Turizmi ka potencialin që të shndërrohet në motor të fortë të ekonomisë shqiptare, me shifra vizitorësh që rriten çdo vit. Por përtej statistikave mbetet dilema thelbësore: a po përfitojnë komunitetet vendase nga ky zhvillim apo fitimet po përqendrohen diku tjetër? Ekspertët sugjerojnë se, nëse Shqipëria nuk ndërton një model të qëndrueshëm, rrezikon që rritja e sotme të kthehet nesër në një kurth.
Vitet e fundit, duket se Shqipëria po përjeton një zbulim nga turistët e huaj, për këtë pjesë të hartës së Ballkanit, që më parë jo të gjithë ia dinin ekzistencën.
Të dhënat tregojnë rritje të qëndrueshme të numrit të vizitorëve nga viti në vit, ndërsa vendi po bëhet pjesë e listave të mediave ndërkombëtare dhe portaleve të specializuara për destinacione të reja.
Rivierës shqiptare i kushtohen artikuj në prestigjioze botërore, ndërsa malet dhe zonat rurale përshkruhen gjithnjë e më shpesh si “perlë e fshehur” e Ballkanit. Kjo dukuri, e cila vetëm një dekadë më parë dukej e largët, sot është realitet: Shqipëria po hyn me ritme të shpejta në hartën e destinacioneve globale.
Megjithatë, entuziazmi i shifrave nuk duhet të fshehë pyetjen thelbësore: kush përfiton realisht nga ky bum turistik?
Shembujt nga vende të tjera tregojnë se turizmi masiv shpesh krijon ekonomi të përqendruar, ku fitimet rrjedhin te zinxhirë të mëdhenj hotelerie, kompani ndërkombëtare apo investitorë me kapital të fuqishëm, ndërsa komunitetet vendase, të cilat ofrojnë kulturën, peizazhin dhe mikpritjen, mbeten shpesh të margjinalizuara.
Në shumë raste, banorët përballen me çmime më të larta, me presion mbi burimet natyrore, apo me humbjen e traditave, ndërkohë që pjesa e tyre nga “torta ekonomike” është e vogël. Ekspertët paralajmërojnë se ky rrezik është real edhe për Shqipërinë.
Nëse modeli i zhvillimit turistik nuk orientohet drejt përfshirjes së komuniteteve, vendi rrezikon të përsërisë historinë e destinacioneve të tjera mesdhetare ku turizmi ka gjeneruar miliarda euro, por nuk ka sjellë domosdoshmërisht mirëqenie të shpërndarë gjerësisht.
Për këtë arsye, gjithnjë e më shumë po theksohet nevoja për një qasje të re: turizmin komunitar.
Ky model e sheh udhëtimin jo si një produkt standard, por si një marrëdhënie të dyanshme mes vizitorëve dhe banorëve vendas, ku të ardhurat, vlerat dhe përgjegjësitë ndahen në mënyrë më të drejtë.
Turizmi komunitar ofron përvoja autentike për vizitorët, nga pjesëmarrja në punët e përditshme të fshatit, deri te gatimi i recetave tradicionale apo zbulimi i trashëgimisë nga vetë banorët. Por mbi të gjitha, ai krijon mundësi të reja ekonomike për komunitetet lokale, duke u dhënë atyre mjete konkrete për zhvillim.
Në vend që të mbeten spektatorë të një industrie që i përdor si “skenografi”, banorët kthehen në aktorë të vërtetë, duke ndërtuar biznese të vogla, duke fuqizuar gratë dhe të rinjtë, dhe duke krijuar rrugë alternative jetese në zonat rurale ku shpesh emigracioni shihet si i vetmi opsion.
Në shumë vende të botës, ky transformim është bërë i prekshëm falë punës së organizatave si Planeterra. Me një rrjet prej mbi 550 komunitetesh në 80 shtete, ajo ka krijuar një platformë që e kthen turizmin në katalizator të zhvillimit social, ekonomik dhe mjedisor.
Nëpërmjet nismave që mbështesin sipërmarrjet vendore, që fuqizojnë gratë dhe të rinjtë, që mbrojnë natyrën apo trashëgiminë kulturore. Sipas këtij modeli, pritet punësim më i lartë, të ardhura të shpërndara më gjerë në zonat rurale, si dhe një rezistencë më të madhe të komuniteteve përballë sfidave të kohës, nga presionet e tregut global deri te ndryshimet klimatike.
Për herë të parë, kjo nismë po merr një dimension të ri edhe në Europë, një kontinent që prej dekadash përballet me pasojat e turizmit masiv: mbipopullim të qyteteve, degradim të ekosistemeve dhe shtrenjtime që prekin jetën e përditshme të banorëve.
Në këtë sfidë, Shqipëria, si një destinacion ende në zhvillim, ka mundësinë unike të mësojë nga gabimet e të tjerëve dhe të ndërtojë një model më të drejtë që në fillim.
“Nga konsumatori te bashkëpunëtori, si mund të transformohet turizmi në Shqipëri”
Flet Blerina Ago, menaxhere për Europën e “Planeterra”
Me një karrierë të lidhur ngushtë me turizmin e qëndrueshëm dhe zhvillimin rural, znj. Ago sheh në këtë rol një mundësi për të sjellë në Shqipëri dhe Ballkan filozofinë e turizmit komunitar. Për të, kjo nuk është vetëm një qasje e re ndaj industrisë, por një strategji zhvillimi afatgjatë që mund të ndryshojë marrëdhënien e vendit me turizmin. Nëse Shqipëria do të arrijë ta bëjë këtë kapërcim, thekson ajo, vendi ynë nuk do të jetë vetëm një destinacion në rritje, por edhe një shembull i ri se si turizmi mund të kthehet në një motor të vërtetë mirëqenieje për komunitetet.
Mund të na tregoni më shumë për Planeterra-n dhe rolin tuaj si Menaxhere e Europës? Cilat janë përparësitë tuaja në këtë fazë të re?
Planeterra është organizata globale e drejtuar nga ndikimi që përdor turizmin për të zhvilluar komunitetet.
Ne i ndihmojmë organizatat dhe komunitetet lokale të shfrytëzojnë turizmin si një katalizator për të përmirësuar jetët, për të mbrojtur mjediset natyrore dhe për të festuar kulturën, duke synuar një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të drejtë për të gjithë.
Nëpërmjet zhvillimit të Turizmit Komunitar, ne nxisim dhe mbështesim zhvillimin e përvojave të turizmit që zotërohen, drejtohen, ose bashkëkrijohen në mënyrë kuptimplotë nga komuniteti ku ato operojnë.
Këto eksperienca i japin përparësi mirëqenies së banorëve, ruajtjes së natyrës, festimit të kulturave lokale dhe një shpërndarjeje të drejtë të përfitimeve. Pjesë e “Rrjetit Global të Turizmit Komunitar” të Planeterra janë mbi 550 komunitete nga 80 vende të botës.
Marrja e rolit si Menaxhere e Rajonit të Europës është një nder për mua, pasi Planeterra mbart vlerat të cilat më kanë drejtuar gjatë gjithë karrierës sime. Turizmi komunitar zhvillon zonat e thella dhe rurale, fuqizon gratë drejt vendimmarrjes dhe të drejtave të pronësisë, ndihmon komunitetet indigjene dhe të lashta si ato shqiptare të mbrojnë kulturën e tyre duke ndërtuar të ardhme më të mirë për destinacionet pritëse turistike.
Prioritetet e Planeterra për Europën janë rritja e pranisë së sipërmarrjeve të turizmit komunitar dhe përfshirja e tyre në Rrjetin Global të Turizmit Komunitar duke përftuar trajnim, mentorship dhe mbështetje në financë kur është e nevojshme, nga një grup profesionistësh dhe kolegësh nga e gjithë bota.
Synojmë të rrisim bashkëpunime me agjenci turistike dhe së bashku të përfshijmë më shumë përvoja të turizmit komunitar në itineraret e tyre turistike.
Ngritja e bashkëpunimeve me organizata dhe donatorë nga sektorë të ndryshëm do të nxiste përmirësime më të shpejta të sektorit turistik.
Gjithashtu duam të punojmë afër me komunitete lokale, përfshirë dhe grupet indigjene për të mësuar nga ta lidhur me praktikat më të mira të zbatuara ndër shekuj, për të zhvilluar aktivitet ekonomik duke mbrojtur natyrën por paralelisht të ndajmë gjetje inovative dhe njohuri për të qenë më rezistentë ndaj ndryshimeve klimatike me të cilat është duke u përballur kontinenti europian dhe sektori i turizmit.
Çfarë është turizmi komunitar dhe pse konsiderohet një model më i drejtë dhe i qëndrueshëm në krahasim me turizmin masiv?
Planeterra e sheh turizmin si një mundësi për të ndërtuar marrëdhënie më të mira mes vizitorëve dhe vendeve. Turizmi komunitar zgjidh sfidat sociale, mjedisore dhe ekonomike duke krijuar vlerë për komunitetet, udhëtarët dhe gjithë industrinë.
Ndërsa turizmi konvencional shpesh kanalizon shumicën e të ardhurave drejt korporatave të mëdha ndërkombëtare, duke lënë pak përfitime për komunitetet lokale, Turizmi Komunitar siguron që këto përfitime të ndahen në mënyrë më të drejtë.
Përfitimet për komunitetet:
Përfitimet për turistët:
Përfitimet për industrinë e turizmit:
Efekti zinxhir në turizmin komunitar shpjegon se si paratë e shpenzuara nga një turist kanë ndikim të shumëfishtë dhe të gjerë në një komunitet lokal.
Ky efekt funksionon në tre faza:
Keni publikuar së fundmi raportin e ndikimit të turizmit komunitar. Cilat janë disa nga gjetjet kryesore që vlen të ndahen me lexuesit tanë?
Ashtu si shkruan presidenti i Planeterra, Jamie Sweeting, në hapje të raportit: “Turizmi është një industri me vlerë disa trilionë dollarë, por shumë nga komunitetet lokale që i bëjnë udhëtimet kaq kuptimplota ende nuk përfitojnë sa duhet prej tij. Ne te Planeterra, jemi të përkushtuar ta ndryshojmë këtë, dhe viti 2024 ka qenë një tjetër dëshmi e fortë se si turizmi mund të përmirësojë jetën e komuniteteve anembanë botës”.
Raporti i ndikimit i Planeterra ndan këto gjetje kryesore të vitit 2024:
Ky është vetëm fillimi pasi së bashku me komunitetet tona, kompanitë e udhëtimeve, donatorëve dhe rrjetit tonë globalë po tregojmë se çfarë është e mundur kur turizmi punon për komunitetet dhe planetin.
Sa i përfshirë është rajoni i Ballkanit dhe konkretisht Shqipëria në këtë model turizmi? A ka potencial për zgjerim?
Prania e Planeterra në rajon është e shtrirë në Shqipëri, Greqi dhe Kroaci, duke reflektuar potencialin e madh që ka Ballkani për zhvillimin e turizmit komunitar. Jemi të përkushtuar të punojmë me komunitetet që dëshirojnë të ndërtojnë një model turizmi më të qëndrueshëm dhe me ndikim pozitiv.
Në Shqipëri, kemi nisur bashkëpunime të fuqishme me partnerin tonë të udhëtimeve Evaneos.
Fokusi ynë aktual është te zhvillimi i përvojave turistike komunitare pranë dy destinacioneve të përzgjedhura fillimisht dhe me potencial të veçantë: Përmeti dhe Lazarati. Rajoni i Ballkanit po shfaqet si një destinacion turistik kyç, duke tërhequr vizitorë me bukuritë natyrore të paprekura dhe historinë e pasur.
Për t’u siguruar që ky fluks vizitorësh të sjellë përfitime afatgjata, praktikat e turizmit të qëndrueshëm po luajnë një rol thelbësor.
Vende si Shqipëria dhe Mali i Zi po shënojnë rritje të madhe të numrit të vizitorëve. Si përgjigje ndaj kësaj, qeveritë e tyre po e orientojnë zhvillimin turistik drejt një modeli që integron komunitetet lokale. Kjo qasje siguron që komunitetet të jenë jo vetëm të përfshira, por edhe pronare të përvojave turistike, duke ndërtuar një industri më të fortë dhe më të qëndrueshme për të gjithë.
Në Shqipëri, cilët janë disa shembuj që sipas jush përfaqësojnë më së miri filozofinë e turizmit komunitar? Çfarë i bën ata të veçantë?
“Mrizi i Zanave” në Fishtë konsiderohet një model suksesi në turizmin komunitar sepse ka fuqizuar ekonominë lokale, ka mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe ka zbatuar praktika të qëndrueshme mjedisore.
Kjo sipërmarrje siguron punësim të qëndrueshëm për banorët dhe krijon një treg për produktet e fermerëve dhe artizanëve vendas, duke nxitur zhvillimin e të gjithë rajonit. Nëpërmjet promovimit të kuzhinës dhe traditave shqiptare, “Mrizi i Zanave” mbron identitetin kulturor dhe rrit krenarinë e komunitetit.
Për më tepër, duke përdorur produkte “zero kilometër”, ai tregon një qasje të përgjegjshme ndaj mjedisit. Në këtë mënyrë, suksesi i tij dëshmon se kur një sipërmarrje udhëhiqet nga komuniteti, ajo mund të transformojë një rajon të tërë.
Çfarë do të thotë për komunitetet lokale kur bëhen pjesë e këtij modeli? A mund të ndajmë një histori suksesi konkrete?
Një shembull i fuqishëm vjen nga nisma indiane “Women With Wheels” (Gratë me Rrota), ku që nga viti 2008 janë trajnuar më shumë se 5,500 gra si shoferë profesionistë.
Planeterra mbështeti një sipërmarrjeje të përbashkët sociale me Fondacionin Azad dhe Sakha Consulting Wings, 46 gra, kryesisht nga zonat nënurbane të varfra të Nju Delhi dhe Jaipur, u punësuan direkt.
Këto gra, të përjashtuara nga jeta ekonomike, u trajnuan dhe u pajisën me leje drejtimi si shofere të kualifikuara. Më pas, ato ofruan një shërbim transporti të sigurt për gratë lokale që kishin nevojë për transport.
Më pas, lindi mundësia për t’u përfshirë në fushën e turizmit, përmes një partneriteti me Planeterra dhe G Adventures, ku Sakha Cabs u punësuan për të gjitha transfertat nga aeroporti për udhëtarët e G Adventures.
Deri më sot, shoferet e Sakha-s kanë realizuar mbi 4.5 milionë udhëtime të sigurta, një arritje e jashtëzakonshme që ka promovuar lëvizshmërinë dhe barazinë gjinore.
Cilat janë disa nga sfidat kryesore me të cilat përballen bizneset lokale që duan të zhvillohen në këtë drejtim në Shqipëri?
Sipërmarrjet që synojnë të zhvillojnë turizmin komunitar në Shqipëri përballen me disa sfida kryesore. Së pari, mungesa e infrastrukturës thelbësore, si rrugët dhe transporti publik pengon aksesin e turistëve larg zonave urbane.
Së dyti, ato kanë vështirësi në gjetjen e fondeve dhe në trajnimet e nevojshme për zhvillimin e biznesit, gjë që i bën të vështira për t’u shfaqur në tregun ndërkombëtar.
Së treti, sezonaliteti i lartë i industrisë së turizmit e bën të vështirë sigurimin e të ardhurave të qëndrueshme gjatë gjithë vitit, ndërsa burokracia dhe procedurat e komplikuara ligjore mund të jenë dekurajuese për sipërmarrjet e vogla komunitare.
A ka mbështetje të mjaftueshme nga shteti apo nga aktorë të tjerë për ta promovuar turizmin komunitar si një model zhvillimi?
Është e vërtetë që dokumentet zyrtare, si Strategjia Kombëtare e Turizmit 2025-2030 (e sapo miratuar) dhe programet me mbështetje ndërkombëtare, tregojnë një angazhim të qartë për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe atij komunitar.
Ky është një sinjal pozitiv që tregon se ky model po vlerësohet në nivelet më të larta të vendimmarrjes.
Megjithatë, sfida qëndron në zbatimin efektiv të këtyre politikave. Për të shfrytëzuar plotësisht potencialin, ka nevojë për t’u adresuar disa pika kyçe:
Në fund të fundit, për të ndërtuar një destinacion turistik vërtet të qëndrueshëm dhe me vlerë, është thelbësore që angazhimi strategjik të shoqërohet me veprime konkrete dhe mbështetje më të drejtpërdrejtë për komunitetet.
Si e shihni të ardhmen e turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri në 5-10 vitet e ardhshme? Ku duhet të fokusohemi si ekonomi turistike?
E ardhmja e turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri duket shumë premtuese, por suksesi varet nga zgjedhjet strategjike që do të bëhen në 5-10 vitet e ardhshme. Nëse e menaxhojmë si duhet, turizmi mund të shndërrohet nga një sektor me varësi të madhe nga masivizimi veror në një model ekonomik, të gjithanshëm dhe të qëndrueshëm, të fokusuar te cilësia dhe autenticiteti.
Unë dëshiroj të shoh një Shqipëri ku destinacionet rurale dhe malore bëhen po aq të kërkuara sa edhe ato bregdetare dhe ku udhëtarët vijnë gjatë gjithë vitit për të zbuluar traditat, historinë dhe mbrojtur natyrën.
Për të arritur këtë vizion, duhet të fokusohemi në disa pika kyçe:
Mesazhi juaj për lexuesit – sidomos ata që janë të përfshirë në sektorin e turizmit dhe zhvillimit rural?
Jemi në një moment kritik dhe të artë për turizmin shqiptar. Rritja e ndjeshme e numrit të vizitorëve tregon se bota po zbulon bukuritë e Shqipërisë, por tani është momenti kyç për të zgjedhur modelin e duhur të zhvillimit.
Turizmi komunitar është thjesht një alternativë ndaj turizmit masiv, por është një strategji e qëndrueshme dhe e mençur që ofron zgjidhje për shumë sfida.
Duke u fokusuar te vlerat, traditat dhe produktet lokale, ne mund të shmangim “mbingarkesën turistike”, të ruajmë natyrën dhe të sigurojmë që përfitimet ekonomike të shpërndahen në të gjithë vendin, duke përfshirë edhe zonat rurale.
Për të ndërtuar këtë të ardhme, do të inkurajoja një fokus në këto pika:
E ardhmja e turizmit shqiptar nuk matet me numrin e vizitorëve, por me trashëgiminë që ne dhe vizitorët lëmë pas!/ Monitor
