibanëve për të drejtat e njeriut, sidomos përjashtimi sistematik i grave dhe vajzave nga jeta publike, e ka çuar Afganistanin drejt një izolimi pothuajse të plotë ndërkombëtar.
Si kontrollohet dhe censurohet jeta e afganëve nga talibanët?
Shpresa nuk është zhdukur tërësisht për shumë afganë, por është dobësuar ndjeshëm.
Një taksist në Kabul i tregoi Radios Evropa e Lirë se, megjithëse e ushtron këtë profesion prej 20 vjetësh, gjatë pesë vjetëve të fundit është përballur me probleme që nuk i kishte hasur asnjëherë më parë. Ai foli për vështirësitë financiare të përjetuara gjatë qeverisjes talibane.
Burri rreth të 40-ave, i cili qëndronte pranë taksisë pothuajse po aq të vjetër sa ai, tha se dëshira e tij e vetme është të sigurojë një jetesë hallall dhe të ketë ushqim në tryezë.
Talibanët u rikthyen në pushtet në gusht të vitit 2021, në kohën kur forcat ndërkombëtare po largoheshin. Ata morën në administrim një ekonomi me dobësi të thella strukturore dhe jashtëzakonisht të varur nga financimi i huaj.
Ndihma ndërkombëtare më pas pothuajse u ndërpre. Politikat e talibanëve, në veçanti largimi thuajse i plotë i grave nga jeta publike, bënë që fluksi i fondeve të ndalej.
Rënia e të ardhurave dhe ngushtimi i hapësirës për veprimtari ekonomike po prekin shtresa të ndryshme të shoqërisë afgane, nga pronarët e bizneseve të mëdha dhe tregtarët me pakicë deri te transportuesit dhe punëtorët që paguhen me mëditje.
Në raportin e publikuar në prill 2025, Banka Botërore vlerësoi se varfëria, mungesa e sigurisë ushqimore dhe kequshqyerja vazhdojnë të jenë probleme urgjente në Afganistanin nën talibanët. Papunësia e lartë dhe kufizimet ndaj grave vijojnë ta vështirësojnë jetesën.
Sipas të njëjtit raport, vetëm 3 për qind e vajzave janë të regjistruara në arsimin e mesëm, duke bërë që një brez i tërë grash të reja të përballet me perspektivën e varfërisë dhe të varësisë.
Michael Semple, profesor në Universitetin Queens të Belfastit, e përshkroi qasjen e talibanëve si përdorim të koncepteve mesjetare të qeverisjes për administrimin e një shteti që duhet të përballojë sfidat e ndërlikuara të shekullit XXI.
Sipas analistëve, ulja e numrit të shpërthimeve dhe përmirësimi relativ i sigurisë nuk janë shoqëruar me hapa të mjaftueshëm për zgjidhjen e sfidës kryesore: krijimin e stabilitetit ekonomik dhe të një qeverisjeje të mirë që do të rriste standardin e jetesës.
Institucionet demokratike dhe strukturat këshilluese janë shpërbërë tërësisht nga talibanët. Vendimmarrja është përqendruar te udhëheqësi i tyre, Mullah Hebatullah, i cili shfaqet rrallë në publik.
Mullah Hebatullah ka nxjerrë një sërë dekretesh, shumë prej të cilave prekin gratë dhe vajzat, por nuk ka paraqitur një strategji gjithëpërfshirëse ose një udhërrëfyes për garantimin e mirëqeverisjes dhe zhvillimit ekonomik.
Pesha kryesore e vendimmarrjes nuk ndodhet më në Kabul, por është zhvendosur në masë të madhe drejt provincës së largët jugore të Kandaharit. Pikërisht atje lindi lëvizja talibane në mesin e viteve 1990.
Talibanët janë kryesisht pashtunë dhe bazën e tyre e kanë veçanërisht në jug dhe juglindje të Afganistanit. Në të gjitha nivelet e administrimit, ata ua kanë besuar pushtetin udhëheqësve, komandantëve dhe anëtarëve të lartë të lëvizjes.
Mushtaq Rahim, analist afgan me bazë në Uashington, e cilësoi mungesën e një modeli qeverisës si problemin më të madh të talibanëve. Para gushtit të vitit 2021, ai kishte marrë pjesë në projekte të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare për mirëqeverisjen në Kabul.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Rahim tha se Afganistani po drejtohet vetëm mbi baza tradicionale, të cilat nuk përputhen me standardet ndërkombëtare. Sipas tij, talibanët i qëndrojnë këtij sistemi sepse nuk zotërojnë kapacitetin dhe aftësitë për të qeverisur ndryshe, ndërkohë që refuzojnë mbështetjen nga jashtë.
Problemet e qeverisjes, të ndërthurura me pasigurinë ekonomike në rritje, kanë shtuar frikën se Afganistani mund të shndërrohet sërish në një vatër pasigurie.
Sami Yousafzai, analist afgan që jeton në Londër, mendon se gjatë pesë vjetëve të fundit talibanët janë shkëputur nga qytetarët e zakonshëm, të cilët tashmë ndihen si të huaj në vendin e vet.
Yousafzai i tha Radios Evropa e Lirë se prejardhja tërësisht rurale e talibanëve i shtyn ata t’i japin më shumë rëndësi besnikërisë ndaj grupit sesa unitetit kombëtar.
Edhe Semple vlerëson se popullsia ndihet e tjetërsuar. Sipas tij, talibanët po pengojnë çdo nismë për fillimin e një procesi politik që mund të krijonte kushtet për një sistem më gjithëpërfshirës.
Ai paralajmëroi se të paktën tre grupe kanë njoftuar së fundmi nisjen e rezistencës së armatosur kundër talibanëve në Badakshan. Kjo provincë e pasur me burime ndodhet në verilindje të Afganistanit dhe kufizohet me Taxhikistanin, Pakistanin dhe Kinën.
Sipas Semple, rezistenca e armatosur po zgjerohet, ndërsa nga shumë provinca raportohen edhe valë kriminaliteti. Ai tha gjithashtu se talibanët po kryejnë ekzekutime pa proces gjyqësor dhe zhdukje me forcë.
Në vlerësimin e tij, faktori kryesor që po mundëson vazhdimësinë e sundimit taliban është mungesa e një rezistence efikase, e aftë për të mobilizuar popullsinë në terren.
Krahas problemeve të brendshme, talibanët po kërkojnë të krijojnë hapësirë edhe në arenën ndërkombëtare. Analistët mendojnë se kjo përpjekje lidhet, të paktën pjesërisht, me synimin për të siguruar ndihma dhe investime të huaja, si dhe për të stabilizuar ekonominë.
Në vitin 2020, kur trupat ndërkombëtare vazhdonin të ishin të dislokuara në Afganistan dhe qeveria mbështetej nga fondet e huaja, Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit ishte rreth 20 miliardë dollarë.
Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se në vitin 2021 kjo vlerë zbriti në pak më shumë se 14 miliardë dollarë. Ekonomia ka shënuar më pas një rimëkëmbje të lehtë, të mbështetur edhe nga paratë që afganët jashtë vendit dërgojnë në atdhe, por standardi i jetesës për qytetarët e zakonshëm vazhdon të bjerë.
Rusia mbetet shteti i vetëm që e ka njohur zyrtarisht qeverinë talibane. Ndërkohë, autoritetet në Afganistan kanë arritur të forcojnë kontaktet me Kinën, Indinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe disa vende të Azisë Qendrore.
Një tjetër tregues i përpjekjeve për afrimin me komunitetin ndërkombëtar ishte udhëtimi i një delegacioni taliban në Bruksel në qershor. Atje u zhvilluan bisedime teknike të paprecedenta dhe të mbyllura për publikun me Komisionin Evropian dhe përfaqësues të 15 vendeve anëtare të BE-së.
Në këto diskutime u trajtuan migracioni, dëbimi i azilkërkuesve afganë të refuzuar dhe bashkëpunimi në çështjet konsullore.
Qendra Evropiane për Politika e përshkroi vizitën e debatueshme si një proces “normalizimi gradual”. Talibanët, nga ana e tyre, e cilësuan atë një moment “historik” për rritjen e besimit dhe zgjerimin e pranisë diplomatike.
Megjithatë, ndihma nuk ishte pjesë e rendit të ditës dhe asnjë shtet i Bashkimit Evropian nuk duket i gatshëm ta njohë zyrtarisht autoritetin de facto të talibanëve.
Analistët presin që talibanët, në përpjekjen për të ruajtur pushtetin, të vazhdojnë të pengojnë çdo proces politik që mund të çojë drejt një sistemi më gjithëpërfshirës.
Semple vlerësoi se ekziston plotësisht mundësia që emirati taliban të rrëzohet, por shprehu dyshimin se forca që mund ta përmbysë atë ende nuk është shfaqur në terren.
