Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka mbërritur në Zvicër për bisedime me përfaqësues iranianë, në një kohë kur Lindja e Mesme po përballet me tensione të reja dhe Teherani pretendon se ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit.
Sipas zyrës së tij, Vance mbërriti në orët e para të mëngjesit në Bazën Ajrore Emmen, pranë Lucerne, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Usha Vance.
Të lidhura
None found
Këto takime zhvillohen pasi SHBA-ja dhe Irani nënshkruan në fillim të kësaj jave një memorandum mirëkuptimi. Pritet që përfaqësuesit e dy vendeve të ndalen te detajet teknike të marrëveshjes, si edhe te hapat që do të ndiqen për zbatimin e mëtejshëm të saj.
Bisedimet po mbahen në një fazë të ndjeshme, pasi ushtria iraniane deklaroi se kishte mbyllur Ngushticën e Hormuzit dhe akuzoi SHBA-në dhe Izraelin për shkelje të armëpushimit.
Në krahun tjetër, autoritetet amerikane i kanë hedhur poshtë pretendimet e Iranit, duke nënvizuar se lëvizja detare në ngushticë po vazhdon normalisht. Ata kanë bërë të ditur gjithashtu se forcat amerikane po e ndjekin nga afër situatën për të siguruar lirinë e lundrimit në një prej korridoreve më të rëndësishme në botë për transportin e naftës.
Takimi në Zvicër konsiderohet si një përpjekje për të zbutur situatën dhe për të parandaluar një përshkallëzim të mëtejshëm në rajon.
