Largimi i presidentit amerikan Donald Trump nga Turqia muajin e kaluar u realizua përmes një operacioni të ndërlikuar sigurie dhe dezinformimi, pasi agjencitë e inteligjencës së SHBA-së kishin identifikuar një kërcënim të besueshëm iranian ndaj tij.
Të lidhura
None found
Një burim në dijeni të çështjes bëri të ditur se rreziku u shfaq gjatë ditës së fundit të samitit. Situata u vlerësua aq serioze, sa zyrtarët amerikanë menduan se presidenti mund të rrezikohej nëse largohej nga Turqia me Air Force One ose me avionin e dhuruar nga Katari, të cilin e kishte përdorur për të udhëtuar drejt samitit.
Për të garantuar sigurinë e tij, u përgatit një plan që parashikonte kalimin e Trump nga Air Force One në një avion më të vogël të modelit C-32A, pa njoftuar publikisht për ndryshimin. Gjatë transferimit, pranë avionit presidencial u vendos një kamion i shërbimit ushqimor, i cili shërbeu si pengesë për të bllokuar pamjen.
Nga shqyrtimi i pamjeve prej CNN rezulton se automjeti ishte pozicionuar pranë Air Force One përpara se autokolona presidenciale të mbërrinte në pistën e aeroportit të Ankarasë. Pasi Trump u ngjit në avionin tjetër, kamioni u largua, ndërsa Air Force One u nis pa presidentin në bord.
Avioni presidencial më i madh u ngrit rreth orës 20:44 me orën lokale. Afërsisht një minutë më pas, nga aeroporti u nis edhe C-32A, në të cilin ndodhej Trump.
Një pjesë e delegacionit që e kishte shoqëruar presidentin gjatë samitit nuk udhëtoi me të në avionin alternativ. Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Sekretari i Thesarit Scott Bessent vazhduan fluturimin me Air Force One, së bashku me anëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë, personel ushtarak dhe gazetarë.
Zyrtarët amerikanë thanë se shumica e personave që ndodheshin në Air Force One nuk ishin në dijeni se Trump nuk ishte më në avion.
Me C-32A, presidenti fluturoi drejt një baze ushtarake në Britani. Prej andej, ai kaloi sërish në avionin e ri të Katarit, me të cilin vijoi udhëtimin për në Uashington.
Në avionin më të vogël, Trump shoqërohej nga Natalie Harp, Dan Scavino dhe Walt Nauta. Gjatë transferimit pranë presidentit ishte edhe Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth.
Të martën, kreu i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se kishte kaluar në një avion tjetër pas kërkesës së Shërbimit Sekret dhe ushtrisë, megjithëse u përpoq ta paraqiste si më pak serioz rrezikun që kishte nxitur marrjen e kësaj mase.
Trump deklaroi se mundësia e një sulmi nuk e kishte shqetësuar dhe se ai vetëm kishte zbatuar udhëzimet e strukturave përgjegjëse për sigurinë.
“Bëj atë që thonë ata”, u shpreh presidenti, duke theksuar se nuk kishte marrë shumë hollësi për arsyet që çuan në ndërrimin e avionit.
