Mbremjen e djeshme, shtetasi Isuf Jaçajt, 58-vjeç, person me precedentë penal, është personi i ekzekutuar në lagjen nr. 3 të Sarandës.
Ai është babai i 31-vjeçarit Klaus Jaçajt. Jacaj ndodhet në burg për “përkrahje e autorit të krimit”, si pjesëmarrës në ngjarjen e datës 17.07.2025, kur Ramadan Zoto plagosi me armë në lagjen nr. 4 të Sarandës, Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lamën nga Kamza.
Më 21 korrik, një person i maskuar me maskë silikoni vendosi eksploziv tek automjeti i Klaus Jacajt duke e shkatërruar atë plotësisht, ngjarje ende e pazbardhur.
Viktima me precedentë kriminalë
Isuf Jacaj njihej edhe me nofkën “Bushi”. Emri i tij rezulton me precedentë penalë, që para viteve 2000.
Në qershor 2010, mbeti i plagosur pas një sherri me sende të forta në lagjen nr.4.
Në tetor 2011 i shpëtoi një atentati me armë zjarri në lagjen nr. 3 të Sarandës.
Në korrik 2022 u përfshi sërish në një sherr në lagjen nr. 4, ku u arrestua një person me armë zjarri, ndërsa Jacajt i’u gjet një përforcues grushti dhe u arrestua.
Kohët e fundit Jacaj punonte në turizëm, duke transportuar me skafin e tij turistë drejt plazheve.
Ngjarja e sotme dyshohet hakmarrje në lidhje me djalin e tij, pas ngjarjes së 17 korrikut ku u plagosën dy persona.
Njoftimi i Policisë
Sarandë
Sot, rreth orës 22:50, në lagjen nr. 3, Sarandë, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet tip Toyota, në pronësi të shtetasit I. J. Ky shtetas dyshohet se është edhe personi që ndodhej brenda në automjet i cili si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve, zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.