Telefonat inteligjentë, laptopët dhe automjetet elektrike tashmë e kanë karikimin e shpejtë si një veçori standarde, duke e reduktuar ndjeshëm kohën e nevojshme për mbushjen e baterisë. Shkencëtarët pohojnë se kjo mënyrë karikimi mund t’ia shkurtojë jetëgjatësinë baterisë, por teknologjitë bashkëkohore të mbrojtjes e bëjnë ndikimin shumë më të vogël nga sa mendohet zakonisht.
Të lidhura
None found
Funksionimi i baterive me jon litiumi mbështetet në zhvendosjen e joneve të litiumit nga njëra elektrodë te tjetra. Kur karikimi kryhet në mënyrë të zakonshme, lëvizja e tyre është më e ngadaltë, çka krijon pak nxehtësi dhe e ngarkon më pak baterinë. Ndërsa gjatë karikimit të shpejtë aplikohet rrymë më e lartë, duke i zhvendosur jonet me ritëm më të madh dhe duke mundësuar mbushjen e baterisë brenda një ore ose edhe më shpejt.
Megjithatë, jo të gjitha bateritë janë ndërtuar për ta përballuar një shpejtësi të tillë. Bateritë që ofrojnë mbështetje për karikimin e shpejtë përmbajnë materiale dhe mekanizma të veçantë, të cilët lehtësojnë qarkullimin e joneve. Njëkohësisht, struktura e tyre e brendshme është projektuar për të kufizuar rezistencën dhe prodhimin e nxehtësisë.
Rreziku kryesor lidhet me përshpejtimin e procesit natyror të plakjes së baterisë. Ndër dukuritë më dëmtuese është ajo që njihet si veshje me litium. Nëse karikimi zhvillohet tepër shpejt, disa jone nuk depozitohen në mënyrën e duhur, por mblidhen mbi sipërfaqen e elektrodës. Ky grumbullim, me kalimin e kohës, e zvogëlon kapacitetin e baterisë. Në raste të rralla mund të krijohen edhe formacione të holla metalike, të cilat dëmtojnë elementet e brendshme dhe shtojnë mundësinë e defekteve.
Një tjetër pasojë e karikimit të shpejtë është krijimi i një sasie më të madhe nxehtësie. Temperaturat e larta i përshpejtojnë reaksionet kimike përgjegjëse për degradimin e materialeve të baterisë. Në rrethana ekstreme, mbinxehja mund të çojë në fryrje, zjarr apo shpërthim, ndonëse ngjarje të tilla ndodhin shumë rrallë.

Për ta kufizuar këtë rrezik, pajisjet e sotme përdorin sisteme inteligjente që kontrollojnë pa ndërprerje temperaturën, rrymën dhe tensionin. Sapo bateria arrin një temperaturë tepër të lartë, sistemi e ngadalëson automatikisht procesin e karikimit për të parandaluar dëmtimin e saj.
Sipas ekspertëve, pajisjet nuk duhen karikuar në ambiente me nxehtësi të madhe, për shembull brenda një automjeti të parkuar ose drejtpërdrejt nën rrezet e diellit. Edhe ekspozimi ndaj temperaturave shumë të ulëta mund ta dëmtojë performancën e baterisë.
Për t’ia zgjatur jetëgjatësinë, këshillohet që niveli i baterisë të mbahet përgjithësisht ndërmjet 20% dhe 80%, në vend që ajo të çohet vazhdimisht në 100%. Po ashtu, rekomandohet që laptopët të mos lihen gjatë gjithë kohës të lidhur me karikuesin.

Pra, karikimi i shpejtë mund ta shtojë në një masë të caktuar konsumimin e baterisë, por pajisjet moderne e mbajnë këtë efekt të kufizuar. Ruajtja e temperaturave të përshtatshme gjatë përdorimit dhe evitimi i karikimit të panevojshëm deri në 100% mbeten mënyrat më efikase për ta mbajtur baterinë në gjendje të mirë sa më gjatë. /Live Science– Syri.net
