Gjykata e Lartë ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO-së për Xhulian Hoxhën dhe Euglen Halilin, të dënuar për vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt, ngjarje të ndodhura në Elbasan në vitin 2020.
Sipas vendimit të formës së prerë, Xhulian Hoxha do të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm, ndërsa Euglen Halili është dënuar me 16 vite heqje lirie, duke përfituar lehtësim dënimi për shkak të statusit të bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Vendimi i Apelit të Posaçëm u mor më 8 prill 2024, pas ankimit të paraqitur nga SPAK, i cili kundërshtoi vendimin e shkallës së parë dhe kërkoi dënime më të rënda, 30 vite burg për Hoxhën dhe 12 vite për Halilin. Organi i akuzës pretendon se dy vrasjet janë porositur nga Erjon Alibej, i njohur për përfshirje në disa ngjarje kriminale në Elbasan.
Më 20 korrik 2020, në lagjen “28 Nëntori”, u ekzekutua Emiljano Ramazani, i njohur me nofkën “Rramani”, i cili dyshohet se u vra për larje hesapesh në tregtinë e drogës, pasi njihej si shpërndarës kokaine në zonë.
Vetëm nëntë ditë më vonë, më 29 korrik 2020, u gjet i vrarë Regis Runaj, 23 vjeç, miku i ngushtë i Ramazanit. Ai ishte goditur me thikë, ndërsa trupi i tij u gjet buzë rrugës, pranë varrezave të qytetit, në lagjen “Emin Matraxhiu”.