Sherri mes dy biznesmenëve në Ksamil/ Dorian Teliti: Mungesë planifikimi dhe koordinimi nga ana e autoriteteve, shteti të marrë përgjegjësi

Ditën e sotme, përmes një reagimi në “Facebook”, këshilltari për Çështjet Ekonomike në Partinë Demokratike dhe njëkohësisht Nënkryetari i Këshillit Bashkiak Tiranë, Dorian Teliti, ka reaguar pas konfliktit të ndodhur në Ksamil mes dy biznesmenëve, për hapësirën në plazh.

Teliti ka dënuar dhunën në sy të pushuesve në jug të vendit dhe ka ngritur shqetësimin për politikat qeveritare, që sipas tij janë shkak i situatës së krijuar një ditë më parë.

Sipas tij, një ndryshim ligjor që u bë vitin e kaluar, i dha hotelerive të drejtën për të administruar çadrat në plazh, pa marrë në konsideratë bizneset ekzistuese që prej vitesh ushtronin aktivitet në të njëjtat hapësira me leje të ligjshme.

“Për 13 vite rresht, një lokal funksiononte, i cili ishte pajisur me leje në atë pjesë të plazhit për të vendosur cadrat, duke pasur një aktivitet të konsoliduar shumëvjecar me çadrat e tij. Kur pronari i hotelit kërkoi lirimin e hapësirës (në zbatim të ligjit), u përball me “rezistencën legjitime” të pronarit të lokalit, i cili kishte një histori 13-vjeçare të përdorimit të lejuar nga shteti të asaj zone”, shkruan Teliti.

“Si mundet që ligje të reja të hyjnë në fuqi dhe të zbatohen pa marrë parasysh investimet dhe aktivitetet ekzistuese”, shkruan ai, ndërsa u ka bërë thirrje që shteti të marrë përgjegjësi për situatën.

“Është koha që shteti të marrë përgjegjësitë e veta dhe të shmangë krijimin e situatave”, përfundon ai.

Reagimi i Dorian Telitit:

DHUNA DUHET NDËSHKUAR, POR KUSH E NDEZI SHKËNDIJËN E KONFLIKTIT NË KSAMIL?

Së pari, dënoj me forcë dhunën e përdorur, pasi çdo mosmarrëveshje, pavarësisht natyrës, nuk zgjidhet kurrë me sherr e dhunë. Kjo është një pikënisje e qartë dhe e pandryshueshme.

Por, le të thellohemi pak më shumë: kush e shkaktoi këtë konflikt në radhë të parë? Përgjigja na çon direkt te shteti dhe ligjet e tij. Që prej vitit të kaluar, hotelerive u është dhënë e drejta që të zotërojnë edhe çadrat e tyre në plazh. Kjo masë, ndonëse mund të ketë pasur synime të mira, la pas dore realitetin ekzistues.

Për 13 vite rresht, një lokal funksiononte, i cili ishte pajisur me leje në atë pjesë të plazhit për të vendosur cadrat, duke pasur një aktivitet të konsoliduar shumëvjecar me çadrat e tij.

Kur pronari i hotelit kërkoi lirimin e hapësirës (në zbatim të ligjit), u përball me “rezistencën legjitime” të pronarit të lokalit, i cili kishte një histori 13-vjeçare të përdorimit të lejuar nga shteti të asaj zone.

Kjo situatë nxjerr në pah një problem serioz: “mungesën e planifikimit afatgjatë dhe koordinimit nga ana e autoriteteve”.

Si mundet që ligje të reja të hyjnë në fuqi dhe të zbatohen pa marrë parasysh investimet dhe aktivitetet ekzistuese, të cilat janë zhvilluar pikërisht me bekimin dhe lejen e vetë shtetit? Kjo paqartësi dhe ndryshim i papritur i rregullave është një burim i vazhdueshëm konfliktesh dhe pasigurie për biznesin.

🇦🇱Është koha që shteti të marrë përgjegjësitë e veta dhe të shmangë krijimin e situatave të tilla ku qytetarët dhe bizneset detyrohen të bien ndesh me njëri-tjetrin për shkak të vendimeve të nxituara dhe të pakoordinuara. Dhuna në këtë rast ishte pasojë, por shkaku është shpeshherë më i thellë dhe kërkon zgjidhje politike dhe administrative.

 


Shtuar 20.07.2025 11:58