Sindikata e naftëtarëve në Marinzë vijojnë me protestat, 10 punonjës të “Bankers”-it në grevë urie

Vazhdon dita e dytë e protestës pa afat të naftëtarëve të kompanisë Bankers në Marinzë, ndërkohë që 10 prej tyre ndodhen në ditën e tretë të grevës së urisë në ambientet e zyrës së sindikatës, që ndodhet në fushën naftëmbajtëse.

Naftëtarët janë në protestë, ndërsa 400 puse të prodhimit të naftës janë lënë pa mbikëqyrje, pa punonjës që t’i kontrollojnë.

Dritan Shahu, kryetar i sindikatës së naftëtarëve, thotë se po shfaqen shenjat e lodhjes.

Grevistët e urisë kanë pasur dhimbje koke, si pasojë e humbjes së lëngjeve dhe temperaturave të ulëta.

Puntorët kanë pezulluar punën në fushë, duke qëndruar për orë të tëra jashtë godinës, ku grupi prej 10 punonjësish vijon grevën e urisë.

Çfarë ka ndodhur deri tani/ Përmbledhje:

Protesta e naftëtarëve të kompanisë “Bankers Petroleum” dhe banorëve të Marinzës ka vijuar që dje dhe është përshkallëzuar paraditen e sotme.

Dhjetë punonjës kanë hyrë në grevë urie në ambientet e zyrës së sindikatës, ndërsa pjesa tjetër e punëtorëve ka pezulluar punën në disa grupe të fushës naftëmbajtëse.

Dje, protestuesit ngritën zërin për pagat dhe mungesën e transparencës në kontratat e kompanisë, duke paralajmëruar se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, greva mund të zgjerohet dhe puna të pezullohet plotësisht.

Situata u tensionua më shumë kur një përfaqësues i kompanisë doli përballë protestuesve dhe u përball me reagimet e tyre, duke i provokuar. Protestuesit i thanë qartë: “Ik, mos na provoko!”, “Mos hajdeni këtu, largohu!” dhe “Ca bëhet kështu, vjen edhe na provokon?”. Përfaqësuesi i kompanisë u përgjigj me fjalët: “Don’t touch me”, duke shtuar irritimin e pjesëmarrësve dhe banorëve.

Një banor lokal tha për mediat: “Po na provokojnë. Këtu jemi për të kërkuar përgjegjësi dhe sqarime për veprimet e kompanisë, jo për t’u sulmuar apo provokuar.”

Kryetari i Sindikatës së Sektorit të Hidrokarbureve, Dritan Shaho, deklaroi se protesta vjen pas një sërë kërkesash të përsëritura nga punëtorët, të cilat nuk janë marrë parasysh nga drejtuesit e kompanisë.


Shtuar 17.10.2025 12:59