M-NAV ka vënë plotësisht në funksion sistemin e ri ATM (Air Traffic Management-Menaxhimi i Trafikut Ajror), raporton TV21. Autoritetet vlerësojnë se kjo teknologji do të përmirësojë sigurinë, qëndrueshmërinë dhe efektivitetin e menaxhimit të trafikut ajror.
Të lidhura
None found
Në gjashtë muajt e parë të vitit 2026, në hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut janë kryer rreth 173 mijë fluturime. Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, njoftoi se kjo shifër paraqet rritje prej 12.2 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ndërsa vetëm në korrik janë evidentuar rreth 42 mijë fluturime.
Nikolloski deklaroi se sistemi ATM përbën një zgjidhje teknologjike që do të ndikojë drejtpërdrejt në ngritjen e nivelit të sigurisë, besueshmërisë dhe efikasitetit gjatë administrimit të trafikut ajror. Sipas tij, instalimi i këtij sistemi dhe i radarit të ri do të sigurojë mbulim të plotë të hapësirës ajrore të Maqedonisë me standardin më të lartë të kontrollit dhe sigurisë.
Drejtori i M-NAV, Vladimir Ristevski, theksoi se teknologjia e re sjell kapacitete më të mëdha, automatizim më të avancuar dhe reduktim të ngarkesës operative për kontrollorët e trafikut ajror.
Ristevski tha se, përmes sistemit të ri ATM, M-NAV para së gjithash konsolidohet në rolin e ofruesit të shërbimeve të navigimit ajror, duke garantuar njëkohësisht siguri më të lartë dhe vazhdimësi në ofrimin e shërbimeve. Ai nënvizoi se kjo ka rëndësi të veçantë në një kohë kur trafiku ajror nëpër hapësirën ajrore maqedonase po shënon rritje të jashtëzakonshme.
Në të njëjtën kohë, sistemi i ri radarik në kullën e kontrollit të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit po kalon fazën e testimit. Vënia e tij në funksion pritet gjatë shtatorit ose tetorit.
