Kushtet e infrastrukturës aktuale të Gjykatës së Apelit të Përgjithshëm në Tiranë, nuk i përgjigjen nevojave funksionale dhe shërbimit gjyqësor ndaj qytetarit.
Qytetarët Shqiptarë marrin me shumë vonesë shërbimin në gjykatën e Apelit dhe kjo ndodh për disa shkaqe të arsyeshme, duke filluar nga infrastruktura e gjykatës, mungesa e kapaciteteve të burimeve njerëzore në administratën Civile dhe numri i ulët i gjyqtarëve si dhe ambientet jo të favorshme për të ofruar shërbimet gjyqësore.
Gjykata e Apelit Tiranë, prej disa vitesh funksionon si gjykatë Apeli Kombëtare dhe të gjitha ankimet civile dhe penale, depozitohen pikërisht në këtë gjykatë, godina e së cilës më parë në periudhën Fashiste, ka funksionuar si hetuesi.
Kjo gjykatë mori impakt negativ për shkak të vonesave të tejzgjatura të gjykimit të dosjeve penale dhe civile. Por ajo që i vuri vulën e dështimit kësaj gjykate dhe sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, ishte pikërisht vrasja në sallën e gjyqit të anëtarit të kësaj gjykate, gjyqtarit Astrit Kalaja.
Në një letër-këmbim mes Gjykatës së Apelit Tiranë dhe shoqatës së “Asociacionit Kombëtar të Medias dhe Drejtësisë”, gjykata ve në dukje një problem serioz duke nënvizuar se:
“…aktualisht kushtet infrastrukturore aktuale nuk i përgjigjen nevojave funksionale të Gjykatës dhe shërbimit ndaj qytetarëve…”.
Nga ana tjetër për ti dhënë një zgjidhje kësaj situate dramatike që peshon në kurrizin e qytetarëve, Këshilli i Lartë Gjyqësor, po shikon të verë në zbatim një plan strategjik, me qëllim ndarjen në dy dhoma gjykimi Gjykatën e Apelit të Përgjithshëm të Tiranës.
Plani është që dy dhomat gjyqësore, ajo Civile dhe ajo Penale të funksionojnë në dy godina të ndryshme. Në godinën ekzistuese të vijojë gjykimi i çështjeve civile, ndërsa në godinën tjetër të transferohen dosjet me karakter Civil.
Përmes kësaj lëvizje, synohet të ulet stoku i madh i dosjeve që janë në pritje për tu gjykuar në Gjykatën e Apelit të Përgjithshëm të Tiranës.
Aktualisht zvarritja e proceseve gjyqësore është gangrena më problematike e kësaj gjykate. Ky fenomen është ndikuar kryesisht nga numri i kufizuar i gjyqtarëve në raport me volumin e lartë të çështjeve në shqyrtim si dhe vakancat e krijuara në organikën e gjykatës si pasojë e proceseve institucionale në sistemin e drejtësisë ndër vite.
“…por pavarësisht këtyre rrethanave, gjykata vijon të marrë masa organizative për administrimin sa më efikas të çështjeve dhe zhvillimin e proceseve gjyqësore brenda standardeve ligjore…”-thuhet në letër-këmbim.
Mësohet se deri në fund të vitit 2025, stoku i çështjeve të pagjykuara ishte në total 45 mijë 876 çështje. Ndërkohë ngarkesa për çdo gjyqtar është mesatarisht rreth 1700 çështje gjyqësore.
Organika e kësaj gjykate aktualisht përbëhet në letra nga 78 gjyqtarë. Ndërsa në realitet ushtrojnë detyrën 39 gjyqtarë dhe vakanca është me 39 gjyqtarë. Gjyqtarët që ushtrojnë funksionin janë të ndarë në seksionin Civil dhe seksionin Penal. Gjithsej janë 13 trupa gjykuese në seksion Penal dhe 8 gjyqtarë në atë Civil./ Syri.net
