Sot në Kuvend pritet të zhvillohet një tjetër takim i koordinatorëve dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare të partive lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Të lidhura
None found
Nëse në Kuvend arrihet marrëveshje për Kodin Zgjedhor, atëherë LSDM dhe “E Majta” do t’i tërheqin amendamentet, çka do ta zhbllokonte procesin. Ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Zgjedhor përbëjnë pikat e fundit nga dhjetë pikat në periudhën grejs për vendin tonë në kuadër të proceseve reformuese.
OBRM-PDUKM pret që LSDM dhe BDI të qartësojnë qëndrimet e tyre për propozimin e kësaj partie që diaspora të votojë me postë, ndërsa e gjithë procedura të rregullohet me akt nënligjor në një mbledhje të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) jo më vonë se 30 shtatori 2028. Siç bëjnë të ditur, ata janë të gatshëm të pranojnë një njësi zgjedhore.
Nga ana tjetër, “E Majta” ka kërkuar që financimi shtetëror i reklamave zgjedhore për partitë me grupe parlamentare të jetë 10 përqind, si edhe vendimmarrja në KSHZ të bëhet me konsensus, kërkesë kjo që OBRM-PDUKM e konsideron të papranueshme.
Në kuadër të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor që tashmë ndodhen në procedurë parlamentare, e për të cilat LSDM dhe “E Majta” kanë dorëzuar rreth 13,500 amendamente, çështja më e debatueshme ka qenë propozimi për votim elektronik të diasporës. LSDM e refuzoi menjëherë këtë propozim dhe thekson se nuk është kundër votimit të diasporës, duke nënvizuar se ajo ende ka mundësi të votojë, por kundërshton një mënyrë votimi që, sipas saj, nuk garanton siguri, transparencë dhe mbrojtje të vullnetit zgjedhor.
Për “Të Majtën”, votimi elektronik i diasporës ishte një zgjidhje e pranueshme, nëse kjo do të bëhej në këmbim të rritjes së përqindjes për reklamat politike të paguara gjatë zgjedhjeve.
Pjesëmarrësit në grupin e punës për Kodin Zgjedhor e kanë pranuar për financimin buxhetor të partive në zgjedhje propozimin e BDI-së dhe “Të Majtës”, sipas të cilit raporti i numrit të deputetëve do të shërbejë si kriter objektiv për përdorimin e 97% të këtyre mjeteve, ndërsa 3% do të jenë për partitë që nuk kanë deputetë në Parlament. Sipas kësaj formule, 42% do t’u takonin dy partive më të mëdha në pushtet, 42% dy partive më të mëdha opozitare, 8% partive me grupe parlamentare, 5% partive pa grupe parlamentare dhe 3% partive dhe grupeve të votuesve jashtëparlamentarë.
